Adem Allçi | |
---|---|
Personal Information | |
Name/Surname: | Adem Allçi |
Birthplace: | Viçidol, Tropojë |
Date of Birth: | 6/3/1942 |
Trial | |
Charges: | «Kanë kryer vepra terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit popullor dhe kanë tentuar të arratisen jashtë shtetit» |
Sentencing: | 20 vjet Prison |
Judgment: | 7 shkurt 1964, Gjykata Ushtarake e Tiranës |
Sentencing | |
Prison: | Burgu i Burrelit - |
Lindi më 6 mars të vitit 1942, në fshatin Viçidol të Tropojës. Më 1961, kur ishte në vit të dytë të gjimnazit në Shkodër, i hoqën të drejtën për të vazhduar shkollën. Kështu, një vit më vonë, në fund të vitit 1962, u arratis bashkë me të vëllanë, Elezin, në Kosovë. Aty i arrestuan dhe i burgosën në kampin e Gjirakovcit në Pejë. Gjashtë muaj më vonë, më 29 maj të vitit 1963, i kthyen në pikën kufitare të Morinës, ku i priste Sigurimi i Shtetit dhe vetë Kadri Hazbiu. Pas dhjetë muajsh hetuesie në birucat e Bajram Currit, më 7 shkurt 1964, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 20 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe humbjen e së drejtës elektorale për katër vjet kohë. Vuajtjen e dënimit e nisi në burgun e Burrelit. Këtu, tre vjet më vonë, më 2 gusht 1967, bashkë me Theodhor Gërnjotin dhe Sazan Hadërin, thyen burgun. Gjatë arratisjes, Sazan Hadëri u vra nga ushtari i truprojës, Theodhor Gërnjoti u plagos në këmbë, kurse Adem Allçi në shpatull. Gjykata e Qarkut të Tiranës, dega e Peshkopisë, me akuzën se «kanë kryer vepra terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit popullor dhe kanë tentuar të arratisen jashtë shtetit», i dënoi të dy me vdekje me pushkatim dhe konfiskimin e plotë të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme por më vonë atyre u falet jeta. Përveç një viti në kampin e Ballshit (1973-1974) dhe tre viteve në kampin e Spaçit (1983-1985), tërë pjesën tjetër të burgut e kreu në Burrel.
U lirua më 30 prill të vitit 1990. Më 21 shkurt 2011, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhërin «Nënë Tereza» me motivacionin: «Në shenjë nderimi dhe vlerësimi për qëndresën mbinjerëzore dhe rezistencën e papajtueshme ndaj diktaturës komuniste».