Melami Agolli ka qenë 5 vjeç kur ka mbërrit në kampin e Tepelenës. Ai u internua bashkë me familjen nga Peshkopia. Në këtë kamp, kaloi 5 vite të fëmijërisë dhe kreu dhe klasën e parë, kurse sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kam ardhur me nënën dhe dy motrat dhe kemi qëndruar 5 vjet këtu. Këtu kam bërë klasën e parë dhe dilnim tek dera, ku ishte komanda e policisë. Ne kishim një racion buke 400 gramë dhe ujë me krimba që nuk futej në bark. Sa fëmijë kanë vdekur këtu... Dhe unë isha gati për të vdekur. Më ka shpëtuar një grua që kishte me vete një penicilinë amerikane që s’di si e kish siguruar. Më bënë atë gjilpërën dhe shpëtova, se këtu ra tifoja dhe vdiqën fëmijët.

Edhe kampet e Hitlerit nuk kanë qenë kështu, se nuk kishte fëmijë e pleq të vjetër. Kishte burra e gra. Këtu ishte më keq se kampet e Hitlerit. Familjen time e internuan, se babai ishte nacionalist. Në vitit 1944 u dorëzua ai si shumë të tjerë, e dërguan në Jugosllavi dhe e dënuan jugosllavët se Enver Hoxha komandohej nga Tito. Në vitit 1949, kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, babain e liruan atje, kurse ne na internuan nga fshati Kërçisht i Peshkopinë, këtu në Tepelenë.

Është hera e parë që vij.

Kam një nostalgji dhe jam shumë i impresinuar se isha fëmijë dhe bridhnim këtu e loznim me topa lecke. Kujtoj aty ishin tualetet dhe atje ishte kuzhina ku merrnim një ujë me tas që nuk futej në gojë, shumica jetonim me gorica këtu, se s'kishim si të mbijetonim. Ata që mbijetuan, se shumica vdiqën. I mbaj mend shokët e fëmijërisë, Sokol, Zef e Simon Mirakajn, e të tjerë, se i kisha në klasë, shkonim në shkollë bashkë. Kur ktheheshim nga shkolla, atje në rrugë ishte një lenë, nga ato që as derri se hante. Po ne i binim me gurë dhe i rrëzonim e i hanim se na grinte uria”./ 23 gusht 2019/ en.kujto.al

Source: en.kujto.al
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.