Burgu nr.11 Vlorë (më vonë Reparti nr.319) | |
---|---|
Information | |
Name: | Burgu nr.11 Vlorë (më vonë Reparti nr.319) |
Location: | Vlorë |
Year of Construction: | 1944 |
Year of Closure: | 1964 |
Prison | |
Forced Labor: | Jo |
Gender: | Burra |
Capacity: | rreth 400 persona |
Burgu nr. 11 Vlorë (reparti nr. 319), vitet 1944-1964
Ishte burg i ngritur qysh në fillim të marrjes së pushtetit nga komunistët. Burgu politik për “armiqtë e popullit” kishte numrin 11. Burgu ishte ndërtuar në lagjen “Karabash” (më vonë “15 tetori”), përballë ndërtesës së Bashkisë së Vlorës, rreth 30 metra larg saj.
Të dhëna të detajuar për këtë burg gjejmë në librin e studiuesit Kastriot Dervishi "Burgjet dhe kampet në Shqipërinë komuniste", të dhëna e të cilit do ti përmbledhim si më poshtë.
"Burgu ishte një ndërtesë dykatëshe, me mur guri, e mbuluar me tjegulla. Ndërtesa e burgut kishte qenë pronë private, shtëpi banimi e Fejzo Xhafos. Ky burg shërbeu pas vitit 1944, për të dënuarit nga regjimi komunist. Sipas të dhënës nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, në burgun e Vlorës shërbente një personel prej 24 vetash (22 ushtarë, 1 nënoficer, 1 oficer).
Në vitin 1950 në burg janë rreth 700 të burgosur, ndërsa kapaciteti i burgut ishte për rreth 320 persona.
“Lokali paraqitet jo i mirë nga ana e sigurimit për arsye se është lokal shumë i vjetër, muret janë të dobëta dhe pjesërisht me tulla me kualitet të dobët dhe poshtë dhomave të lokalit, përshkon kanali që mbledh ujërat e qytetit”, - thuhej në raportin e datës 25.8.1950, ndërsa të tjera për burgun nr. 11.
Për shkak të kësaj situate, në vitin 1952 u projektua sipas modelit sovjetik burgu i ri, me kapacitet për mbi 400 të burgosur në lagjen “Kushtrimi”, në hyrje të Vlorës, 50 metra larg nga rruga kombëtare Vlorë-Fier. Ndërtimi i burgut, në atë pozicion, nga ana urbanistike ishte një zgjidhje shumë e keqe, por edhe nga çdo anë që ta shikosh, sepse sapo hyn në qytetin e Vlorës, gjëja e parë që të binte në sy ishte burgu, një pamje që të kallte tmerrin me murin rrethues 3 metra të lartë dhe mbi të gardhi me tela me gjemba, kullat e rojeve të vendosura mbi murin rrethues. Brenda mureve rrethues ngriheshin katër ndërtesa: burgu i armiqve të popullit, dy kate mbuluar me tjegulla; burgu i të burgosurve ordinerë, dy kate mbuluar me tjegulla; dhomat e izolimit, qelitë, njëkatëshe me tarracë dhe drejtoria e burgut, njëkatëshe e mbuluar me tjegulla. Qelitë ishin vendosur nën nivel, në një tokë që po ta gërmoje një metër, buronte ujë. Qelitë ishin 2x1, 2x2, 2x3, 2x4, 2x6 metra. Megjithëse ishin shtruar me dërrasa, batanijet që e kishin normën 3 vjet, kalbeshin për 6 muaj. Në burg mbizotëronin sëmundje të tilla si TBC-ja, zemra, malaria etj. Më 30.10.1953 në këtë burg erdhën të dënuarit nga burgjet e mbyllura të Gjirokastrës dhe Beratit. Në vitin 1954 burgu përmblidhte të burgosurit e qarqeve Vlorë, Berat, Gjirokastër me rreth 464 të burgosur. Në vitin 1957 në burg ishin 266 të dënuar politikë dhe 300 ordinerë. Në vitin 1958 vuanin dënimin 194 të dënuar politikë dhe 190 ordinerë. Në fillim të vitit 1962 këtu vuanin dënimin 172 të dënuar politikë dhe 262 ordinerë që përbënin 434 të burgosur.
Siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, të dënuarit me vdekje që i mbanin në qelitë e paraburgimit të këtij burgu, "i ekzekutonin 300 apo 500 metra larg nga qelitë, në vendin që quhej “hambar”, pyll me ullinj. Punëtorët e ndërmarrjes ullishte gjatë punimit të tokës gjenin vazhdimisht eshtra njerëzish. Ishin “armiqtë e popullit” që ishin pushkatuar".