Reparti nr.307 Elbasan | |
---|---|
Information | |
Name: | Reparti nr.307 Elbasan |
Location: | Valas |
Year of Construction: | 1973 |
Year of Closure: | 1979 |
Reparti 307 në Valas
Brenda të njëjtit vit që ishte mbyllur reparti 307 në Tepelenë, u hap një tjetër repart me këtë numër në një fshat të Elbasanit. Me urdhrin nr. 664, datë 21.7.1973, u krijua në Valas të Elbasanit, reparti nr. 307. Shumica e të dënuarve të këtij reparti ishin ordinerë dhe fare pak prej tyre, politikë.
Të dënuarit filluan të grumbullohen më 8 shtator 1973 nga disa reparte njëkohësisht, si 301 Bulqizë, 305 Borsh, 309 Ballsh, 313 Tiranë dhe 315 Lezhë. Numri i parë i të burgosurve ishte 487 të dënuar. Të dënuarit ishin planifikuar të punonin në bujqësi për llogari të ndërmarrjes bujqësore të Belshit. Ngjarje e rëndësishme në historinë e repartit ishte ajo e prillit 1978, teksa këtu vjen ministri Kadri Hazbiu. Ai jep porosi që reparti 318 në Kosovë të varej nga reparti 307 Valas. Këtë vit, reparti kishte 11 oficerë, 13 policë dhe 31 ushtarë.
Në vitin 1977 punonin gjithsej 382 të burgosur. Sipas raportimit të datës 15.11.1978, në repart ishin gjithsej 318 të dënuar, prej të cilëve 2 politikë.
Në vitin 1982, Komiteti Ekzekutiv i KP të Rrethit Elbasan, kërkoi zhvendosjen e repartit për në fshatin Broshkë për të kryer punime të tjera në bujqësi. Ky propozim nuk u pranua.
Në fund të vitit 1979 reparti kishte 511 të dënuar. Kapaciteti i repartit ishte për 450 të burgosur. Në fund të janarit 1979 në të ishin 327 të burgosur ordinerë dhe 2 politikë. Në fund të vitit 1979 në repart ishin 522 të dënuar ordinerë dhe 2 politikë. Nga studimi i komandës, 30 të dënuar kishin përbërje “të keqe politike”.
Në vitin 1981 ishte lidhur kontrata me fermën bujqësore të Cërrikut për aktivizimin në punë të 350 të burgosurve. Në vitet 1978-1981 ky repart kishte në varësi edhe repartin nr 318. Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983, reparti u shkri. Përfundimisht reparti u mbyll më 7.2.1983. Sipas një dinamike të dhënash, për një kohë të caktuar, reparti kishte këtë numër të dënuarish:
- Viti 1973, 939 të dënuar
- Viti 1974, 773 të dënuar
- Viti 1975, 724 të dënuar
- Viti 1976, 521 të dënuar
- Viti 1977, 541 të dënuar
- Viti 1978, 226 të dënuar
- Viti 1979, 501 të dënuar.
Çdo vit tërhiqeshin në bashkëpunim 3-12 informatorë. Më 30.6.1979, lidhej një marrëveshje midis ndërmarrjes së ndërtimit e montimit të metalurgjikut dhe repartit 307. Pasi të burgosurit të mbaronin 3 pallate, 26 hyrje do t’i jepeshin efektivit të repartit dhe 26 ndërmarrjes së ndërtimit në fjalë. Kuadri i repartit ishte i profesioneve punëtor, bujk dhe arsimtar. Niveli shkollor ishte ai fillor.