Information | |
---|---|
The story: | Bomba në Ambasadën Sovjetike |
Date: | 26/02/1951 |
Place: | Mënik, Tiranë |
Victims: | Lluka Rashkoviç, Hekuran Troka, Sabiha Kasimati, Tefik Shehu,Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari |
Shpërthimi i një bombe në ambiantet e jashtme të ish-Ambasadës Sovjetike në Tiranë u pasua me arrestime, burgosje dhe pushkatime të shumë intelektualëve, apo shtresave të larta të shoqërisë në Tiranë. Që të gjithë u akuzuan për “terrorizëm dhe propagandë kundër pushtetit”. Rreth 300 persona u arrestuan, ku fatin më të keq të paracaktuar nga dyshja Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu e patën 22 intelektualë të njohur, të dyshuar si kundërshtarë të regjimit. Ata u pushkatuan pa gjyq dhe u groposën në një varr të përbashkët në fshatin Mënik të Tiranës, të lidhur këmbë e duar me tela me gjemba. Nga të arrestuarit për këtë ngjarje 80 persona vuajtën dënime të gjata me burg. Ndërsa pjesa tjetër u mbajt në qeli deri më 3 mars dhe më pas u lanë të lirë, por duke u kërcënuar se nëse flisnin i priste ekzekutimi.
Më poshtë lista e vitktimave të 26 shkurtit 1951:
Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vendosi të kthehej në atdhe. Punoi në Institutin e Shkencave, duke qenë i njohur kontributi i saj në këtë fushë.
Tefik Shehu, 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për Ekonomi, Financë dhe Drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945, u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, ishte urdhër i prerë për t’u pushkatuar.
Pjerin Guraziu, 45 vjeç, i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946.
Jonuz Kaceli 43 vjeç, u lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Ai u dërgua në gropën e vdekjes, pasi ishte vrarë më parë nga torturat.
Anton Delhysa, 47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulcit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës, drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për Spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave në Vorë etj.
Haki Kodra, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për Ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin 1951 kur u pushkatua.
Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935-1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria.
Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët. pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi si llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë.
Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet, patriot, me origjinë nga Gjirokastra, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj.
Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera.
Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet ‘20-‘40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtuesve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut.
Zyhdi Herri, 35 vjeç. U lind në Tiranë. Studioi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” në Tiranë.
Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet ‘40 studioi për Farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës.
Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH.
Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit, zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940, arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë.
Pandeli Nova, 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944, u mor me tregti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare.
Thoma Katundi, 64 vjeç! U lind në Katund të Korçës. Ish-“Vatran” në SHBA.
Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish-pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i legatës franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste.
Ali Qorraliu, 61 vjeç. U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës, ka përkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist.
Fadil Dizdari, me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. U arrestua dhe u pushkatua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit Popullor”.
Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”.
Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike.