Gjergj Komino | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Gjergj Komino |
Birthplace: | Përmet |
Date of Birth: | 1919 |
Trial | |
Date of Arrest: | 1957 |
Charges: | “Agjitacion dhe propagandë” |
Release Date: | 1970 |
Gjergj Komino ka lindur në Përmet 1919. Mbaroi studimet për Letërsi dhe punoi si profesor në shkollat e mesme.
Arrestohet ne vitin 1957 dhe dënohet me vdekje, por më vonë ia kthejnë në 25 vjet burg.
Akuza: agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1970.
Dëshmia e Nevruz Golkës për en.kujto.al:
"Në Spaç, jeta e komunitetit ishte relativisht e mirë, ne fëmijët na përkrahën. Atje kishte dhe njerëz të shkolluar dhe ne mësonim prej tyre.Mbaj mend që atje ishte Gjergj Komino, një gjirokastrit, njohës i mirë i gjuhëve të huaja, i cili mbante një libër “Enciklopedia italiane” dhe e lexonte në oborrin e burgut, kurse ne shikonim atë kur shfletonte. Na lejonte, por ngaqë ishim shumë veta, ai na thoshte; “Ju lutem, mos ma zini diellin, mos ma ndaloni atë që ma jep Zoti”. Në këtë moment, ndodhi diçka vërtet e çuditshme. Në burg, vjen Mehmet Shehu në orarin tonë të ajrimit. Ai ka qenë vërtet një njeri i papërgjegjshëm. Ata që e njihnin, u ngritën në këmbë dhe u habitën, pasi ai ishte vetëm, dhe iu afrua Gjergj Kominos, duke i thirruar;- “Profesor!”. Ai ngriti kokën dhe i tha; -“Paska ardhur kryeministri. Pse je lodhur?” Mehmet Shehu i thotë; - “Dua të të bëj një pyetje, ma shpjego pak luftën e klasave?” Dhe Komino ja shpjegon: “Ju keni marrë një shishe dhe në të keni hedhur uthull dhe vaj, dhe detyrimisht që vaji do qëndrojë sipër, ndërsa uthulla poshtë, janë ligjet e natyrës. Ju e mbani gjithmonë atë shishen të tundur, që të përzihet vaji me uthullin dhe të mos dallohet kush është vaji dhe kush është uthulla, pra kush është njeriu i mençur dhe ai krimineli. Aman mos harroni se vetëm një moment po nuk e tundët atë shishe, vaji do të qëndrojë gjithmonë lart”. Mehmet Shehu nga kjo përgjigje, u revoltua shumë, duke e ofenduar në mënyrën më vulgare."