Pseudonimi: Ars. Poet, përkthyes, studiues. Lindi më 28 korrik të vitit 1920, në qytetin e Shkodrës. Mësimet fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, vitet e para në Kolegjin Saverian dhe të fundit në Liceun e Shtetit, dega klasike. Studimet e larta për filozofi i kreu në Firence, ku mbrojti dhe doktoratën në filozofi, me tezën «Morali dhe feja te Bergsoni». U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në Licetë Shtetërorë të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit. Në vitin 1944 drejtoi revistën «Kritika», që e botonte i vëllai, Myzafer Pipa. Në vitet 1945-1946, qe anëtar i redaksisë së revistës «Bota e Re». Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, në Tiranë.

U arrestua në prill të vitit 1946.

U dënua prej Gjykatës së Garnizonit të Tiranës me dy vjet burg për veprimtari kundër pushtetit, që i kreu në burgun e Durrësit.

Procesi i dytë zhvillohet gjatë vitit 1947 dhe vendimi merret në dhjetor 1947 ku Arshi Pipa bashkë me tre të tjerë akuzohen për pjesëmarrje në organizatën social-demokrate, për bashkëpunim me klerin dhe organizata të tjera, kundërshtare të pushtetit, sabotim dhe për aktivitet propagandistik dhe aktivitet për rrëzimin e pushtetit. Pipa akuzohet për botimin e revistave më ideologji fashiste  dhe aktivitet me studentë dhe elementë të pakënaqur me të cilët bisedonte për demokracitë perëndimore duke treguar që në Shqipëri mungonin liritë dhe pushteti ishte terrorist.  U akuzua edhe që bënte mbledhje në shtëpinë e tij me studentë duke u folur për partinë Social-Demokrate dhe kundër reformave dhe pushtetarëve komunistë.

Ai u dënua nga Gjykata më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet burg. Vazhdoi burgun në Durrës dhe në korrik të vitit 1948 u shpërngul në kampin e Vloçishtit, ku iu nënshtrua punës së rëndë dhe pati probleme me mushkëritë. Për këtë arsye u shtrua në spitalin e Korçës. Në vitin 1949, pas dënimit të Koçi Xoxes, pati një amnisti nga e cila përfitoi edhe Arshi Pipa, të cilit iu zbritën 10 vite nga dënimi. Ai u zhvendos në disa burgje dhe kampe. Gjatë dënimit në Vloçisht, u shtrua në spitalin e Durrësit, ku qëndroi deri në fillim të vitit 1950. Më pas u zhvendos në burgun e Gjirokastrës deri në qershor 1952.

Pastaj transferohet në burgun e Tiranës dhe më pas në burgun e Burrelit ku qëndron deri sa lirohet, më 1956.

Pas daljes nga burgu më 26 prill 1956, ai caktohet mësues në një shkollë 7-vjeçare në Shkodër. Kjo punë nuk e përmbushte intelektualisht dhe në një mjedis mbytës, aq më tepër që pas burgut ai do të ishtë gjithmonë nën kontroll, mendon të arratiset. E realizon arratisjen bashkë me motrën Fehimen, me ndihmën e një të njohuri që banonte në një fshat kufitar. Ai kalon Bunën me not, matanë e priste e motra e veshur si një banore e fshatrave të zonës, shkojnë në Muriqan dhe kalojnë kufirin jugosllav. Paraqiten pranë postës kufitare dhe pas disa kohësh në hetuesi në Tivar, lirohen dhe shkojnë në Bosnjë. Nga aty, Arshiu shkon në Romë.  Dy kushërinj të  tij e ndihmojnë me garanci, për të shkuar në SHBA. Në vitin 1958 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku fillimisht punoi si arkëtar (kashier) në një hotel të Nju Jorkut. Më 1960, filloi punën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, në Arkansas. Në vitet ‘61-‘62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njëjtën kohë, gjatë verës, dha lëndën e filozofisë në Kolegjin e Arteve të Lira. Në po këto vite dha italisht në Columbia University. Në vitet ‘63-‘66, qe Profesor i Asocuar në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornisë, ku dha mësim në kurset e lëtërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritikës letrare për De Sanctis-in (1963), Croce-n (1964) dhe Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës, letërsisë dhe folklorit shqiptar, si dhe të filozofisë romane. Më 1966 drejtoi disertacionet për gradën e doktorit (Ph.D.). Po këtë vit, kaloi në Universitetin e Minnesota-s, në Minneapolis, në fillim si profesor i asocuar, dhe më vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Në Universitetin e Minnesota-s u bë anëtar me të drejta të plota dhe kontribuoi në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Qe, gjithashtu, drejtues i Programit Master për këtë gjuhë. U ka dhënë mësim, gjithashtu, kurseve ekstrakulikulare të gjuhëve, kurseve të qytetrimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve ekstrakulikulare për shkrimtarët e mëdhenj: Dante, Bokaço, Manxoni, Leopardi, për poezinë kalorsiake, letërsinë utopike, dhe leksionet krahasuese: Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë; ka drejtuar seminaret Ungareti dhe Monatale, Vico dhe Croce. Veç këtyre, dha dhe ciklin e leksioneve: Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane, në kurset e përbashkëta të diplomantëve të gjuhëve frënge dhe italiane. Për tetë vjet me radhë mbajti falas një kurs të gjuhës shqipe në Universitetin e Minesotta-s.

Gjatë vitit 1970, konceptoi dhe hartoi Programet e Master-it për gjuhët frënge dhe italiane. Në vitin 1987 u zgjodh anëtar i redaksisë së revistës tremujore «Telos» (Kaliforni). Më 1990, filloi të botojë në Washington D.C. revistën «Albanica – A Quarterly Journal of Albanological Research and Crticism». Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motrës, Fehimes. Gjatë kësaj kohe intensifikoi lidhjet e tij me gazetën «Dielli». Në pranverë të vitit 1991, u zgjodh kryetar i federatës «Vatra», pa qenë anëtar i saj, detyrë të cilën e keru vetëm për një vit, sepse në qershor 1992, nuk u rizgjodh. Gjatë po këtyre viteve editoi gazetën «Dielli». Jetoi në Amerikë deri në fund të jetës.

Vdiq më 20 korrik të vitit 1997, në Washington. Është nderuar me titullin «Naim Frashëri i Klasit të Parë» dhe është shpalluar «Qytetar Nderi» i qytetit të tij të lindjes, Shkodrës.

Boton disa vepra, ndër to “Libri i burgut”, i shkruar në burg në letra cigaresh dhe i nxjerrë nga kufiri po në letra cigare të qepura në rrobat e së motrës, i cili u botua në Romë, në vitin 1959.

Vepra: Lundërtarë (poezi, Tiranë 1944); Libri i burgut (poezi, Romë 1958, Tiranë 1994), Rusha (Mynih 1969, Tiranë 1995), Meridiana (Mynih, 1969), Trilogia Albanica I. – Albanian Folk Verse: Structure and Genre (Mynih, 1978), Trilogia Albanica. Hieronymus De Rada (Mynih, 1975), Trilogia Albanica III. - Albanian Literature: Social Perspectives (Mynih, 1978), Montale and Dante (Minesota, 1968), Montale e Dante (përkthim në italisht, Cantia 1974), Studies on Kosovo (në bashkëpunim me S. Repishtin, 1984), The Politics of Language in Socialist Albania (Nju Jork, 1989), Albanian Stalinism: Ideo-Political Aspects (Nju Jork, 1990), Contemporary Albanian Literature (Nju Jork, 1991), «Vepra» 1 (Lundërtarë, Libri i dashunís dhe i fatit, Tiranë 2000), «Vepra» 2 (Autobiography, Tiranë 2000), «Vepra»  3  (Lyrika  latine,  Tiranë  2000), «Vepra» 4 (Lyrika moderne evropiane, Tiranë, 2000). Pipa ka botuar shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe atë arbëreshe në shtypin e huaj, si në: «Südost Europa Forschungen», «Zeitschrift für Balkanologie», «Comparative Literature Studies», «Books Abroad», «Rivista di lettrature moderne e comparate», «Mondo operaio», «Revue des etudes sud-est euripéennes»; ka botuar, gjithashtu, artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanktisin, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen etj., në disa revista të huaja shkencore, si: «Italica», «Italian Quarterly», «The Romanic Review», «Comparative Literature», «Books Abroad», «Belfagor», «Le ragioni critiche», «Revue de literature comparèe», «Revue des études italiannes» etj. Vepra të pabotuara: Paradigma Gramsci (në anglisht); Idéologie du stalinisme albanais, Aesthetics Writings; The Vico Volume; The Montale Volume; The Dante Volume; Boccaccio, ‘Decamerone’, ultima giornata; Campanella, ‘La vittà del sole’; Italian Literature Articles; French and Italian Utopian Literature; Albanian Language and Culture; The Variboba Manuscript and Identify Documents; Morale e religione nel Bergson (teza e doktoratës); Abbozzo di una concezione della vita; Letërkëmbimi.

Përkthime: Pipa ka përkthyer poezi nga lirikët e lashtë grekë, si dhe nga: Lukreci, Katuli, Virgjili, Horaci, Properci, Tibuli, Ovidi, Ligdami, Sulpicia, Marcjali, Dantja, Petrarka, Foskoloja, Leopardi, Shekspiri, Miltoni, Bërnsi, Bajroni, Shelli, Kitsi, Barret-Brauningu, Poja, Gëtja, Hëldërlini, Hajnja, Rilkja, Lermontovi, Eminesku, Vijoni, Hygoi, Myseja, Bodleri, Verleni, Remboja.

 

Source: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 101
Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.