U krijua në mars 1951 me qendër në Podgori të Korçës me të dënuar politikë dhe ordinerë që punonin për tharjen e kënetës së Maliqit, duke pasur emërtesën “Kampi nr. 1”. Në Maliq kampi punoi deri në vjeshtë të vitit 1951. Nga komunikata ditore rezulton se përveç Podgories, kampi është devijuar edhe në fshatin Nishavec duke kryer të njëjtin funksion.

1951, në Gosë të Kavajës

Sipas të dhënave, shkresërisht të vështira, në vjeshtë 1951 kampi u vendos në Gosë të Kavajës për hapjen e kanalit ujitës Peqin-Kavajë. Përmendet se gjatë kësaj kohe është vrarë më 26.12.1951 i dënuari politik Ram Halili në përpjekje për t’u larguar nga ky kamp. Halili kishte 2 vjet që vuante dënimin. Po në këtë datë figuron i vrarë nga minat i dënuari Hysen Mustafa.

1952, në Urën Vajgurore

Këtu qëndroi deri në janar 1952, kohë kur vendoset në Urën Vajgurore në Berat, për ndërtimin e fushës së aviacionit në Kuçovë.

Në mars 1952 filloi puna pjesërisht dhe në qershor 1952 me kapacitet të plotë. Në këtë kohë forca e kampit ka arritur në 2.000 persona.

Jeta e të burgosurve nuk ka qenë e mirë për faktin se kur kemi ardhur këtu e deri sot, nuk kanë ngrënë as edhe një herë gjellë me mish, pse kjo mungon. Gjithashtu nuk janë ngopur me ujë dhe kjo gjendje vazhdon akoma megjithëse ka një përmirësim të vogël. Nga kjo situatë rendimenti nuk ka qenë si më përpara...Gjatë muajit, për mungesë uji i kanë ngrënë drekën dhe darkën bashkë”, - thuhej në raportin e kampit më 28.3.1952.

Nuk mjaftonte puna e rëndë për ndërtimin e fushës së aerodromit, por duhej zhvilluar edhe “edukimi komunist”. Sipas planit në çdo burg, të burgosurve u bëhej terapi ideologjike mbi të mirat e sistemit, gabimet e tyre etj., një gjë krejt qesharake kjo me personat që ishin dënuar, pikërisht pse nuk e donin sistemin.

Duke marrë parasysh zgjerimin e madh të punimeve që ka ky kamp, është duke u shtuar forca e të burgosurve në 2.000 veta, po ashtu edhe e policisë dhe programi politik nuk po zhvillohet në rregull, ashtu sikurse kishim menduar ne, pasi punimet po bëhen me tre turne dhe policët e ashtu dhe oficerët kanë shërbim shumë të rëndë, programi politik nuk zhvillohet në rregull”, - pohonte komisari politik i kampit Xhoxhi Keko. Në takimin që kishin pasur me gjeneralin (Mehmet Shehu) ishte kërkuar të përmbylleshin sa më shpejt punimet.

Në fillim në vitin 1953 këtu punonin 1.150 të burgosur. Llogariteshin 48 të sëmurë, ndërsa ishin realizuar 204.625 ditë pune.

1953, në Rinas

Në shtator 1953 u vendos për të ndërtuar fushën e aeroportit të Rinasit. Kampi vijoi të punojë këtu deri vitin tjetër. Më 30 tetor 1953, të burgosuri Abaz Korçari, Ago Çela, Shefqet Islami dhe Nexhip Dauti, mundën të arratisen nëpërmjet një tuneli të nëndheshëm 11 metra të gjatë. Duke u nisur nga banja, ata kanë kapërcyer telat dhe janë diktuar nga roja, kur ishin 50 metra larg. Kjo arratisje kishte sjellë pasoja të rënda për të gjithë regjimin. Ishte quajtur e pamundur të arratiseshe.

1954-1983, në Bulqizë, miniera Todo Manço

Më 29 mars 1954 kampi nr. 1 u vendos në Bulqizë në minierën e këtij qyteti të vogël. Qëllimi i mbërritjes këtu ishte nxjerrja e kromit për llogari të ekonomisë socialiste. Miniera njihej prej pak vitesh. Ajo ishte një tokë gati e pashfrytëzuar. Në vitin 1941 italianët bënë disa gërmime simbolike për të nxjerrë krom e për t’u njohur me zonat që kishin material. Miniera u hap më 17 shkurt 1948. Asaj iu dha emri “Fitore”. Deri më 1954 këtu punonin banorë nga zonat përreth Bulqizës. Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia dërguan inxhinierët e tyre për të parë e drejtuar punimet në minierën e këtushme. Lartësia mbi det e minierës është 2.200 metra, çka e bënte punën këtu të rrezikshme. Për të siguruar të dënuarit, këtu u vendos një efektiv ushtarak i përbërë prej 152 personave.

Sipas informacionit të datës 27.7.1954, dhënë në komunikatën ditore operative, për repartin 301 Bulqizë, u kërkuan të punonin 515 të burgosur nën tokë dhe 223 jashtë saj. Por kur ishin 732 të burgosur, u dërguan të punonin 400 nën tokë dhe 110 mbi tokë. Njëkohësisht me këtë informacion njoftohej se mareshal Manush Agilli kishte vjedhur në kamp 3 palë pantallona, 1 kapotë, 1 xhaketë, 5 copë penj e disa shollë këpucësh.

Në bazë të urdhrit nr. 1620, datë 21.12.1955 reparti mori numrin 301. Urdhri hyri në fuqi më 1 janar 1956.

Në vitin 1956 në repart 25 të dënuar vlerësoheshin të sëmurë. Pas vitit 1956 në këtë repart pati në shumicë të dënuar ordinerë. Regjimi i hoqi të dënuarit politikë për shkak të frikës që kishte pas ngjarjeve në Hungari. Në vitin 1957 rrjeti sekret i repartit 301 paraqitej me 26 informatorë e 1 rezident.

Më 25.12.1959 u nënshkrua një kontratë midis drejtorit të ndërmarrjes së kromit “Fitorja” në Bulqizë, Sinan Xhemailit dhe përfaqësuesit të MPB-së Qamil Manes, miratuar nga ministrat përkatës Adil Çarçani dhe Kadri Hazbiu për shfrytëzimin e punës së 460 të dënuarve.

Në vitin 1959, të dhënat flasin se këtu ishin 727 të dënuar ordinerë, të cilët u takojnë kësaj përbërje klasore: 14% fshatarë, 66% zanatçinj, 9% nëpunës, 9% kulakë etj. 70 prej të dënuarve ishin anëtarë partie.

Të dhënat e vitit 1960 bëjnë fjalë se në repart ishin 18 informatorë e 2 rezidentë. Të dënuarit nxirrnin 70% të sasisë së përgjithshme të kromit. Por për 11 muaj kishin ndodhur 163 aksidente.

Në vitin 1962 kishim 39 informatorë e 4 rezidentë.

Statistikat e vitit 1963 tregojnë se në burg kishte rreth 4-5 të dënuar politikë. Vdekjet aksidentale ishin të shumta jo vetëm në minierë, por edhe në radhët e rojeve. Shembjet masive ndodhnin edhe jashtë minierës. Në vitin 1964 në repart vepronin 29 informatorë e 3 rezidentë. Në këtë kohë këtu shërbenin si efektiv 153 ushtarë, 61 policë e 19 oficerë.

Në vitin 1968 ishte planifikuar që në rast gjendje të jashtëzakonshme (kohë lufte) të burgosurit e këtij reparti të zhvendoseshin në burgun e Spaçit. Por një plan tjetër rezervë ishte edhe Gjirokastra. Në vitin 1969 këtu punonin një pjesë e të dënuarve të kategorizuar si të rrezikshëm, që kishin kryer krime të rënda.

Në një analizë të 9-mujorit të vitit 1974 dilte që ishin shkaktuar 163 aksidente. Besohet se rreth vitit 1970 të jetë hapur reparti 301/1 Bulqizë. Ky repart me urdhrin nr. 114, datë 31.1.1972 u shkri.

Në vitin 1975 në repartin 301 ishin 14 oficerë, 8 nënoficerë, 88 ushtarë. Në depo gjendeshin 148 pistoleta, 60 pushkë, 80 automatikë, 10 mitraloza. Reparti varej nga DPB Mat. Në vitin 1977 në të dy repartet e Bulqizës dhe të Batrës ishin gjithsej 984 të burgosur.

Sipas raportit të datës 15.12.1979, thuhej se në repartin 301 Bulqizë ishin siguruar nga puna e të burgosurve 2.526.800 lekë. Por një vit më vonë, një raport tjetër thoshte se plani nuk ishte realizuar se vetën në një galeri nuk ishin marrë në vit 15.000 ton mineral etj. Kërkesat vinin gjithnjë në rritje.

Për vitin 1979 ishin siguruar rreth 210.000 tonë mineral kromi. Po nga kushtet e rënda të punës, raportohej se më 26.1.1979 një aksident i rëndë i mori jetën 9 të dënuarve, çka është një prej aksidenteve më të rënda të ndodhura në këtë minierë.

Në vitin 1980 në repartin 301 Bulqizë rezultojnë 80 të dënuar politikë. Nuk jepen arsye pse kanë ardhur këta të burgosur këtu, por besohet se mund të kenë ardhur për shkak të mungesës së vendeve në kampet e tjera.

Në vitet 1954-1982, në minierën e Bulqizës (reparti 301) kanë vdekur aksidentalisht sipas statistikës zyrtare 81 të burgosur.

Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983, reparti 301 Bulqizë u shkri. Këtë numër e mori reparti i Batrës.

Komandantët dhe komisarët e repartit në fjalë, përgjithësisht kanë qenë të profesioneve: këpucar, bujk, punëtor, çoban. Niveli i tyre arsimor ishte ai fillor.

Dinamika e të dënuarve:

Viti 1954, 857 të burgosur (715 politikë dhe 142 ordinerë)

Viti 1955, 843 të burgosur (618 politikë dhe 215 ordinerë)

Viti 1956, 1057 të burgosur

Viti 1957, 882 të burgosur

Viti 1958, 614 të burgosur

Viti 1959, 727 të burgosur

Viti 1960, 600 të burgosur

Viti 1961, 550 të burgosur

Viti 1961, 605 të burgosur (4 politikë)

Viti 1965, 970 të burgosur

Viti 1969, 1291 të burgosur

Viti 1970, 1264 të burgosur

Viti 1975, 900 të burgosur

Viti 1976, 1045 të burgosur

Reparti i Batrës 1975-1991, 11 heronjtë

Më 25 shkurt 1965, 11 anëtarët e ekspeditës gjeologjike të Batrës, gjatë një përpjekje për të shpëtuar një prej miqve të  tyre, u zhdukën nën një ortek të papritur në përroin e Batrës (rreth 5 km nga vendi ku u ndërtua më vonë qyteti i Krastës). Për nder të tyre, miniera e re e Batrës që filloi të funksionojë në vitin 1967 u quajt “11 heronjtë”. Këtu u ngrit një prej burgjeve më të vështira për të dënuarit ordinerë. Krasta u themelua qytet në vitin 1970 si qyteti i ri i minatorëve të minierës së Batrës. Pas një viti, në vitin 1971 u vu në punë edhe miniera e re e këtij qyteti. 48 banorët e parë u vendosën në Krastë në vitin 1974. Për të shfrytëzuar nxjerrjen e mineralit të kromit u hap një repart i ri riedukimi, kampi i Batër Martaneshi. Më 16 gusht të vitit 1975 filluan punimet dhe pas pak ditësh u vendosën 70 të burgosurit e parë ordinerë në këtë kamp. Ata banonin në qytetin e Krastës, në pallatin nr. 5 me tre kate. Në pallatet e tjera banonin punëtorë të sapoardhur. Në katin e parë banonte personeli i repartit. Në fillim të vitit 1976 filloi puna me shumë vështirësi për nxjerrjen e mineralit. Reparti i Batër Martaneshit mori numrin 301/1. Në këtë kohë reparti 301 i Bulqizës vazhdonte akoma punën. Në vitin e parë të punës, atë 1976, në kamp u regjistruan 382 të burgosur. Kapaciteti i repartit ishte për 600 të burgosur, por kjo shifër u kalua disa herë. Pastaj në vitet 1977-1983 mesatarisht për çdo vit ishin në kamp 700-900 të burgosur (p.sh. në vitin 1982 ishin 868 të dënuar).

Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983, reparti 301/1 Batër, mori emërtesën e re “Reparti 301 Batër”. Këtu erdhën disa të burgosur nga kampi 301 Bulqizë i cili u mbyll. Në vitin 1984, shifra e të dënuarve ka shkuar në 739 të dënuar, por në fund të vitit shifra shkon në 912 të dënuar. Sipas raportit të datës 12.4.1984 në repart punonin 523 të dënuar me tre turne në 5 galeri. 12 të dënuar ndiqeshin në përpunim aktiv 2A.

Në vitet 1985-1989 mesatarisht janë për çdo vit rreth 1.000 të burgosur. Për vitin 1985 reparti kishte nxjerrë 3.000 tonë krom mbi planin. Në vitin 1987 në repartin 301 Batër punonin 1007 të dënuar të cilësuar ordinerë. Zërin më të madh të të burgosurve e zinin ata për vjedhje të pasurisë socialiste (46%), duke vijuar për vjedhje të pasurisë qytetare (14%), plagosje, tentativë vrasjeje e vrasje (16%).

Shifra e të dënuarve bie pas amnistisë së vitit 1989. Kësisoj në janar 1990 në repart ishin 732 të dënuar, në maj 640 dhe në fund të vitit ishin 420 të dënuar. Shifra e fundit që jepet për repartin është ajo e shkurtit 1991 me 404 të dënuar.

Me urdhrin nr. 01-10, datë 1.3.1991 të ministrit të Punëve të Brendshme, repartet 301 dhe 303/1 Gurth Spaç u mbyllën.

Reparti 301/1 Bulqizë

Gjatë kësaj kohe kemi pasur përkohësisht hapjen e një reparti të ri me numër 301/1 në Bulqizë, i formuar me urdhrin nr. 307, datë 19.7.1985. Qëllimi i hapjes ishte për ndërtimin e 200 banesave në qytetin e Bulqizës. Reparti në vitin 1987 kishte 105 të dënuar politikë. Por me urdhrin nr. 611, datë 30.6.1987 të ministrit, reparti 301/1 u zhvendos në repartin e sapo hapur 312 në Tërnovë.

 

Lëvizja e repartit 301 sipas viteve

1951 Potgorie, Nishavec, këneta e Maliqit

1951-1952 Gosë, Kavajë, kanali Peqin-Kavajë

1952 Ura Vajgurore, aeroporti

1953-1954 Rinas, aeroporti

1954-1983 Bulqizë, miniera

1983-1991 Batër, miniera e ndërtim banesash

 

Në vitet 1976-1983 reparti 301/1 ka qenë në Batër

Në vitet 1983-1991 reparti 301 ka qenë në Batër

Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.