Dom Mikel | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Dom Mikel |
Fatherhood: | Gjergji |
Birthplace: | Beltojë, Shkodër |
Date of Birth: | 17/4/1935 |
Trial | |
Date of Arrest: | 19/4/1973 |
Charges: | «Agjitacion e propagandë» |
Judgment: | 4 shtator 1973, Gjykata e Rrethit të Shkodrës |
Execution | |
Data Ekzekutimit: | 10/9/1974 |
Klerik katolik.Lindi në fshatin Beltojë të Shkodrës, më 17 prill të vitit 1935 (sipas gjendje civile, më 9 maj 1936). Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes (1948-1951) dhe, vitin e fundit, në Bërdicë. Në Shkollën Pedagogjike të Tiranës bëri shtatë muaj për mësuesi. Më vonë u përgatit privatisht nga ana filozofike e teologjike prej Ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Ernest Çobës [shih]. U shugurua më 8 dhjetor 1961. Po atë muaj u emërua meshtar në Dajç të Bregut të Bunës, ndërsa në nëntor 1964 famullitar në Barbullush. Aty qëndroi deri më 22 shkurt 1967. Pas mbylljes së kishave në mars 1967, u kthye në shtëpi të prindërve dhe filloi punë në kooperativën bujqësore, deri ditën që u arrestua në Beltojë, më 19 prill 1973. U torturua në mënyrë shtazarake. Gjatë hetuesisë dhe gjyqit nuk i kurseu fjalët kundër regjimit dhe diktatorit Enver Hoxha: «Është provuar plotësisht se i lartpërmenduri, vazhdimisht ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor dhe është shprehur kundër udhëheqjes së Partisë dhe të Pushtetit, kundër komunistëve, “të cilët kanë mbyllur kishat dhe kanë persekutuar fetarët e pafajshëm”./I Gjykuari, edhe gjatë gjykimit në sallën e gjyqit, është shprehur me urrejtje të madhe kundër Partisë e Pushtetit. Ai, gjatë qëndrimit në dhomat e izolimit, ka shkruar fjalë armiqësore për minimin e dobësimin e Pushtetit Popullor e fjalët i ka shkruar edhe në muret e burgut./ Klerikët armiq, ai është munduar t’i quajë viktima të ateizmit. “Do të vijë një ditë, ka deklaruar ai, që komunistët do të japin llogari për krimet që kanë kryer në popull, duke e çuar atë në errësirë dhe duke e privuar nga të gjitha të drejtat!”» Për këto arsye, më 4 shtator 1973, Gjykata e Rrethit të Shkodrës, e dënoi «me vdekje pushkatim, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe heqjen e të drjtës së zgjedhjeve për pesë vjet». Më 10 shkurt 1974 e tërhoqën për gjymtyrësh deri sa e shqyen dhe, ashtu të vdekur, në fund e pushkatuan. Trupi i tij u dërgua në morgun e studentëve të Fakultetit të Mjeksisë në Tiranë.