Veprimtar politik, gjuhëtar, përkthyes, publicist, Ministër i Postë-Telegrafit, delegat në Konferencën e Paqes, prefekt i Shkodrës, Senator i Mbretërisë, Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare, Kryeministër i Shqipërisë.Lindi më 15 mars të vitit 1887, në Krujë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin turk në Janinë. Më 1910 u diplomua në shkencat politike e administrative në Mylkijen e Stambollit. U kthye në Shqipëri më 1911 dhe nuk pranoi të kryejë stazhin për vali që i rekomandonte titulli i studimit, por u emërua mësues i matematikës dhe gjuhës turke në gjimnazin e Durrësit. Më 1912, është një nga organizatorët e kryengritjes kundër Turqisë, në të cilën mori pjesë si sekretar organizativ për Shqipërinë Qendrore e Veriore. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Krujë dhe në lumin Mat. Delegat i Krujës në Kongresin e Vlorës ku u zgjodh antar i Pleqësisë, Zv. Prefekt dhe sekretar i parë i Kryesisë së Këshillit Ministror. Në Qeverinë e Princ Ëiedit, u zgjodh këshilltar në Ministrinë e Arsimit. Më 1915 u arrestua nga Esat Pashë Toptani dhe u dënua me vdekje, iu fal jeta, por iu dorëzua italianëve, që e burgosën në Sicili. Me ndërhyrjen e miqve, u lirua më 1917 dhe u vendos në Romë, ku punoi si kryeredaktor i gazetës «Kuvendi», që drejtohej nga miku i tij Sotir Gjika, deri në fund të vitit 1918. Në dhjetor të po këtij viti,u kthye në atdhe. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh Ministër i Postë-Telegrafit dhe delegat në Konferencën e Paqes, në cilësinë e sekretarit të Dërgatës. Më 1922, mori pjesë në lëvizjen antizogiste të marsit 1922, bashkë me Bajram Currin, Zija Dibrën, Elez Isufin etj. Pas dështimit të lëvizjes, u arratis në Jugosllavi, në Gornji Milanovac të Shumadisë, ku përktheu veprën e ish kryeministrit serb, Dr. Vladan Gjorgjeviqit, «Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha». Është shumë aktiv në shtypin e kohës. Shkruan artikuj në gazetën e drejtuar nga Dom Mark Vasa «Mbrojtja Kombëtare», Vlonë; «Populli», Shkodër; «Corriere delle Puglie», Bari; «Kuvendi», Romë; «Shqipëria e Re», Konstancë, Rumani; «L’Albanie Libre» të BKI, Romë, 1948-1956. Më 1924, në Qeverinë e Nolit, u emërua prefekt në Shkodër. Qëndroi për 15 vjet në mërgim, kryesisht në Zarë të Kroacisë, nga ku botoi artikuj politikë në «Liria Kombëtare» të Gjenevës, «Shqipëria e re» të Konstancës dhe studime në «Hylli i Dritës» dhe «LEKA». Në qershor 1939, u zgjodh Senator i Mbretërisë dhe këshilltar pranë Mëkambësisë së Përgjithëshme. Një vit më vonë, u zgjodh Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1941, pas themelimit të PKSH-së, pranon propozimin e Mëkambësit të Mbretit, Jakomonit, dhe u emërua Kryeministër i Shqipërisë së bashkuar. Dha dorëheqjen më 3 janar 1943, për shkak të mosmarrëveshjeve me everinë italiane në lidhje me vrasjen e komisarit qeveritar për Vlorën, Qazim Koculit. Në gusht të 1944-s u largua nga Shqipëria në drejtim të Vjenës, ku u thirr nga mjekët që kishin në kurim djalin e vogël 19 vjeçar, Besimin, që vdiq në 11 nëntor të po atij viti. Mes viteve 1945-1948 u vendos, së pari në Ortisei (Friuli) e, më vonë, në Bologna të Italisë. Nga viti 1948 e deri më 1955 jetoi në në Ramleh, në Aleksandri të Egjiptit. Në gusht të 1955 arriti në Cannes të Francës. Një vit më vonë, në gusht 1956, emigroi pranë të birit, Bashkimit, në Niagara Falls, SHBA. Vdiq më 28 dhjetor 1958, në Niagara Falls, SHBA

Source: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), 302
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.