Klerik katolik, drejtor i Kolegjës Saverjane dhe i Seminarit Papnor të Shkodrës, drejtor i revistës «Lajmtari i Zemrës së Krishtit». Lindi më 2 dhjetor të vitit 1906, në fshatin Blinisht të Lezhës. Shkollën fillore e kreu në Shkodër. Në moshën 12 vjeçare hyri në Seminar. Më 8 korrik 1926 u pranua në Noviciatin e Jezuitëve në Goricie. Që këtu, në periudhën 1931-1933, kaloi në Kieri, Itali, ku kreu studimet për filozofi. Më 1935, Atë Danjel Dajani S.J. u kthye në Shkodër, ku dha mësimin e latinishtes në Seminar dhe u bë pjesë e Misionit Shëtitës të Jezuitëve. Më 1944 u zgjodh rektor i Kolegjës Saverjane dhe i Seminarit Papnor. U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Giovanni Faustin, nënprovincialin e Shoqërisë «Jezus», si drejtues të «Bashkimit Shqiptar», sado që as ai, as Atë Fausti nuk kishin të bënin fare me organizatën e themeluar nga xhakoni, Mark Çuni. Gjyqi ndaj tij dhe 38 të pandehurve të tjerë të kësaj çështjeje filloi më 31 janar të vitit 1946 në sallën e kinema «Rozafatit». Në aktakuzën e tij, prokurori Arianit Çela, i akuzoi se: «Kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit italian. Me okupimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhëtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj., tj.». Më 22 shkurt, Gjykata e Qarkut të Shkodrës urdhëroi dënimin me vdekje, me pushkatim, të shtatë të arrestuarve. Më 2 mars mbërriti miratimi për ekzekutimin e tyre, firmosur nga vetë Enver Hoxha, dhe dy ditë më vonë, më 4 mars 1946, ata u ekzekutuan në varrezën e Rrmajit në Shkodër.

Source: Markus W. E. Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri: 1919-1996, Qendra Botuese Shoqata Jezuite «Ylber», Tiranë, 2010, 5, f. 283-284; Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë, 2009, I, V, f. 54.
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.