Lindi më 1884, në fshatin Sllovë të Dibrës. Rridhte nga një familje e madhe dhe fisnike, djali i patriotit Elez Isufi. Luftoi në mbrojtje të trojeve shqiptare nga serbët në periudhën e Pavarësisë. Bëri qëndresë të armatosur ndaj pushtimit fashist në periudhën 1941-1943. Me largimin e Italisë, u zgjodh komandant i shtabit të përbashkët operativ, të dalë nga marrëveshja e nacionalistëve me komunistët në Dibër, por komunistët e denoncuan marrëveshjen, siç kishin bërë më herët me Mukjen. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, ai bëri qëndresë të armatosur në male për dy vjet, pastaj u largua në Jugosllavi. Aty u arrestua, u torturua në mënyrë çnjerëzore dhe u mbyt më 9 maj të vitit 1949. Komunistët shqiptarë u hakmorrën ndaj familjes Ndreu. Bilanci i persekutimit të familjes është: 6 antarë të vrarë e të pushkatuar; 20 të burgosur politikisht me dhjetë vjet e lart; 55 familje të internuara në kampet e Tepelenës, Lubonjës, Shtyllasit, Gradishtës etj., që prej vitit 1945 e deri më 1991; 12 djem të larguar nga Shqipëria. Vetë Cen Elezi kishte 18 djem dhe 6 vajza. Regjimi komunist u shkatërroi shtëpitë dhe u sekuestroi pasurinë.

Source: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2016), 53
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.