Djali i Lutfiut dhe Ismianit. Familjet e tyre u internuan në vitin 1956, pas arratisjes së të atit dhe xhaxhait.
Ai ishte vetëm 8 vjeç kur e lidhnin me litar dhe e fusnin në pus për të grumbulluar sado pak ujë për familjen, pasi sektori bujqësor, ku ishin internuar, vuante nga thatësira. Mungesa e ujit, solli përhapjen e epidemive, nga të cilat humbën jetën gjyshja dhe vajza e xhaxhait, Afërdita, vetëm 4 vjeçe.
Pas 5 vitesh në "NB 29 Nëntori", internohen në kooperativën e Kryekuqit. Në vitin 1963, familjen e Engjëllit e transferojnë në Grabjan të Lushnjës. Në 1983, Engjëlli dhe djali i tij i xhaxhait, Ideal Cani, organizojnë arratisjen duke kaluar kufirin bashkë me familjet. Ishte një arratisje e bujshme sepse ishin larguar 10 veta në një kohë kur kufijtë e Shqipërisë ishin të rrethuar me tela.