Mehmet Xhelili | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Mehmet Xhelili |
Fatherhood: | Feim |
Residence: | Delvine |
Mehmeti u pushkatua së bashku me shtatë ballistë të tjerë dhe një partizan që refuzoi të qëllonte mbi ta. Mehmetit i lidhën këmbët dhe e qëlluan me mitraloz nga gjunjët e poshtë. Plumbat ia bënë shosh gjymtyrët. Nga dhembjet dhe gjakrrjedhja dha shpirt pas një ore torture dhe vuajtjeje. Por partizanët nuk u mjaftuan me kaq. Mblodhën të gjitha librat, revistat, gazetat, albumet dhe dokumentet e shumta të bibliotekës së tij të pasur dhe u vunë flakën në oborrin e shtëpisë së tij
Kjo është një ngjarje tragjike që ka ndodhur nga fundi i verës së vitit 1944, kohë kur Luftës po i vinte fundi dhe krimet komuniste kundër nacionalistëve, kryesisht atyre të shkolluar në Perëndim, po intensifikoheshin, duke paralajmëruar njëherazi furtunën e murtajës së kuqe që po afrohej në vendin tonë nga Lindja dhe do të sundonte jetën shqiptare me terror dhe diktaturë për mbi gjysmë shekulli. Një nga këto krime të paskrupullta është edhe pushkatimi i 8 ballistëve dhe një partizani në urën e Dragotit atë fund vere të 1944-ës. Por për këtë ngjarje heshtet. Përveç rrëfimeve gojore të dëshmitarëve okularë të ngjarjes e vetmja gjurmë e shkruar që dokumenton këtë ngjarje kriminale janë pak rreshta në librin “Të vërteta mbi Ballin Kombëtar, Bazuar në dokumentE” të Muharem Xhaferit, fragment, të cilin po e citojmë më poshtë për të krijuar një ide rreth tragjedisë së Gërhotit: “Çetat e Ballit Kombëtar vazhdimisht në aksin e rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë-Përmet po kryenin aksione kundër gjermanëve. Një nga pikat më nervalgjike që lidhte këto treva ishte Ura e Dragotit në Tepelenë. Mbi këtë urë mund të kalonin ushtritë gjermane gjatë tërheqjes. Mbi bazën e disa të dhënave ballistët morën masa për ta mbrojtur këtë urë. Jo vetëm për mos t’u prishur, por edhe për mos të lënë që këtej të kalonte ushtria gjermane. Në një nga këto ditë mbërriti edhe batalioni partizan “Asim Zeneli”. Në mënyrë tepër vëllazërore bisedojnë me mbrojtësit e urës duke u thënë që t’i zëvendësonin nacionalistët për aq kohë sa atyre u duhej për të marrë pak veten. Si gjithmonë me të pabesë, me të dalë ballistët nga bunkeri, partizanët hidhen mbi ta dhe i lidhin duke i vënë para një mitralozi për t’i pushkatuar. Mitraljeri partizan, duke qenë nga ato anë, refuzoi të vriste njerëzit e tij. Atëherë e lidhin edhe atë dhe e pushkatojnë së bashku me nacionalistët. Kjo tragjedi që u krye brenda pak minutave u mori jetën 8 ballistëve dhe një partizani të ndershëm, i cili kish dalë partizan për të luftuar okupatorin dhe jo të vriste vëllezërit e tij.” ( faqe 174) “-Ky fakt i mjegullt vjen në faqet e librit të sipërcituar. Por historia tronditëse kaloi gojë më gojë nga dëshmitarët okularë tek të afërmit e të vrarëve për të ardhur pas kaq vitesh ekskluzivisht në faqet e gazetës “Telegraf”. Një prej të pushkatuarve qe edhe Mehmet Feim Xhelili nga fshati Kopaçez i krahinës së Rrëzomës në Bashkinë e Delvinës. Rrëfimet mbi tragjedinë i sjell nipi i tij, Ylli Xhelili, ashtu si i ka dëgjuar; të thjeshta , të qarta , pa mllef e urrejtje, por tepër origjinale duke ja lëmuar gjykimin vet lexuesit dhe shoqërisë mbi ato ngjarje fatzezë për kombin shqiptar.
Mehmet Xhelili lindi në fshatin Kopaçez, më 1916 dhe u vra në 1944 në Grehot të Tepelenës. Kopaçeza qe një fshat që përqafoi të dy formacionet politiko-ushtarake të kohës; Partinë Komuniste dhe Ballin Kombëtar. Por rreshtimi i shumë fshatarëve në radhët e Ballit Kombëtar i kushtoi këtij fshati 13 të pushkatuar dhe shumë të burgosur e të internuar, ashtu si edhe familja Xhelili. Mehmeti lexonte, studionte dhe mësonte shumë. Qe tip i qetë dhe i heshtur. Kështu përfitoi studimet në shkollën e Harri Fullcit në Kavajë, dega agronomi së cilës do t’i përkushtohej me të gjitha forcat dhe ëndrrat e tij për të ardhmen sa arriti të ngrejë një fermë pemëtarie në fshatin e tij me fidanë të varieteteve të ndryshme të sjella nga Italia dhe Greqia të përshtatshme për klimën mesdhetare. Por ëndrrat iu prenë në mes nga ajo që do mësojmë më poshtë. Në shkollë njohu dhe lidhi shoqëri edhe me Mehmet Shehun, i cili qe student në atë shkollë, por në degën e Tiranës. Njohja erdhi si rezultat se Harri Fullci duke parë ecurinë e shkëlqyeshme në mësime dhe sjellje e mori Memetin si shoqërues personal të tij ku kryente inspektimet. Gjatë dy vjetëve si shoqërues i drejtorit Fullc njohu shumë studentë dhe mes tyre edhe Memet Shehun, por lufta i ndau në formacione politike me ide të ndryshme. Pasi qëndroi dy vjet shoqërues personal i drejtorit Harri Fullc, shkollës po i vinte fundi dhe studimet i mbaroi shkëlqyeshëm. Kjo detyroi qeverinë shqiptare të kohës ta vlerësonte inteligjencën e Memetit dhe, megjithëse në moshë shumë të re, ta emërojë nën/prefekt në Shkodër. Në këtë detyrë qëndroi shumë pak për shkak të fillimit të Luftës dhe të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, gjë të cilën Mehmeti nuk e kapërdiu dot. U kthye në fshat dhe u mor me pemëtari dhe vetëm studionte pa komunikuar me askënd. Me ashpërsimin e Luftës dhe daljes së Ballit Kombëtar në front të armatosur, aktivizohet në këtë formacion ku zgjidhet edhe sekretar organizativ i qarkut të Gjirokastrës. Kjo detyrë dhe besimi tek nacionalizmi e bëri të shkonte fshat më fshat dhe të organizonte Ballin Kombëtar për t’i bërë të njohur fshatarësisë platformën politike dhe qëllimin e Ballit. Në këto përpjekje organizative mbahet mend edhe debati i ashpër me Memo Meton në fshatin Kuç të Labërisë nga ku ishte edhe vetë Memo. Mehmeti kish arritur të bindte fshatarët e Kuçit dhe të kthente gjysmën e fshatit me Ballin Kombëtar. Memo Meto dhe partizanët i bënë benë, se po e zunë, dënimin e ka marrë me pushkatim. Dhe momenti erdhi. Betimi do të mbahej gjatë dhe i ashpër nga partizanët. E kapën në Dragot të Tepelenës, ku nuk dihet saktë se qe pjesë e luftëtarëve ballistë që ruanin urën apo së bashku me Dervish Rexhepin po arratiseshin, Dervish Rexhepi mundi të shpëtonte dhe të arratisej në USA ku vijoi aktivitetin fetar dhe atdhetar. Memeti u pushkatua së bashku me shtatë ballistë të tjerë dhe një partizan që refuzoi të qëllonte mbi ta. Memetit i lidhën këmbët dhe e qëlluan me mitraloz nga gjunjët e poshtë. Plumbat ia bënë shosh gjymtyrët. Nga dhembjet dhe gjakrrjedhja dha shpirt pas një ore torture dhe vuajtjeje. Por partizanët nuk u mjaftuan me kaq. Mblodhën të gjitha librat, revistat, gazetat, albumet dhe dokumentet e shumta të bibliotekës së tij të pasur dhe u vunë flakën në oborrin e shtëpisë së tij në Kopaçez. Kështu e mbylli jetën e tij të re Mehmeti, por a do të mbaronte këtu hakmarrja ndaj tij? Pas tre muajsh nga pushkatimi i tij, forcat partizane shkuan në Kopaçez, rrethojnë banesën duke arrestuar të atin dhe krushkun e shtëpisë. Rrugës, në hyrje të fshatit Vergo, tek vendi i quajtur “zalli”, të dy, të atin Feim Xhelilin dhe krushkun Nazif Qendron që rastësisht u ndodh në shtëpi të Feimit, i vrasin me një plumb pas veshit dhe i lenë aty. Në mëngjes i gjetën fshatarët të shtrirë të dy të vdekur nga plumbi pas veshit. Egërsia kish hedhur rrënjë tek truri i pashpirt i këtyre kanibalëve të yllit të kuq komunist. Por edhe më do të vijonin persekutimet ndaj kësaj familjeje patriote dhe të pafajshme. Vëllai i Mehmetit, Goxho Xhelili, mundi ta shpëtonte kokën me këmbët e tij. Duke ndjerë rrezikun që i kanosej në 1946-n arratiset në Gjermani ku jetoi 54 vjet. Po risku i pamëshirshëm i mbeti vëllait tjetër, Xhaferr Xhelilit. Mbi të do të binte e gjithë pesha e persekucionit. E arrestojnë dhe e burgosin në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, burg për të cilin tregon se tortura më e madhe qe buka dhe gjella me shumë kripë. Xhaferri tregon se pas vuajtjes së dënimit në Kalanë e Gjirokastrës filloi etapa e internimeve. Fillimisht, në kampin e Tiranës ku i griu morri i verdhë dhe më pas tek kampi i Krujës ku i detyronin të punonin gjithë ditën si hamej vetëm për copën e bukës. Fotografia e Memetit, i vetmi dokument i mbetur i tij, u ruajt në mënyrën më të fshehtë nga Xhaferi për 46 vjet dhe vetëm në 1991-shin ua tregoi fëmijëve të cilën Ylli, djali i Xhaferrit, e bën publike për herë të parë për gazetën “Telegraf”. Ky qe kalvari i vuajtjeve, torturave, pushkatimeve, burgosjeve dhe internimeve të kësaj familjeje patriote mes mijëra familjeve të tjera që fati i degdisi nëpër plumba dhe burgje komuniste pa pasur asnjë faj./ Agron Mema/Gazeta Telegraf - 11 Qershor, 2019