Shqipëria e nis historikun e kampeve të punës me një vend që nuk ishte larg Tiranës. U përzgjodh ky vend, si duket me qëllimin për të provuar sesi mund të punonin të burgosurit. Kampi i parë i punës së detyruar u hap në prill 1946, në fshatin Jubë në lindje të Durrësit. Pasi kanë përfunduar proceset më të mëdha politike për gjithë vitin 1945 e vazhdonin proceset e tjera, komunistët nisën të zbatonin planet e tyre në bujqësi e ndërtim kundër me “punëtorë të detyruar”. Në Jubë punuan rreth 700-800 të burgosur nga burgjet e afërta si nga Tirana, Durrësi etj. Të burgosurit politikë hapnin kanale kulluese afër detit. Synimi ishte kalimi i ujit në det e përfitimi i tokës së bukës. Në punime morën pjesë ish-politikanë si Kostaq Kotta, Ibrahim Biçakçiu, Et’hem Cara etj. Ata hapën një kanal 5 km të gjatë, me gjerësi 6 metra e thellësi 10 metra. U punua për rreth 4 muaj. Të dhënat për kampin në fjalë janë të pakta. Sipas të dhënave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në kamp shërbente një personel prej 42 vetash (36 ushtarë, 5 nënoficerë, 1 oficer).

 

Kastriot Dervishi, "Burgjet dhe kampet e Shqipërisë Komuniste", botim i ISKK

 

Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.