Në verën e vitit 1951 kampi zhvendoset në fshatin Plug të Lushnjës. Synimi kryesor ishte që këtu ata të përdoreshin për punë të detyruar në bujqësi. Plugu ishte përzgjedhur si një vend i përshtatshëm përqendrimi, ku kontrolli bëhej edhe më lehtë. Këtu filluan të vijnë edhe të dënuar të tjerë nga burgjet, duke e bërë pak nga pak kampin të ishte me shumicë nga burgjet e Shqipërisë, ndërsa grekët ngelën një shtojcë e vogël e veçuar.

Më 31.5.1952, kryetari i Degës së Kampeve dhe Burgjeve, Sabri Sevrani informonte se nuk ishte zbatuar kontratat e datës 3.7.1951 ndërmjet Drejtorisë së Fermës Lushnjë dhe Komandës së Kampit nr. 5, e miratuar kjo nga Drejtoria e Përgjithshme e Farërave dhe Drejtoria e Policisë Popullore në MPB.

Nga evidencat e kampit dilte se në kamp ishin 430 “monarko-fashistë”, prej të cilëve 150 “demokratë”. Në këtë mënyrë në shumicë ishin “monarko-fashistët” grekë, duke i dhënë kësisoj kampit vlerën e një vendi ku grumbulloheshin armiqtë e socializmit.

Paralelisht me Plugun, në fermën “Ylli i Kuq” Kamëz, ishin 300 persona grekë, shumica gra, të cilët nuk i kishin vënë në punë, pasi nuk mundeshin të punonin. Kërkohej shfrytëzimi i grekëve në maksimum, në mënyrë që jo vetëm të siguronin ushqimin që konsumonin, por edhe të prodhonin më shumë.

Gjatë qëndrimit në Plug kishin vdekur pa asnjë nishan, 2 “monarko-fashistë” grekë. Këta qëndronin në sektorin e parë të fermës “29 Nëntori”. Në një njoftim të DPB Lushnjë, të datës 20.1.1956, thuhej se toka ishte punuar e nuk dinin asgjë me siguri për eshtrat e tyre apo për vendndodhjen e mundshme.

Emigrantët grekë kaluan më vonë në vende të tjera të Shqipërisë. Duke u bërë bashkimi i të burgosurve shqiptarë (për krime politike dhe ordinere) me ata grekë, u krijua një grup punëtorësh të dënuar prej 500 vetash. Këtu të burgosurit bënin punë të tilla si mbledhje bereqeti, pambuku, hapje kanalesh kulluese etj. Në fushën e Plugut, kampi qëndroi në nëntor 1953. Komisar në këtë kohë ishte toger Besnik Çomo. Punëtori operativ i kampit i quajturi Mantho, sipas raportit të datës 7.6.1952, torturonte, plaçkiste dhe vidhte “monarko-fashistët”, ndërsa në një rast tjetër kishte tentuar të përdhunonte një grua.

Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.