Meshtar françeskan, shkrimtar. Lindi më 28 gusht të vitit 1924, në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5 vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943-1944 bashkëpunoi me revistën
«Hylli i Dritës» dhe u zgjodh sekretar personal i Át Anton Harapit, aso kohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohes që ishte dhjak, Át Antoni e vuri të ndihmote në Arkivin Françeskan. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946,  u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe
se nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Dënim e vuajti në «Burgun e Madh» të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitet 1949-1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si
meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkë
me provincialin, Át Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Tiranë. U lirua më 1989. Një vit më vonë, Natën e Kërshëndellave, filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxorri revistën «Hylli i Dritës». Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë «Rrno vetëm për me tregue», vëllimet «Françeskanët e mëdhenj», «Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo» e «Ut heri diçebamus-siç i thonim dje». Një ndër nismat e tij më me vlerë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhërin «Nderi i Kombit». Po këtë vit iu dha edhe çmimi letrar «Penda e Artë», e akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime «Rrno vetëm për me tregue». Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli në Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Source: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist III (Tiranë: ISKK, 2014), 234.

Zef Pllumi, i biri i Gjetos dhe i Lukes, lindur në Bogë të Koplikut më 1924 dhe banues në Mal të Rencit, me profesion xhakon, ka kryer të tretin kurs Theollogjik, arrestuar më datën 15/X/1946. Dënuar më 8 janar 1948 nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës me 3 vjet burg.
Source: AMB, Dosja hetimore gjyqesore e Frano Gjinit
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.