Reparti nr.318 Qyteti Stalin | |
---|---|
Information | |
Name: | Reparti nr.318 Qyteti Stalin |
Location: | Kuçovë |
Year of Construction: | 1966 |
Year of Closure: | 1976 |
Prison | |
Forced Labor: | Po |
Gender: | Gra |
Capacity: | 500 |
Quhej Reparti nr.318 Qyteti Stalin. Në vitin 1966, për herë të parë regjimi komunist çeli një repart të posaçëm pune të detyruar për gratë, të cilin e vendosi në Qytetin Stalin (sot Kuçovë). Më 28.1.1966 mbërritën nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në Tiranë shumica e grave të dënuara (80 gra), si dhe 1 komandant, 6 roje të brendshme e 3 roje të jashtme. Gjysma e mbetur mbërriti në repart më 1 tetor 1966. Pra kampi ishte menduar si një përqendrim i specializuar për gratë që do të vuanin dënimin në repart.
Qëllimi i repartit ishte shfrytëzimi i punës së grave në bujqësi në një sipërfaqe prej 150 hektarësh si dhe në industrinë e naftës. Toka bujqësore e ndodhur në periferi të puseve të naftës nuk mund të punohej me mjete të mekanizuara dhe as me qe. Pasi erdhën edhe gratë e tjera, reparti kishte në fillim 120 gra të dënuara. Në repart vuanin dënimin gratë e dënuara si për krime kundër shtetit, ashtu edhe ato për krime ordinere. Regjimi nuk kishte mundur t’i ndante veç ato për krime kundër shtetit (politike) dhe ato për vepra të ndryshme ordinere. Numri i grave të dënuara për krime politike përllogaritej në vite midis shifrave 10-20%. Në vitin 1969 këtu punonin 177 gra në shumicë ordinere. Në rast gjendje lufte, reparti zhvendoset në Përmet. Të dhënat e mëpasshme bëjnë fjalë se në vitin 1970 ishin 162 gra; në vitin 1971 ishin 150, në vitin 1972 ishin 158 gra.
Nga fillimi e deri në vitin 1972 reparti kishte pasur një mesatare prej 180-200 të dënuarash. Në vitin 1972 ishin hapur shkolla 2-vjeçare e kurse, të cilat frekuentoheshin nga rreth 25% e të burgosurave. Shifra rritet pas vitit 1972. Në një raport të Prokurorisë së Beratit për gjendjen e repartit 318, por dhe nga raporti i komandës së këtij reparti merrej vesh se në tetor 1974 vuajnë dënimin 356 të burgosura. Reparti kishte mbingarkesë. Nga kjo, 50 gra flinin në korridor dhe 53 të tjera flinin në tokë. Nga ky shkak kishte sëmundshmëri të lartë, ndërsa gripi cilësohej si diçka e zakonshme.
Në vitin 1973 ishin 292 gra dhe në vitin 1974 ishin 363 gra. Në vitin 1974, thuhej se ishin “riedukuar 100 gra”, 214 ishin “të lëkundura” dhe 26 silleshin keq. Punonin rreth 150 gra.
Në vitin 1975 ishin 427 gra; në vitin 1976 ishin 478 gra; në vitin 1977 ishin 479, në vitin 1978 ishin 440 gra dhe në vitin 1979 ishin 443 gra. Karakteristikë e kësaj kohe është se burgu i Kuçovës kishte gra të huaja të dënuara. Në vitin 1975, reparti kishte në përbërje 11 oficerë, prej të cilëve vetëm 1 ishte me arsim të lartë. Në vitin 1976 në repartin 318 (Qyteti Stalin) punonin 437 të dënuar, prej të cilëve vetëm 40 politikë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 19 persona. Për vitin 1976, kur reparti ishte ende në Qytetin Stalin, jepej një shifër tjetër, ku thuhej se vuanin dënimin 483 gra.