Publicist, botues, Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, veprimtar i Ballit Kombëtar.

Lindi në vitin 1888, në Gjirokastër. U shkollua në vendlindje dhe në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore «Mülkiye-i-Sehahané» në Stamboll, për Shkenca Politike-Administrative. Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, organizoi dhe udhëhoqi çetat patriotike kundër andartëve grekë në Shqipërinë e Jugut. Më 1915 vajti në SHBA, ku u zgjodh drejtor i gazetës «Dielli» të shoqatës pan-shqiptare «Vatra». Më 1919 u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, më 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, «Shekulli». Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit, u vendos në Bari, ku qëndroi deri më 1939, kur u kthye në Tiranë. Më 1942 u bë anëtar i organizatës Balli Kombëtar. Një vit më vonë u zgjodh Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës (5 nëntor 1943-16 qershor 1944). U arrestua në vitin 1945 dhe, më 13 prill të po atij viti, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me vdekje si «kriminel lufte». U ekzekutua të nesërmen në një hendek te Kodra e Priftit në Tiranë.

Source: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 147.
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.