Erifili Bezhani u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Aix-en-Provence, në Francë.  Gjatë viteve 1941-1942, ushtroi profesionin e avokates në Marsejë, ku edhe u fejua me një avokat francez. Për arsye të disa rrethanave familjare, në vitin 1943, kthehet me të motrën, Evrinomi, e diplomuar në të njëjtin universitet, në qytetin e origjinës, Vlorë dhe pas një viti, bashkë me të ëmën, vendosen në Tiranë.  Ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të grupit të Deputetëve, Liberal-demokratëve, social-demokratët, etj..

Miqtë e saj të përhershëm me të cilët shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, doktor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan DibraMusine Kokalari, etj..

Në 16 Maj 1947, pas arrestimeve të bujshme të grupit të Deputetëve, të liberal-demokratëve, etj., Erifili Bezhani arrestohet dhe nga fundi i vitit, dënohet me 20 vjet “heqje lirie” nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve antikomuniste në 4 femrat e para shqiptare antikomunsite, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur, torturat çnjerëzore. Ish i burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: ”Erifili u dënua pothuajse në të njëtjën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën dhe Nurije Koculin, bijë e Qazim Koculit. Ishin 4 femrat e para që u futën në burgun ferr të Burrelit. Më vonë, erdhën Drita Kosturi dhe Raile Luzi. Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura”.

Pas lirimit nga burgu, për shkak të disa amnistive, Erifili Bezhani vazhdoi kalvarin e vuajtjeve të tjera. Që nga vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate. Nevoja për jetesë, e futi në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), punon si përkthyese për disa institucione të ndryshme. Në mes të vitit 1958, asaj iu ndalua edhe përkthimi dhe regjimi komunist vendosi që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë!

Pas 6 muajsh pune të tillë, sëmuret nga ulçera, shtrohet me urgjencë dhe gjatë operacionit, dha shpirt. Ishte data 15 Shkurt 1959, kur, 49 vjeçe, mbylli sytë në sallën e operacionit, në spitalin e Tiranës.

Shtresa: qytetare e pasur.

Data e arrestimit: 16 maj 1947.

Dënuar: 20 vite.

Zbritje dënimi: 7 vite.

Akuza: ka marrë pjesë në grupin e deputetëve.

 

 

Source: AQSH, F.Keshilli i Ministrave, V.1951,D.1173
Source: https://en.kujto.al/fati-tragjik-i-erifili-bezhanit-avokatja-e-pare-shqiptare-qe-vuajti-burgun-e-burrelit-dhe-perfundoi-si-fshesagjie/
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.