Meshtar katolik, poet, historian, muzikant, mbledhës folklori, një nga studijuesit më të mëdhenj të Eposit të Kreshnikëve të Veriut, Martir i Kishës, i Lumë. Lindi më 2 tetor të vitit 1894, në Palajt e Shllakut (Dukagjin). Mësmimet fillore e të mesme i mbaroi pranë Kolegjit të Françeskanëve në qytetin e Shkodrës. Pas gjimnazit, kreu edhe Liceun Teologjik në Salzburg, dhe studimet e larta pranë Fakultetit Teologjik në Insbruk. Pas marrjes së diplomës, u kthye në Shqipëri. Më 15 shtator 1911 filloi novicjatin (rishtarinë) në Kuvendin e Rubikut, dhe më 2 gusht të vitit 1918 u shugurua meshtar po në Rubik. Shërbeu në disa nga famullitë e fshatrave më të thella të Malësisë së mbi-Shkodrës. Rreth vitit 1920 u caktua profesor i gjuhës shqipe dhe latinishtes. Më 15 prill të vitit 1923 bashkë më vllezërit Mjeda, Fishtën, Harapin, Prennushin e disa të tjerë, botuan në Shkodër gazetën opozitare «Ora Maleve». Palaj u arrestua si kundërshtar i Zogut, dhe vetëm pas ndërhyrjes së Imzot Lazër Mjedës u dëbua. Gjatë viteve që punonte si profesor në gjimnaz, bashkë me mikun e tij, Atë Donat Kurtin [shih], ndërmorri disa ekspedita kërkimore në fshatrat më të thellë të trevave të Veriut, për mbledhjen e Eposit të Kreshnikëve dhe dokeve e zakoneve popullore, dhe në fillim të viteve ’40-të filloi botimin e tyre (“Kângë kreshnikësh dhe legenda”). Nga viti 1939 deri më 1942, kur u sëmur, shërbeu si kapiten në shërbimin policor mbretëror. Më 1942, filloi botimin e studimeve të tij në revistën «Hylli i Dritës» me titullin «Doke e kanû në Dukagjin», që vijoi në disa numra radhazi, dhe që u ribotua i plotë në Romë më 1944. Qysh prej vitit 1940 ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. U arrestua në Kuvendin e Rubikut, më 22 tetor të vitit 1946, vetëm një ditë pasi ishte kthyer nga Tirana, ku bashkë me disa klerikë të tjerë katolikë ishin thirrur në një takim nga Enver Hoxha. E mbyllën në një nga dhomat e Kuvendit të Françeskanëve, që Sigurimi e kishte kthyer në burg, ku dhe vdiq nga tetanozi, përpara se të gjykohej, më 2 dhjetor 1946, sepse u mbajt lidhur me tela të ndryshkur. Familjarët kërkuan trupin që ta varrosnin, por nuk ua dhanë, dhe eshtrat e tij u gjetën në oborrin e ish-sanatoriumit në Shkodër. Vdiq «in odium fidei» (në urrejtje të fesë). Në vitet 2002-2010, u zhvillua Hetimi Dioqezan i Shkodrës, që mblodhi provat për martirizimin e tij dhe të 37 sivëllezërve meshtarëve e ipeshkëvinjve të tjerë, dhe më 26 prill të vitit 2016, u shpall Martir i Kishës. Gjashtë muaj më vonë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shkodrës u zhvillua kremtimi solemn i Lumnimit të tyre. Katër ditë më vonë (9 nëntor 2016), Presidenti i Republikës i dha dekoratën e lartë të «Flamurit të Kombit».

Vepra: Kângë kreshnikësh dhe legenda (në «Visaret e Kombit», vëllimi II, bashkë me Atë Donat Kurtin, Tiranë 1937, Prishtinë 1996, Shkodër 2007); Mitologjija e gjallë e malevet, në «Shkëndija», Vjeti I, maj-qershuer 1941-XIX, nr. 11-12, f. 3-5; E Djellja e Larit n’Aventin (1942), Doke e kanû në Dukagjin, në «Hylli i dritës», Vjeti XIX, nr. 4-5, f. 188-195; Mite, besime e legenda (1943); Dioçezi i Pultit, në «Hylli i dritës», Vjeti XX, nr. 6-7 (218-219), qershuer-korrik 1944, f. 80-84; Kanuni i maleve (1944), Opere (poezia, Romë 1969).

Source: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2015), 175
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.