Nacionalist.Lindi në fshatin Bradashesh të Elbasanit, në gusht të vitit 1913. Mësimet e mesme i kreu në Normalen e Elbasanit, kurse të lartat në shkollën «La Farnesina» të Romës, nga e cila mori diplomën e Mësuesit të Edukatës Fizike. Pas kthimit në Shqipëri, punoi si profesor i edukimit fizik në Gjimnazin e Shkodrës. Në 4 prillin e vitit 1939, në qytetin e Shkodrës, u shpërnda një trakt prej nacionalistëve të qytetit, ku flitej qartë se po pergatitej pushtimi i Shqipërisë. Në këtë grup nacionalistësh, së bashku me Zef Pa dhe Jup Kazazin , bënte pjesë edhe Alush Lleshanaku. Për këtë arsye, pas pushtimit italian, ai u pushua nga puna se "pat përhapur frymë antiitaliane ndër nxënësit e vet". U kthye në Elbasan. Më 1941, italianët i kërkuan të vendosej në krye të forcave të ruajtjes së rendit për qytetin e Elbasanit, por ai fillimisht nuk pranoi. Pas këshillimit me miqtë, më në fund pranoi dhe, me vendim të Mëkëmbësisë së Përgjithshme datë 4 maj 1941, u emërua nëpunës federal i Qarkut të Elbasanit. Në fun të vitit 1942, ra në kontakt me organizimet e para ushtarake nacionaliste dhe, pa kaluar shumë kohë, krijoi çetën e vet, që u bë e njohur për veprimtarinë e saj antifashiste në fshatrat Bradashesh, Balter, Belsh, Labinot e Peqin, ku në bashkëpunim edhe me forcat nacionaliste të Hamit Matjanit  dhe Isa Manastirliut , në verën e vitit 1943 sulmoi dhe mori garnizonin italian të qytetit. Në shtator 1943, në bashkëpunim me çetën nacionalçlirimtare «Dajti» organizoi një pritë kundër një autokolone gjermane që vinte nga Elbasani. Në 29 nëntor 1943, disa ditë pasi ishte formuar qeveria e re shqiptare, e dalë prej të parës Asamble të Përgjithshme, Lleshanaku u emërua komandant i xhandarmërisë për qytetin e Elbasanit, me gradën major. Pas 28 nëntorit 1944, bashkë me kapidan Mark Gjon Marku  dhe Halil Alinë , vazhdoi luftën kundër forcave komuniste. Për ngjarjet e atyre ditëve të përgjakshme,ai la një ditar «Ditari i luftës: 28 Nëntor 1944-12 Janar 1947»), i cili u botua për herë të parë në librin «E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipnisë Etnike» (vëllimi III). Pas shumë aksioneve të kryera, më 16 dhjetor të vitit 1946 kaloi kufirin me Greqinë. Më 12 janar 1947 arriti në Athinë, e prej këtu u bashkua me krerët e tjerë shqiptarë, që ndodheshin në Pire. Në 1949 zbriti me parashutë në Mirditë, për të riorganizuar forcat nacionaliste, që vepronin ende në malet e Shqipëris së Veriut. Bashkë me Xhevdet Blloshmin , përshkoi në fshehtësi zonat më të thella, që nga Veriu i Shqipërisë deri në zonën e Elbasanit, ku vepronin rregullisht çetat nacionaliste. Prej këtu, ai i dërgoi një raport prej më se 30 faqesh të daktilografuara Qendrës së Rezistencës Kundërkomuniste, që ishte ngritur dhe funksiononte në Itali, i cili më vonë u botua në organin e Bllokut Indipendent «L’Albanie Libre»/«Shqipnia e Lirë». U vra nga sigurimi më 24 dhjetor 1950, në një shtëpi në qytetin e Elbasanit. Trupi i tij u mor në fshehtësi dhe u balsamos nga Ibrahim Dervishi për t’u ekspozuar disa ditë më vonë gjoja si i vrarë në «betejën» e urës së Paprit. Më 21 shkurt 1951, Petrit Hakani, drejtor i degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit, i dërgoi Ministrisë së Punëve të Brendshme dosjen e vrasjes së tij. Raporti për vrasjen e Alush Lleshanakut është hartuar në Tiranë, më 26 tetor 1952 dhe mban firmën e Rexhep Kollit.

Source: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), , 139
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.