Veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare. Lindi më 29 korrik të vitit 1878, në Malin e Jushit (Rranzat e Bushatit). Udhëhoqi luftërat antiosmane të kelmendasve në vitet 1908-1911 e 1912. Më 1914 mbështeti qeverinë e princit Vid. Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), udhëhoqi luftërat për mbrojtjen e kufijve veriorë të Shqipërisë. Në gusht të vitit 1920, në krye të një çete malësorësh, mori pjesë në Luftën e Koplikut në cilësinë e komandantit, krahas Hamit Gjylbegut, Dedë Nikollës, Smail Osmanit, Hamza Kuçit etj.. Gjatë Revolucionit të Qershorit të vitit 1924 u radhit në krahun e Fan Nolit. Në krye të luftëtarëve të Kelmendit, ai hyri në Tiranë më 11 qershor 1924. Gjatë qeverisjes jetëshkurtër të Nolit, shërbeu si komandant i forcave të Malësisë së Madhe. Pas kthimit të Ahmet Zogut dhe zgjedhjes së tij president, Prekë Cali u internua për rreth tre vjet në qytetin e Gjirokastrës. U lirua me ndërhyrjen e At Anton Harapit. Pas shpalljes së Mbretërisë (1928), u gradua kapiten rezervist dhe për shumë vjet kreu detyrën e sigurimit të qetësisë publike dhe ruajtjes së kufijve të Kelmendit. Më vonë u zgjodh komandant i xhandarmërisë për Malësinë e Madhe. Mori pjesë në Kuvendin e Brojës, që u mblodh më 13 janar 1945, për të organizuar rezistencën antikomuniste. Udhëhoqi Kryengritjen e Kelmendit, që u zhvillua më 12 dhe 13 janar të vitit 1945. Pas dështimit të saj, më 17 shkurt iu dorëzua Batalionit IV të Brigadës XXIII. Gjyqi kundër Prekë Calit filloi më 28 shkurt 1945. U akuzua se «në bashkëpunim me gjeneral Parianin dhe Melonin, ka vënë në rrezik shtetin shqiptar, duke përgatitur pushtimin e vendit nga Italia fashiste, se ka bashkëpunuar me regjimet e kaluara, se ka qenë armik i përbetuar i lëvizjes Nacionalçlirimtare» etj. U pushkatua mëngjesin e 25 marsit të po atij viti pas murit të varrezave të Rrëmajit në Shkodër, bashkë me trembëdhjetë burra të tjerë. Më 15 gusht të po atij viti, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Malësisë së Madhe, urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij. Ky urdhër u përsërit nga po ky komitet edhe më 25 prill 1946. Më 25 qershor 1993, Presidenti i Republikës i akordoi medaljen «Martir i De-mokracisë».

Source: Gazeta Zyrtare, nr. 63, 15 korrik 1946, fq. 6; Gazeta Zyrtare, nr. 106, 21 nëntor 1946, f. 5.
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.