Jakov Milaj | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Jakov Milaj |
Birthplace: | Fier |
Residence: | Fier |
Date of Birth: | 25/3/1911 |
Profession: | Veteriner |
Date of Death: | 2/1/1997 |
Trial | |
Date of Arrest: | 1945 |
Sentencing: | 15 vjet Prison |
Veteriner, publicist, antropolog, Ministrër i Bujqësisë dhe Pyjeve në Qeverinë e Maliq Bushatit (12 shkurt-12 prill 1943).Lindi në Shkozë të Fierit, më 25 mars të vitit 1911. U shkollua ne Gjimnazin e Shkodrës. Për një kohë të gjatë punoi si mësues në qytetin e tij të lindjes, pastaj si sekretar komune në nënprefekturën e Kolonjës dhe si redaktor në organe të ndryshme të shtypit të Tiranës. Më 1934 iu dha e drejta e studimit për veterinari në Universitetin e Torinos. Më 1935 i ndërpreu përkohësisht studimet dhe u kthye në vendlindje, ku mori pjesë në Kryengritjen e Fierit. Pas dështimit të kryengritjes, u dënua me burgim te përjetshëm, por më vonë u fal dhe u kthye në Torino për të mbaruar studimet. Pas diplomimit, në 17 korrik të vitit 1939 u kthye në Shqipëri dhe nisi punën si Shef Laboratori në Durrës e pastaj në Korçë. Në nëntor të vitit 1939 u rikthye në Fier dhe themeloi shërbimin veterinari të kësaj Nënprefekture. Nga 12 shkurti deri me 12 prill të vitit 1943 ushtroi funksionin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Pyjeve në Qeverinë e Maliq Bushatit [shih]. U arrestua në vitin 1945 dhe u dënua me 15 vjet burgim si kolaboracionist. Pas 6 vjetësh privim lirie, nga të cilat 3 në kamp pune, si ai në Kamëz dhe Xhafzotaj, u lirua duke përfituar nga amnistitë. Por pas lirimit, u internua me gjithë familjen, fillimisht në Llakatund të Vlorës e, më pas, në fshatin Shtyllas të Fierit (3 korrik 1954-6 gusht 1956). Në vitin 1956 lejohet të vendoset në Fier, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Po këtë vit nisi të punojë në Ndërmarjen Bujqësore «Çlirim» në Fier ku punoi thuajse për një dekadë. Pastaj, për njohuritë e tij gjuhësore-historike, e bënë punonjës-bashkëpunëtor të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë në Tiranë. Vdiq më 2 janar të vitit 1997, në moshën 85 vjeçare dhe u varros në varrezat e Fierit.