Prengë Kaçinari | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Prengë Kaçinari |
Fatherhood: | Vlash |
Birthplace: | Mitrovicë |
Date of Birth: | 1910 |
Date of Death: | 3/11/1956 |
Place Death: | Tiranë |
Trial | |
Date of Arrest: | 13/9/1947 |
Sentencing: | privim lirie përjetë Prison |
Judgment: | “kanë qenë anëtarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore dhe anëtarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë” |
Judge: | Gjykata Ushtarake e Durrësit |
U lind në vitin 1910, në Mitrovicë. Pas shkollimit fillor në Kosovë, kreu Liceun e Korçës. Me të përfunduar Liceun, në vitin 1931, filloi studimet e larta për filozofi në Lion të Francës. Pas kryerjes së studimeve, u emërua në Liceun e Shkodrës. Gjatë pushtimit italian u rreshtua në anën e intelektualëve antifashistë që e kundërshtuan pushtimin. Ishte një nga organizatorët e demonstratave të 28 nëntorit 1939 dhe të janarit 1940, bashkë me disa profesorë të tjerë, si Safet Butka, Tahir Shkreli etj. Në fillim të vitit 1943 u takua me Mithat Frashërin dhe u zgjodh në strukturat drejtuese të Ballit Kombëtar për qytetin e Shkodrës. Pas vitit 1944, nuk u angazhua më në politikë. Me të mbaruar lufta, e vazhdoi për pak kohë punën në Liceun e Shkodrës dhe e përfundoi aty vitin shkollor 1945-1946. Vitin tjetër u transferua në Liceun e Korçës dhe, pas pak muajsh, në Liceun e Durrësit. Pa kaluar shumë kohë, u arrestua. Në shkresën nr. 58, datë 13 shtator 1947, drejtuar Drejtorisë së Liceut të Durrësit, Ministria e Arsimit njofton se zoti Prengë Kaçinari, profesor në atë Lice, pushohet nga puna sepse është arrestuar. Më 24 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit me vendimin nr. 704, bashkë me Arshi Pipën, Hysen Ballhysën e Pashko Gjeçin, i deklaroi fajtorë se “kanë qenë anëtarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore dhe anëtarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë” dhe e dënoi me privim lirie përjetë, me konfiskim të pasurisë së tij të luajtshme dhe të paluajtshme dhe me humbjen e të drejtave civile dhe politike për tre vjet kohë. Gjykata e Lartë me vendimin nr. 96, datë 29 shkurt 1948, ia zbriti dënimin në 20 vjet privim lirie. Meqë ishte mjaft i sëmurë, u la i lirë më 28 prill 1949 dhe u emërua në Kavajë. Vrau veten më 3 nëntor të vitit 1956, në Tiranë. Pas rënies së regjimit komunist iu dhanë titujt e nderit “Mësues i Popullit” dhe “Martir i demokracisë”.
Msc. Nikollë Loka, Prengë Kaçinari, dritë mbi jetën e edukatorit të kombit, “Dielli”, 27 tetor 2013; Fondi 1, viti 2014, dosja 14, fl. 74-75