Reparti nr.307 nga Tirana në Rubik | |
---|---|
Information | |
Name: | Reparti nr.307 nga Tirana në Rubik |
Location: | nga Tirana në Rubik |
Year of Construction: | 1953 |
Year of Closure: | 1967 |
Reparti 307 është ndër repartet që nuk ka lënë historik. Grumbullimi i të dhënave rreth tij ka qenë një punë shumë e vështirë dhe e mundimshme. Kësaj vështirësie i shtohej fakti se me këtë numër janë tre reparte të ndryshme.
A – Kampi nr. 4 (reparti 307) në Tiranë, vitet 1953-1963
Reparti u ngrit në Tiranë në fillim si kampi nr. 4 i punës, një repart ku të dënuarit vuanin dënimin me anë të punës. Sipas biografisë së kuadrit Neim Hodaj, kampi është hapur më 15.9.1953. Qëllimi i ndërtimit të tij ishte formimi i një qendre punëtorësh që do të bënin ndërtimet kryesore në Tiranë. Në fillim në kamp punonin 529 të burgosur (ordinerë e politikë) për të ndërtuar apartamente banimi në Tiranë. Ndër ta llogariteshin 43 të sëmurë, ndërsa ishin realizuar 133.000 ditë pune. Kampi u vendos në qendër të Tiranës, shumë afër zonës ku banonte udhëheqja e lartë komuniste, afër urës së Lanës.
Ndërtimi i banesave të banimit përbënte punën kryesore të kampit, pasi në të do të banonte nomenklatura e re e regjimit, e cila vinte krejtësisht nga provinca. Kësisoj pallatet “Agimi” në Tiranë ishin ndër të parat godina të ndërtuara nga kampi nr. 4. Disa muaj pas formimit të kampit, punonin 215 të dënuar politikë dhe 200 ordinerë, të ndarë nga njëri-tjetri në frontin e punës. Për të ruajtur të burgosurit shërbente një efektiv shërbimi, i përbërë prej 38 personash.
Në këtë kamp ka ndodhur edhe një ngjarje e jashtëzakonshme teksa të burgosurit u orvatën të arratiseshin. Më 23.6.1954, kur kampi po ndërtonte pallate buzë lumit të Lanës në Tiranë, u zbulua një tunel që kishin hapur të burgosurit. Në një prej barakave të kampit është gjetur një gropë e hapur 50 me 50 centimetra, me thellësi 60 cm. Nga shikimi nga brenda rezultonte se kanali ishte hapur me mjete të forta si thikë e mistri. Brenda tunelit ishin gjetur edhe veglat e punës. Dheu ishte gjetur i shpërndarë brenda barakës. Regjimi mori masa të rrepta për dënimin e autorëve të ngjarjes. Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 189, datë 17.7.1954, në një seancë të mbyllur, i vlerësoi fajtorë të akuzuarit duke dënuar me pushkatim të dënuarit: Isuf Agolli, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku, Abdulla Bajrami, Niko Malo (vuajti 19 vjet burg), Besim Latifi, Nasuf Gjilaj (vuajti 10 vjet burg). Katër të parët u ekzekutuan, ndërsa të tjerëve iu fal jeta. 13 të dënuar të tjerë u dënuan me burgime të rënda. Interesant është Marku, i dënuar më parë me procesin e “Frontit të Rezistencës”, i cili nuk ka pranuar asnjë akuzë. Në fund të vitit 1954 në kamp ulet numri i të burgosurve politikë. Raporti i kësaj kohe flet për 137 të dënuar politikë dhe 201 ordinerë. Bajram Korvafaj ishte ndër komandantët më jetëgjatë të kampit, për gati 10 vjet. Në kujtimet e të burgosurve që kanë mundur të lënë të tilla, ai përshkruhet si njeri mizor e me vese. Uran Kalakula shkruan se komandanti në fjalë nuk linte rast pa i ofenduar e sharë rëndë të burgosurit. Ai nuk thoshte dot fjalën “partia”, por thoshte vetëm “patia”. Nga doja e tij dilnin pa pushim fjalë të tilla si “ju q... nënat more armiqtë e mutit” etj. “Vese të dobëta në kohën e regjimeve të kaluara antipopullore kam pasur kusarinë dhe gjaknxehtësinë, por sot me punën që ka bërë partia, i kam eliminuar”, - shkruante në autobiografinë e vet Bajram Korvafa, më 19.8.1952.
Në bazë të urdhrit nr. 1620, datë 21.12.1955, reparti mori numrin 307. Urdhri hyri në fuqi më 1 janar 1956.
Në vitin 1956 në repart ishin më pak se 600 të burgosur. Në vitin 1956 raportohej se i dënuari Islam Seferi “me tendencë zogist”, ishte shprehur: “Unë jam zogist dhe deri në fund do të punoj për Zogun se tek ai kam shpresë jete”.
Në këtë kohë, reparti kishte 3 rezidentë dhe 2 informatorë.
Një vit më vonë, në vitin 1957 në kamp ishin 9 të dënuar politikë dhe 466 ordinerë. Në vitin 1958 ka gati 100 të dënuar politikë dhe 400 ordinerë.
Në raportimet e brendshme vinin edhe ngjarje të këtij lloji: kapter Kaman Shehu, anëtar i PPSH-së, duke qenë me shërbim roje i brendshëm, e lidh dhe e var me kokë poshtë të dënuarin Shaban Nera, më 26.3.1958. Ky veprim bëhej sepse ai e quante të drejtë të bënte çfarë të donte me të dënuarit.
Një tjetër punë e repartit ishte ndërtimi i stadiumit “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”) në Tiranë. Stadiumi ishte projektuar nga inxhinieri Koço Miho. Ndërtimi i këtij stadiumi me 13 shkallë ndenjëse, 16.000 vende ulur dhe 4.000 në këmbë, ishte një mbështetje e madhe për futbollin kombëtar, por me pistën e tij edhe për atletikën. Përurimi i stadiumit u bë më 8 korrik 1959 dhe fjalën e rastit e mbajti gjeneral kolonel Xhule Çiraku. Mbas tij flet edhe drejtori i punimeve të ndërtimit të stadiumit Aristidh Vavako. Shiritin e pret kandidati i Byrosë Politike të KQ të PPSH, Ramiz Alia. Përurimi i stadiumit u bë përmes një ndeshje midis dy “Dinamo”-ve, të Tiranës e Berlinit.
Sipas të dhënave të vitit 1959, në kamp punonin 491 të dënuar. Më 23.12.1959 lidhej kontrata midis drejtorit të ndërmarrjes së ndërtimit Nexho Konomi, përfaqësuesit të MPB-së Qemal Mane (Islamaj), miratuar nga ministrat përkatës për ndërtimin e Kombinatit Ushqimor në Tiranë, që më vonë mori emrin “Ali Kelmendi”, në rrugën e Kavajës në Tiranë. Ndërtimi do të bëhej brenda gjithë vitit 1960 me pjesëmarrjen e 330 të dënuarve. Në vitin 1961, repartet 303 dhe 307 së bashku, me gati 600 të burgosur, punonin për llogari të ndërmarrjes “21 dhjetori” në Tiranë.
Në fillim të nëntorit 1962në repart punonin 485 të dënuar ordinerë dhe asnjë politik. Kjo sepse ishin liruar me amnisti 151 të dënuar politikë. Kjo shifër ishte e tillë, pasi punimet në kryeqytet po zgjasnin e nuk duhej një numër i madh të dënuarish politikë. Më 1.11.1960 për komandantin e repartit bëhej ky shënim:
“Nënkolonel Bajram Korvafaj komandant i repartit 307 Tiranë është këshilluar dhe paralajmëruar nga udhëheqja e Drejtorisë (Punëve të Brendshme Tiranë) për arsye se ka nxjerrë të burgosurit, ka bërë krevate për nevojat personale të vartësve të tij, në kundërshtim me rregullat, u ka dhënë rast vartësve që të bëjnë edhe këta punime të ndryshme si skaldobanja etj., i ka bërë gjithashtu një skaldobanjë një profesori, ka marrë nga ndërmarrja dërrasa me çmime të ulëta dhe nuk ka faturuar transportin e tyre”.
Shënimi i datës 8.6.1962 i Drejtorit të Punëve të Brendshme Tiranë, Jonuz Kongjonaj, ndër të tjera thoshte se Korvataj ishte “shumë i dhënë pas interesit personal dhe sidomos në bërjen dhe përvetësimin e gjërave të të dënuarve”. Ky raport ka dhe hollësi të tjera përvetësimi, tregues për degradimin e gjithanshëm të kuadrit të burgjeve të këtyre viteve, kuadër përgjithësisht injorant e me plot vese. Ndërkohë, një shifër tjetër na vjen në vitin 1963, për 450 të dënuar politikë.
Robert Vullkani ka qenë një prej të dënuarve që në dhjetor 1963 ka nisur vuajtjen e dënimit nëpërmjet punës në këtë repart.
“Reparti ishte vendosur në rrugën “Myslym Shyri”, në anën e majtë të saj, nga kinema “Dajti”. Përveç tij, në atë kohë ishin vendosur edhe repartet 303 (i cili u largua në nëntor 1963 në Vlorë) dhe 309. Repartet ndërtonin në këtë kohë të gjitha pallatet e asaj zone. Po ashtu reparti 307 kishte ndërtuar në vitin 1956 edhe zonën e “Zogut të zi” në Tiranë”, - dëshmon Vullkani.
B – Në Rubik, në vitet 1964-1967
Pasi reparti kishte përmbushur ndërtimin e banesave të shumta, si dhe vepra të industrisë në Tiranë, u pa nevoja e zhvendosjes së repartit në Rubik duke rritur në shumicë numrin e të dënuarve politikë në këtë front të vështirë. Me urdhrin nr. 1754, datë 21.10.1963, reparti 307 u zhvendos në Rubik, në minierën e përpunimit të bakrit. Urdhri filloi të zbatohej më 24.1.1964. Në këtë zhvendosje të të burgosurve morën pjesë 13 kamionë. E dhëna e parë për punën në Rubik, vjen në vitin 1965 e që bën fjalë se në repart punonin 330 të dënuar.
Pas punimeve kryesore që zgjatën 3 vjet, reparti filloi të largohej nga ky vend. Më 1.4.1966 reparti u suprimua në pjesën më të madhe të tij. Personeli kryesor u zhvendos në repartin 323 në Fushë-Krujë. Kjo e dhënë është bërë e mundur vetëm në sajë të urdhrave të kuadrit ku vërehet me lehtësi se i gjithë kuadri është zhvendosur në repartin 323. Drejtuesi i kampit mbeti në rolin e përgjegjësit, derisa kampi u shkri më 16.3.1967.
Ky repart mbeti një kamp famëkeq. Të tillë i kishte edhe komandantët si Neim Hodaj, Osmën Llanaj, Tasi Marko, Bajram Korvafaj dhe Mihal Marko, të cilët ishin kryesisht bujq, argatë etj. Shkollimi i tyre fillonte nga analfabeti deri tek ai fillor. Edhe komisarët si p.sh. Besnik Çomo ngeleshin në këtë nivel.
Puna e repartit:
1953-1964 në Tiranë: ndërtim pallatesh, blloku “Agimi”, hyrjen kryesore në rrugën e Durrësit, kombinati ushqimor “Ali Kelmendi”, fabrikën e bukës, bllokun “50-vjetori i Pavarësisë”, stadiumi “Dinamo”.
1964-1967 Rubik, në ndërtimin e uzinës së përpunimit të bakrit.