Përkthyes.

Lindi në Shkodër më 1915, në një familje të njohur intelektuale dhe patriote. Më 1937 diplomohet në Universitetin e Padovës në degën letërsi-filozofi. E mbron laurën me studimin mbi gjuhën e Cuneus Profetarum (Çeta e profetëve) të Pjetër Bogdanit, me vlerësimin më të lartë «Summa cum laude». I kthyer në Shqipëri, emërohet profesor letërsie e gjuhësie deri më 1939. Më 1942 themelon e boton revistën «Balli i Kombit» që e drejton deri më 1943-një revistë për rininë shqiptare me përmbajtje të zgjedhur e frymë kombëtare. Në dhjetor 1944 arrestohet e dënohet me pesë vjet burg me punë të rëndë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për aq kohë «për krime kundër shtetit». Lirohet më 1950 dhe dërgohet në guroren e malit Tarabosh. Më 1954 arrestohet e burgoset në kampin e Shtyllasit, bashkë me 50 intelektualë të tjerë shkodranë. Prej këtu izolohet në kampin e Kuçit të Vlorës. Këtu nisi përkthimin e poemës epiko-heroike L’Orlando furioso të Lodovico Ariostos. Në kushte të pamundshme e me mungesa të mëdha, pas 17 vjet punë të pandarë, arriti ta përkthejë shqip këtë kryevepër të letërsisë italiane prej 40 000 vargjesh. E kaloi thuajse gjithë jetën ndër burgje e kampe internimi. Më 1990 shkoi në Itali, i sëmurë dhe i sfilitur nga vuajtjet e rënda. Vdiq në vitin 1994, në Peruxhia. Vepra: Lodovico Ariosto, Orlandi i çmendun, ISKK, Tiranë, 2013.

 

 

 

Source: AISKK, F.1, V.2013, D.5/1, Fl.170.
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.