Shtypi i kohës njoftonte se fillimi i punimeve të hekurudhës Peqin-Elbasan ishte bërë më 12 janar 1950. Hekurudha kishte 4 tunele dhe 100 ura. Ajo kishte tre stacione pune në Bishqem, Papër dhe Elbasan. Në gjuhën e përditshme të komandës për ndërtimin e hekurudhës u ngritën dy kampe: i tuneleve dhe i trasesë, ose të njohura ndryshe si kampet e Urës së Bonës dhe Bishqemit.

 

A – Kampi i Urës së Bonës

Në rrugën automobilistike Elbasan-Peqin, jo shumë larg Bishqemit, u ngrit kampi për ndërtimin e një ure për hekurudhën Peqin-Elbasan. Punimet filluan më 2 janar 1950 e vazhduan deri më 16 shtator 1950. Për ndërtimin e urës punuan në kushte të vështira rreth 500 të burgosur. U krye volum i madh pune, zhvendosje dheu, mbushje, transport etj. Sipas përllogaritjeve të komandës së kampit ishin realizuar prej të burgosurve 70.350 ditë pune. Në shkurt 1950 këtu erdhën nga Lekaj, të dënuar të tjerë.

Mëngjesin e 18 janarit 1950, i dënuari Ahmet Bushati dhe shokët e tij të burgosur në Shkodër janë bërë gati për t’u nisur në kampin e Urës së Bonës, midis rrugës automobilistike e hekurudhore Elbasan-Peqin. Këtu, sipas tij, ishin grumbulluar të dënuarit e burgjeve të Durrësit, Vlorës, Tiranës, Gjirokastrës.

Kapanonet e të burgosurve ishin ngritur mbi një sipërfaqe dheu, brenda së cilës shkonte prej fillimit deri në fund nga një korridor po prej dheu, djathtas e majtas të së cilëve do të kishte dy kate të ulëta shtresash prej dërrase, mbi të cilat si fiq ndër vargje, do të zgjateshin jatakët e të burgosurve me rreth 0,7 metra gjerësi secili”, - shkruan Ahmet Bushati.

Punimet i drejtonin inxhinierët e burgosur Avdulla Muça, Mark Dindi, Namik Xhelili. Të burgosurit ishin ndarë në tri brigada pune. Këtu punonte doktori Hasan Jero, djemtë e Xhaferr Ypit, Asllan e Tomor Ypi, Zafer Xhafer Vila, Beqir Ajazi, Koço Semini, Genc Preng Pervizi, At Donat Kurti etj. Tasi Marko ishte komandant që drejtonte punimet. Në mëngjes hanin supë bullguri, në drekë groshë e nganjëherë ndonjë copë të vogël mishi, në darkë çaj me ndonjë copë marmelatë. Buka jepej në sasinë 700-800 gramë për person në ditë, natyrisht pa asnjë lloj cilësie. Të gjendur të uritur, sidomos të burgosurit ordinerë ishin vënë pas gjuajtjes së breshkave, të cilat i piqnin pasi i kishin zhveshur pjesët e padëshirueshme. Më 28.4.1950 largohet Tasi Marko e në vend të tij vjen Beqir Bahja. Tasi shkoi në kënetën e Maliqit.

Një makinë ku rrinin rreth 60 të burgosur, si mos më keq, largoi prej andej të burgosurit e Urës së Bonës.

B – Kampi i Bishqemit

Bishqemi është një fshat i Elbasanit, një vend ku kalon hekurudha Peqin-Elbasan. Në vitin 1950 konsiderohej si një ndër kampet më të rëndësishme të punës së detyruar. Më 30 janar 1950 në kampet e ngritura mbërritën të burgosurit.

Në analizën vjetore të këtij kampi zë një vend të rëndësishëm. Në kamp u dërguan rreth 800 të burgosur në kushte shumë të vështira jetese. Parashikimet e komandës së burgjeve ishin të gabuara. Vendosja në punë ishte bërë në mënyrë të paorganizuar, ndërsa të burgosurit ishin të papraktikuar për mënyrën e punës që do të kryenin. Në vendin ku ishte caktuar puna, bëheshin punime të rënda si transport zhavorri (më shumë se 100 metra me karrocë), bartje shinash, traversash. Të dhënat ishin se ishin bërë 65.000 ditë pune. Shifrat e fitimit janë të mëdha, por shuma në dokument është e korrigjuar e nuk kuptohet mirë. Të burgosurit ishin shfrytëzuar edhe në hapjen e tunelit të hekurudhës në kushtet më primitive me mungesa dekovili në hedhjen e dherave etj. Puna kishte vazhduar më tej dhe ishin marrë 40.040 ditë pune për hapjen e tunelit etj. Në shtator 1950, të dënuarit e këtushëm u dërguan në kampin e Bedenit.

Përurimi

Puna heroike e të dënuarve në ndërtimin e urave, tuneleve e trasesë së rrugës hekurudhore në fjalë, natyrisht nuk u përmend në ceremoninë zyrtare të organizuar me rastin e përurimit të saj në Elbasan, më 21 dhjetor 1950. Shtypi i kohës përshkruan “entuziazmin popullor”, i cili shprehej me fjalët “i lumshin duart rinisë sonë heroike”, duke uruar për jetë të gjatë të Enver Hoxhës e Stalinit, i cili cilësohej si donatori i veprës.

Me ceremoni të madhe, në orën 1000 të kësaj dite, mbërritën në Elbasan zëvendëskryeministrat Mehmet Shehu e Spiro Pano, nënpresidenti Myslim Peza, sekretari i KQ-së të PPSH-së Bedri Spahiu, anëtarja e Byrosë Politike Liri Belishova, ministri i Ndërtimit Rrapo Dervishi, ministri i Shëndetësisë Medar Shtylla etj.

Sotir Çollaku, komandant i shtabit qendror të ndërtimit të hekurudhës, ia kishte dhënë fjalën Rr. Dervishit. Ministri ka lavdëruar në fjalën e tij “rininë heroike”, ndihmën e madhe të Bashkimit Sovjetik e Stalinit. Për ironi, të gjitha veprat që ai përmendte, si bonifikimet e fushave të Kavajës e Maliqit, ishin kryer nga të dënuarit e jo nga “rinia heroike”. Ministri ka shpërthyer në ovacion për Enver Hoxhën, të cilin e ka quajtur “edukatorin stalinian”. Hekurudhën e ka përuruar me një prerje shiriti, Mehmet Shehu.

Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.