Ky repart e ngriti kampin në Kosovë të Elbasanit gjatë viteve 1976-1991. Me urdhrin nr. 666/1, datë 24.12.1976 të ministrit të Punëve të Brendshme, reparti zhvendoset nga Kuçova në Dumre (Kosovë) të Elbasanit, duke shkëputur varësinë nga Dega e Punëve të Brendshme të Beratit në atë të Elbasanit. Synimi i zhvendosjes së repartit ishte aktivizimi i 400 grave në punë bujqësore. Në vitin 1977 në repart ndodheshin 470 të burgosur. Sipas të dhënës së datës 15.11.1978 në repart ishin gjithsej 426 gra, prej të cilave 60 për arsye politike.

Në vitin 1979 kishim një dinamikë të dënuarash prej 420-450 vetash. Prej tyre ishin rreth 360 ordinere dhe mbi 60 politike. E veçantë ishte se në kamp ishin 12 sovjetike, 2 jugosllave, 1 rumune. Në vitin 1980 shtohet edhe një italiane.

Tefta Koço Tasi (1933-2000) ishte 46 vjeçe kur u dënua në vitin 1979. E gjendur me masë internimi në Grabian të Lushnjës, ajo u akuzua në bazë të nenit 55 të Kodit Penal pse nuk kishte dashur të shkruante hartim për Enver Hoxhën, pse kishte dënuar luftën e klasave dhe rendin socialist. Tefta nuk kishte mohuar bindjet e saj për demokracitë perëndimore. Për këtë u dënua me 8 vjet heqje lirie. U lirua me amnistinë e vitit 1982. Vëllai i saj ka hedhur në libër disa prej kujtimeve të Teftës, ndër të tjera edhe repartin 318. Ajo tregon se gratë e afta për punë punonin në dy vende, në Dragot, 5 km larg nga reparti dhe në vendin e quajtur Gropa e Hamit Matjanit. Punonin në qilizmë dhe punë bujqësie. Të dënuarat ishin ndarë sipas llojit të dënimit. Tek ordineret, kati i parë i takonte imoraleve dhe përsëritëseve, i dyti vjedhëseve dhe i treti vrasëseve. Në vitin 1980 në repart ishin duke vuajtur dënimin 57 gra shtatzëna. Këto ishin dënuar me 2-4 vjet heqje lirie. Disa prej tyre kishin kërkuar nga gjykatat shtyrje të dënimit, por kjo nuk ishte pranuar. Në vitin 1980 mesatarisht ishin 443 gra të dënuara, prej të cilave më pak se 70 politike. Kontrata e nënshkruar midis repartit dhe fermës së Belshit më 15.9.1980 parashikonte aktivizimin e 250 të dënuarve në punë. Parashikohej që gratë duhej të udhëtonin deri 4 kilometra larg repartit për të punuar në bujqësi.

Me urdhrin nr. 673, datë 11.10.1981 të ministrit, u shkëput varësia e repartit 318 nga reparti 307 i Valasit. Gjatë vitit 1981 kanë qenë rreth 435 të dënuara, prej të cilave më pak se 70 politike.

Gjatë vitit 1982 shënohen rreth 431 të dënuara. Rreth 72 të dënuara ishin politike dhe pjesa tjetër rreth 360 ishin ordinere. Nga gratë e huaja ishin 13 sovjetike, 2 jugosllave, 1 italiane dhe 1 hungareze. Në këtë kohë 3 gra ishin me aftësi të kufizuara fizike për të lëvizur në frontin e punës, ndërsa 167 gra ishin të paafta për punë. Gratë realizonin mbi 100 mijë lekë në muaj. Punon kryesisht në vjeljen e lulediellit dhe misrit, por edhe me punime të tjera të bujqësisë sipas punëve të stinës. Është për t’u çuditur, por vetëm rreth 60 gra ishin të afta për punë. Gratë punonin edhe për llogari të xhenios (shtrirje telash) dhe repartin 100 (qepje rrobash me makinë). Komanda tërhiqte vëmendjen se kur vilnin luledielli, të dënuarat mund të pushonin, pasi nuk shiheshin. Për këtë kërkohej kontroll i imët. Pra, shtimi i vigjilencës kërkohej të ishte i lartë. Në vitin 1983 ishin gjithsej 179 gra të dënuara, prej të cilave 29 politike. Në vitin 1984 në kamp ishin mesatarisht 200-238 të dënuara. Të dënuarat politike kanë zbritur në rreth 30. Sovjetiket janë 8 gra. Vazhdojnë të punojnë në bujqësi, për xhenion dhe rrobaqepësi për repartin 100. Sipas raportit të datës 17.11.1984 në repart ishin si efektiv 26 veta. Ndiqeshin 3 të dënuara në përpunim aktiv 2A. Kishte gjithsej 9 bashkëpunëtore (prej të cilave 1 agjente). Në vitin 1985 në kamp ishin mesatarisht 234-252 gra të dënuara, prej të cilave 29-32 për krime kundër shtetit. Në vitin 1986 ka një zbritje të madhe të të dënuarave politike. Fillimi i vitit ka 241 të dënuara dhe fundi gjen vetëm 67 gra. Kjo për shkak të amnistive. Të dënuara politike ishin 1-3 gra. Sipas studimit të bërë në qershor 1987, në repart vuanin dënimin 120 gra, nga të cilat vetëm 5 për arsye politike. Nga qyteti ishin 90 të dënuara, ndërsa nga fshati 40 (shuma del 130 të dënuara, por në raportim thuhen 120). Mbi gjysma e tyre ishin me arsim 8-vjeçar. Rreth 30% e tyre i përkisnin moshës 18-25 vjeç. Rreth 60% e tyre ishin për vjedhje, 15% për vrasje e dështime etj. Gjatë vitit 1988 në repart ishin mesatarisht 145-172 gra, nga të cilat vetëm 5-14 për arsye politike.

Gjatë vitit 1989, deri në nëntor, ishin mesatarisht 170-173 të dënuara, prej të cilave deri në 14 për krime politike. Në dhjetor 1989 pas amnistisë së madhe në repart kishin mbetur 32 gra të dënuara për krime ordinere dhe 1 për krime politike.

Në janar-prill 1990 kemi mesatarisht 35-41 të dënuara ordinere dhe vetëm 1 të dënuar politike. Muaji prill 1990 është statistika e fundit e repartit me të burgosura gra. Në prill 1990 janë 41 gra ordinere dhe 1 politike.

 

 

Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.