Pjetër Arbnori | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Pjetër Arbnori |
Birthplace: | Durrës |
Date of Birth: | 18/1/1935 |
Profession: | Shkrimtar |
Trial | |
Date of Arrest: | 27/5/1961 |
Charges: | «Agjitacion e propagandë» |
Sentencing: | 28 vjet Prison |
Judgment: | 8 gusht të vitit 1962, në ndërtesën e Gjykatës së Rrethit të Tiranës |
Shkrimtar, përkthyes, veprimtar politik, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (6 prilli 1992-24 korrik 1997). Lindi në Durrës, më 18 janar të vitit 1935. Mbaroi në dy vjet e gjysëm studimet në Fakultetin e Filologjisë. U arrestua më 27 maj të vitit 1961 përpara Degës së Sigurimit në Durrës. Gjyqi kundër grupit socialdemokrat, ku bënte pjesë dhe Arbnori, filloi më 8 gusht të vitit 1962, në ndërtesën e Gjykatës së Rrethit të Tiranës. Në ditën e katërt të gjyqit, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje me pushkatim. Vendimin e Gjykatës Ushtarake të Tiranës e la në fuqi edhe Gjykata e Lartë. Pas 64 ditësh në «dhomën e vdekjes», siç quhej qelia ku mbaheshin të dënuarit me vdekje, më 13 tetor 1962, iu komunikua falja e jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, dhe dënimi përfundimtar me 25 vjet heqje lirie. Si pasojë e aktivitetit të tij në burg, iu shtua dënimi edhe me dhjetë vjet të tjerë për agjitacion e propagandë. U lirua në gusht të vitit 1989, pas më shumë se 28 vjetësh burg. Pesë muaj pas lirimit, më 14 janar 1990, mori pjesë në demonstratën antikomuniste të Shkodrës që rrëzoi shtatoren e Stalinit. Fill pas kësaj, u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike për Shkodrën. Në zgjedhjet e para pluraliste u zgjodh deputet. Kreu për dy mandate detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë (6 prilli 1992-24 korrik 1997). Ishte «Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës» të Asamblesë së vendeve frëngjishtfolëse. Është përfshirë në fjalorin «Who’s Who» të intelektualëve, të hartuar nga Insituti Biografik i Kembrixhit, dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar. Vdiq më 8 korrik të vitit 2006 në Napoli. Pak pas vdekjes, emri i tij iu vu njërit prej institucioneve kryesore kulturore shqiptare, Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, e cila që prej 25 majit të vitit 2007 jep çmimin letrar «Pjetër Arbnori». Më 28 tetor 2011, Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhërin «Nderi i Kombit» (Pas vdekjes) me motivacionin: «Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar».