Ernest Çoba | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Ernest Çoba |
Birthplace: | Laç ,Vaut Dejë |
Date of Birth: | 16/2/1913 |
Trial | |
Date of Arrest: | 29/4/1976 |
Charges: | «Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor» |
Sentencing: | 25 vjet Prison |
Judgment: | 29 prill 1977, Gjykata e Rrethit të Shkodrës, |
Klerik i lartë katolik, Provikar i Arkidioqezës së Shkodrës (1946-1952), Ipeshkëv titullar i Midaeumit (21 janar 1952), Sekretari i Përgjithshëm i «Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë» (1952-1956), Kryetar i «Kishës Katolike të Shqipërisë» (9 nëntor 1956-21 mars 1957 Lindi më 16 shkurt të vitit 1913, në Laç të Vaut të Dejës, ku familja e tij, një prej më të vjetrave të Shkodrës, ishte vendosur në kohën e rrethimit të qytetit nga malazezët. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Kolegjin Saverian e në Seminarin Papnor në Shkodër. Kreu studimet e larta për teologji e filozofi. Më 9 shkurt të vitit 1936 u shugurua meshtar nga delegati apostolik dhe administratori i Arkidioqezës së Shkodrës, Imzot Giovani della Pietra S. J, dhe pas dy ditësh çoi meshën e parë. Shërbeu në detyra të ndryshme pranë Seminarit Papnor e si mësues i besimit ndër shkolla të qytetit (1938-1946). Më 19 mars 1936 u zgjodh ndihmës famullitar i Shkodrës. Në vitet ’46-’52 është provikar i Arkidioqezës së Shkodrës dhe famullitar i qytetit. Pas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, arrestimit të Dom Mikel Koliqit dhe vdekjes së Dom Tomë Lacës, i ngarkohen të gjitha detyrat e shërbimit në Kishën Katedrale të Shkodrës. Më 21 janar 1952 u emërua Ipeshkëv titullar i Midaeumit: u shugurua më 20 prill të po atij viti nga Ipeshkvi i Pultit dhe «Kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë», Imzot Bernardin Shllaku O.F.M. Që prej kësaj kohe e deri më 9 nëntor 1956, kur vdiq Imzot Shllaku, kreu detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të «Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë», kurse nga 9 nëntori 1956 deri më 21 mars 1957 atë të «Kryetarit» të saj. Gjatë kësaj kohe, me ndihmën e të motrës, mbajti marrëdhënie të fshehta me Selinë e Shenjtë nëpërmjet Legatës italiane në Tiranë. Sa herë që e motra shkonte në Legatë për të marrë pensionin e të shoqit italian, dorëzonte edhe materialet e Imzotit të shkruara në letra cigaresh. Për këtë arsye u arrestua më 29 prill të vitit 1976. Plot një vit më vonë, më 29 prill 1977, Gjykata e Rrethit të Shkodrës, me akuzën «tradhëti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor», e dënoi «me 25 vjet të heqjes së lirisë, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.» Dënimin e vuajti në burgun e Tiranës, ku vdiq në mënyrë të mistershme, pas një injeksioni që iu bë në spitalin e burgut më 8 janar të vitit 1980. Me rënien e Komunizmit, eshtrat e tij u rivarrosën në Katedralen e Shkodrës, me ç’rast u celebrua dhe një meshë nga Nunci Apostolik, Imzot Ivan Diazi dhe Imzot Zef Simoni.