Ramadan Sokoli | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Ramadan Sokoli |
Fatherhood: | Jusuf |
Birthplace: | Shkodër |
Residence: | Tirane3 |
Date of Birth: | 14/6/1920 |
Profession: | Muzikant, kompozitor |
Date of Death: | 12/3/2008 |
The Reason of Death: | Vdekje natyrore |
Circumstances of Death: | I Lire |
Ramadan Sokoli qe muzikant, kompozitor, shkrimtar dhe etnomuzikologu i parë shqiptar. Çmohet si njëri prej studiuesve më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike. U lind në Shkodër në lagjen Dërgut, i biri i Jusufit dhe Aishe Jukës. I ati ishte përkthyes në konsullatën jugosllave në qytet që nga 1920 deri së paku më 1936. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitet 1927-‘31 dhe që në klasën e dytë mësoi notat e muzikës duke luajtur në disa vegla muzikore. Shkollën e mesme e mbaroi në gjimnazin e shtetit në vitet 1931-‘39 po në atë qytet. Qysh në moshë të re, bënte pjesë në Bandën Frymore të Qytetit të Shkodrës, që për kohën ishte e famshme. Rreth moshës 16 - 17 vjeçare, filloi të kompozojë. Bëri disa këngë që më pas, do të këndoheshin nëpër koncerte apo në Radio Tirana si pa autor, deri sa një ditë u quajtën, këngë popullore, ku dhe sot vazhdojnë të njihen si të tilla.[2]
Pas pushtimit italian të Shqipërisë, raportohet ndër pjesëmarrësit e demonstratës së parë antifashiste me studentë dhe konviktorë të Shkodrës me flamurin shqiptar pa sëpatën e liktorit. Regjimi fashist ia internoi të atin në Itali, ku Ramadani shkonte ta shihte shpesh.[2]
Pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të larta, ai fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin "Luigi Cherubini" në Firence për Flaut e Kompozicion.
Për shkak të luftës, në vitin 1944, Ramadani i ndërpreu studimet në atë konservator dhe u kthye në qytetin e tij të lindjes. Vëllai i tij i madh, Brahimi, u arrestua që në fillim si eksponent i Lëvizjes së Legalitetit në qytet. Pas ngjarjeve të Kryengritjes së Postribës, u arrestua edhe Ramadani me të atin, të dënuar përkatësisht katër dhe dy vjet. Dënimin e kaluan prej burgjeve të Shkodrës e kënetave të Bedenit në rrethin e Kavajës. Në këto ambiente, Ramadani, do të fillonte për herë të parë njohjen me ajkën e inteligjencës shqiptare, të cilët sipas tij do të bëheshin profesorët e një universiteti tjetër.
Gjatë gjithë periudhës së burgut, Ramadani mundi të vilte prej shumë “kolegëve” të tij të qelive, një kulturë të madhe në fushat e folklorit e muzikologjisë, të cilat i shërbyen si lëndë e parë në hartimin e përpilimin e mëvonshëm të dy teksteve shkollore që do të bëheshin “patenta” e tij në rrugën e saponisur të etnomuzikologjisë. Pas daljes nga burgu e morën ushtar dhe e dërguan në jug të Shqipërisë, në fshatrat e Gjirokastrës. Edhe kjo për të qe një eksperiencë e vërtetë jete. Ishte dirigjenti i njohur Gaqo Avrazi që ndërhyri për ta tërhequr në Tiranë e ta punësonte për organizimin e Ansamblit të Ushtrisë, e më pas në organizimin e Korit të Filarmonisë. Pas kësaj punoi si Shef i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës së Qytetit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe u mor me organizimin e Festivaleve te Këngës e Valles Popullore. Në këtë punë ai shërbeu për pak kohë deri se u mor vesh biografia e tij si “armik i klasës” dhe u pushua shpejt. Pas kësaj, mbas disa ndërhyrjesh ai mundi të rifillojë punë në kryeqytet si drejtues muzike në Shtëpinë e Kulturës nga viti 1952 deri në 1954 kur u pushua përsëri. Me mundime të mëdha ngaqë kishte shumë nevojë për kuadrin mësimor të muzikës, u rregullua si mësues në Liceun Artistik në Tiranë me ndihmën e Llazar Siliqit. Në këtë shkollë Ramadani punoi pa ndërprerje derisa doli në pension në vitin 1980, pa iu dhënë kurrë mundësia të punonte në nivel akademik.