Abaz Omari | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Abaz Omari |
Birthplace: | Gjirokaster |
Date of Birth: | 1906 |
Profession: | Jurist, historian arti, nacionalist, djali i vajzës së Hysen Hoxhës, xhaxhait të Enver Hoxhës |
Date of Death: | 1945 |
Trial | |
Judgment: | nr. 140, dt. 7.VI.1945 |
Type of Execution: | Ekzekutim me pushkatim |
Jurist, historian arti, nacionalist, djali i vajzës së Hysen Hoxhës, xhaxhait të Enver Hoxhës.
Lindi në qytetin e Gjirokastrës, në vitin 1906. Shkollën e nisi në qytetin e lindjes dhe e vazhdoi në Leçe të Italisë. Pas kthimit nga Italia, vazhdoi Liceun Francez të Korçës. Me të mbaruar Liceun, fitoi një të drejtë studimi për në Paris e Grenoblë të Francës. U diplomua në shkencat juridike në Montpelje në vitin 1939 dhe u kthye në Paris, ku studioi për Histori Arti pranë Akademisë së Arteve të Bukura. Pas përfundimit të studimeve, më 1939 u kthye në Shqipëri dhe filloi punë si jurist në Ministrinë e Financave. Disa muaj më vonë u kthye në Fier, ku ishte vendosur familja e tij pas shpërnguljes nga Gjirokastra. Në këtë qytet u lidh me disa nga intelektualët më të njohur antifashistë, që kishin filluar të grupoheshin në Shqipëri. Në shtëpinë e tij në Fier, që më 1939, u formua grupi i rezistencës anti-italiane, me ide dhe program social-demokrat. Përveç tij, në këtë grup bënin pjesë edhe Myzafer Trebeshina, Tefik Cfiri etj. Pas formimit të grupit, me nismën e tij u krijua dhe çeta e parë antifashiste e Mallakastrës. Më 1942, grupi u lidh dhe me Skënder Muçon në Vlorë, duke formuar kësisoj një grupin social-demokrat, i cili një vit më vonë u kthye në parti. Asokohe nxorën në Fier dhe numrat e parë të gazetës “Zëri i lirisë”, që drejtohej nga Musine Kokalari. Në vjeshtën e vitit 1944, shumë nacionalistë u grupuan në Shijak për t’u larguar me anë të detit nga Shqipëria. Në një takim që u mbajt atje, ai iu bëri thirrje që të mos largoheshin, por ta vazhdonin luftën deri në fund. Pak ditë më vonë, u arrestua nga partizanët në Shijak, së bashku me mikun e tij, Qazim Shehun. I sollën në Tiranë, në një shtëpi pranë rrugës “Qemal Stafa”, që ishte kthyer në burg. Tre muaj më vonë, i dërguan në Berat për t’iu bërë gjyqin. Më 7 korrik 1945, në një radiogram, dërguar Gjykatës Ushtarake të Korpusit IV në Berat, Enver Hoxha shkruante: “Në përgjigje të shkresës suaj nr. 140, dt. 7.VI.1945 aprovohet dënimi me vdekje i Abaz Omarit me shokë. Na lajmëroni datën e ekzekutimit”. Dhe disa ditë më vonë, ata u pushkatuan. Pas ekzekutimit, me urdhër të Enver Hoxhës, një dorë e stërvitur ua preu kokën me sëpatë dhe i groposi në një gropë të veçantë, pranë trupave.
Fondi 1, viti 2017, dosja 95, fl. 42-43.