Burgu nr.17 Gjirokastër | |
---|---|
Information | |
Name: | Burgu nr.17 Gjirokastër |
Location: | Gjirokastër |
Year of Construction: | 1944 |
Year of Closure: | 1953 |
Prison | |
Forced Labor: | Jo |
Gender: | Burra |
Type: | I Sigurise se Larte |
Capacity: | 350 persona |
Burgu politik në Gjirokastër kishte numrin 17. Burgu ngrihej në kalanë e Gjirokastrës. Ishte cilësuar si një prej më të tmerrshmëve. Ishte një burg i trashëguar nga e kaluara. Përbëhej nga një sallë e madhe, si dhe disa qeli. Sipas të dhënës nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit të vitit 1946, në burgun e Gjirokastrës shërbente një personel prej 54 vetash (50 ushtarë, 3 nënoficerë, 1 oficer). Shërbente edhe një togë speciale prej 34 vetash. Në vitin 1950 në burg janë rreth 740 të burgosur, ndërsa kapaciteti i burgut ishte për rreth 350 persona. Vetëm me dekretin e prillit 1949 u liruan nga ky burg 206 persona. Bronkiti,malaria, reumatizma, dizenteria, TBC-ja dhe sifilizi, sëmundjet mbizotëruese në vitin 1950.
Studiuesi Kastriot Dervishi ka hulumtuar e publikuar një varg te dhënash për këtë burg. Në librin e tij "Burgjet dhe kampet në Shqipërinë komuniste" Dervishi shkruan: "Në një shkresë të datës 12 qershor 1951 të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Gjirokastër, Jani Naska, merret vesh se kushtet e tyre ishin të këqija, ndërsa 2 kishin vdekur.
“Këta duke qenë të izoluar për një kohë të gjatë prej 2 vjetësh, nga ana shëndetësore janë katandisur aq keq, saqë nga dita në ditë po u rrezikohet vdekja. Neve për mirëmbajtjen e tyre, kemi treguar kujdes të veçantë dhe herë pas here u kemi dhënë ushqime plus racionit që u jep shteti, por ndonjë efekt të madh për shëndetin e tyre nuk ka bërë ... për vetë natyrën e burgut të Gjirokastrës, i cili të izoluarit me afat të gjatë dhe që nuk shohin diellin me sy, i kalb me siguri, siç kalbi këta”, - thuhej ndër të tjera në raport.
Duke qenë në këtë gjendje, i burgosuri Shefqet Kruçi kishte vdekur në nëntor 1950. Sipas njoftimit që kishin bërë më 11 nëntor 1950, varrimi i tij ishte bërë sekret në një birucë të burgut të Gjirokastrës. Isuf Dervina ishte shumë i sëmurë, pavarësisht ilaçeve, gjendja e tij nuk përmirësohej. Fatos Mero Rrapaj vuante nga gjëndrat në grykë, të cilat i ishin qelbëzuar. Të dy këta, si Fatosi ashtu edhe Isufi, kishin bërtitur duke kërkuar që të dënoheshin që edhe familjarët të merrnin vesh ku ishin. Pak ditë më vonë, në raportin e datës 15.6.1951, thuhej se kishte vdekur një ditë më parë edhe i burgosuri Isuf Dervina." Burgu u mbyll me një urdhër të datës 26.9.1953 të Ministrisë së Punëve të Brendshme së bashku me burgun e Beratit. Të burgosurit si edhe personeli u zhvendosën në burgun e Vlorës. Më 30.9.1953 zhvendosja e të burgosurve kishte mbaruar.