Revolta e burgut të Spaçit

Nisi si një incident i vogël mes një të dënuari dhe gardianit të Burgut të Spaçit, por përfundoi me revoltën e thuajse të gjithë të burgosurve, duke shkaktuar tronditje të fortë për institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e qeverisë komuniste. Për dy ditë deri kur u shtyp dhunshëm revolta, të dënuarit u bashkuan dhe kundërshtuan me forcë të dorëzoheshin, duke u konfrontuar fizikisht me gardianët e Burgut të Spaçit, të repartit 303 dhe të forcave të sigurimit dhe ushtrisë të mbërritur nga Tirana. Gjithçka nisi më 21 maj 1973, kur të dënuarit Pal Gjergj Zefi pas një muaji izolim në qeli iu hap dera nga gardiani, për ti komunikuar se i kishte përfunduar vuajtja në izolim dhe të bashkohej me të dënuarit e tjerë. Pal Zefi në ato moment largohet me vrap dhe ngjitet në një taracë të repaertit, duke mbajtur një shufër hekluri në duar dhe kërcënuar se do të godiste çdo guardian që i afrohej. Në ato momente bashkë me të afrohen edhe të dënuar të tjerë dhe këtu merr nismën revolta e të dënuarve që zgjati për dy ditë, deri në momentin që u shtyp dhunshëm. Të dënuarit hodhën edhe parrulla politike si: “Poshtë komunizmi dhe Rroftë Shqipëria e Lirë” Pas shtypjes së revoltës ata që e pësuan më rëndë ishin Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj të cilët u dënuar me vdekje, pushkatim. Pas ekzekutimit dyshohet se u varrosën në një varr të përbashkët në disa kodrina mes aksit rrugor Tiranë-Elbasan. Gjithashtu 66 të burgosur të cilësuar si më aktivët në rëvotë u ridënuan me shumë vite.

Më poshtë është relacioni i plotë tepër sekret mbi ngjarjet në Burgun e Spaçit, Ekzemplar nr.1, me titullimin “Mbi një ngjarje të rëndë të jashtëzakonshme shkaktuar nga të dënuarit e repartit 303 Spaç”.  Kronika vjen e dokumentuar nga komisari i repartit, Shahin Skura dhe komandati Haxhi Goro, një muaj pas ngjarjes më 23 maj 1973

 

MBI NJE NGJARJE TE RENDE TE JASHTEZAKONSHME SHKAKTUAR NGA TE DENUARIT E REPARTIT 303 SPAÇ

Në datën 21 maj 1973 si çdo ditë vazhdonte puna normalisht në repart. Personeli i shërbimit vazhdonte punën sipas programit dhe urdhrit të ditës. Ndërmjet veprimeve të tjera, N/Oficer Mark Tuci, në mëngjes shkon për të heqë batanijet të dënuarve në dhomat e izolimit sipas rregullores. Njëkohësisht aty do të bëheshin edhe veprimet e tjera. Ndërmjet të dënuarve, që ishin ndëshkuar, ishte edhe Pal Gjergj Zefi, i datëlindjes 1940 nga Rrushkulli i Durrësit, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Ky është ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dënimi në dhomat e izolimit për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart. Në kohën që N/oficeri i çel derën për t’i heqë batanijet, ai arbitrarisht i ikën dhe bashkohet me turmën e të dënuarve që ishin në oborr. N/Oficeri e gjurmon dhe mbasi e gjen i bën thirrje që të shkojë në dhomat e izolimit, tentoi ta marri por ai refuzoi duke e kanosur. I dënuari qëndronte në tarracë duke mbajtur në dorë një shufër hekuri të gjatë rreth dy metra, që e kishte gjetur gjatë kohës që iku nga dhomat e izolimit dhe thotë se nuk lë asnjeri të më afrohet se do ta qëlloj. Kjo ndodhi rreth orës 5.00 të datës 21.V.1973.

Për këtë N/Oficer Mark Tuci, pa humbur kohë, njofton oficerin e rojes së repartit, oficer Fejzi Liço, i cili në këtë repart kryen detyrën e punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit. Ky i fundit informon kryetarin e degës së zbatim vendimeve penale oficer Sulejman Manokun, i cili ndodhej në repart. U urdhërua që me çdo kusht të kthehej në dhomat e izolimit i dënuari Pal Gjergj Zefi . Rreth orës 6.30’ punëtori operativ Fejzi Liço duke pasë me vehte N.oficerin Mark Tuci, Nue Lleshi, Zef Bardhoqi shkon në vendin ku qëndronte i dënuari në fjalë dhe sipas rregullave i bën thirrje që të shkonte në dhomat e izolimit. Por ai nuk bindet dhe prapë iu kanoset punëtorit operativ dhe policëve për t’i qëlluar dhe vrarë. Në këtë kohë vinë këtu edhe nënoficerët Gjet Çupi, Skënder Noniri, Frrok Deda dhe Ndue Prenga të cilët gjejnë oficerin e rojes dhe 3 nënoficera që shënuam së pari duke arrestuar Pal Zefin. Në kohën që këta i hidhen Pal Zefi qëllon me hekur të dënuarin Medi Noku që futet për ta penguar në ndihmë të punonjësve të policisë si dhe punëtorin operativ dhe 3 nënoficera. Policët e arrestuan por në çast për të mbrojtur të dënuarin Pal Zefi hidhen disa të dënuar të tjerë nga turma dhe ua  nxjerrin forcërisht nga duart dhe e marrin në mbrojtje. Njëkohësisht personat që ndërhynë kanë qëlluar me grushte dhe mjete të tjera punëtorin operativ dhe policët që u ndodhen atje dhe është zhvilluar njëfare përleshje që ka zgjatur rreth 0.5’. Ndër të dënuarit që kanë vepruar aktivisht kundër forcave të policisë janë: Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Pavllo Pope, Hasan Hibo, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazeri, Fadil Dushku, Sulo Veshi etj. Të dënuarit filluan që të grumbullohen dhe në këto rrethana punonjësit tanë tërhiqen.

Mbas largimit të tyre ata u acaruan dhe fillojnë të shajnë dhe të flasin kundër Partisë e pushtetit. Për këtë nga oficeri i rojes u njoftua komanda. Nga ana e jonë u morën masa për ta normalizuar çështjen dhe për këtë fillimisht u muar kontakt me të dënuarit nga komisari i repartit oficer Shahin Skura dhe mbas pak kohe edhe nga oficer Sulejman Manoku, por edhe këtyre si të dënuarit e tjerë ashtu edhe Pal Zefi nuk iu bindën. Përfundimisht gjendja mbeti e nderë. Në orën 15.30’ erdhi në vendin e ngjarjes grupi operativ i kryesuar nga prokurori i rrethit, shoku Zef Deda, shefi i policisë së rrethit oficer Rexhep Karaj, shefi seksionit të sigurimit oficer Gjergj Zefi dhe hetuesi i degës së punëve të brendshme oficer Shaban Dani. Mbasi u njohën me situatën filluan veprimet e para. Në orën 17.00 u bë arrestimi i të dënuarit Pal Zefi dhe urgjentisht u nis për në degën e punëve të brendshme të Rrëshenit. Punonjësit tanë që kryen arrestimin u shoqëruan nga një turmë të dënuarish dhe ndërmjet tyre Dervish Bejko thirri: “Mos e arrestoni more të poshtër” dhe u bë zhurmë nga të tjerët. Për një kohë nuk pati tjetër reagim.

Në orën 18.00, mbas lëshimit të sanksionit nga prokurori, filloi puna për arrestimin edhe të 5 të dënuarve të tjerë. Kështu u bë arrestimi i të dënuarit Syrja Lame dhe u çua në dhomat e izolimit. U thirr edhe i dënuari Pavlo Pope për ta arrestuar. Në këtë kohë në oborr e në tarracë grumbullohen shumë të dënuar, që filluan të lëvizin të revoltuar. I dënuari në fjalë tha vij vetë pa u lidhur. Këtë ne e bëmë për të qetësuar gjendjen. Në dalje refuzoi të vinte. Atëherë nga ana e punonjësve tonë ju tha: “rri, por ne do të të marrim ti nuk ke ku shkon, këtu të kemi” dhe pastaj u larguan. Të dënuarit të revoltuar tentuan të kapnin dhe të mbanin peng brenda në kamp hetuesin dhe prokurorin që ishin në infermieri të të dënuarve. Këtë e mësojnë rojet e brendshme dhe i nxjerrin në rrugë tjetër. Të dënuarit filluan të grumbullohen të revoltohen më shumë dhe të hedhin parulla “ja vdekje ja liri, ne nuk punojmë, ju jeni katila” etj. Të dënuarit fillojnë t’u afrohen rojeve të brendshme. Atëherë na urdhëruan që këto roje të dalin në zonën e ndaluar për të dënuarit dhe mbas pak me që gjendja filloi të acarohej më tepër i nxorrën jashtë rrethimit.

Në orën 21.00 të dënuarit thyen dhomat e izolimit dhe nxorrën ata që ishin aty. Meqenëse disa shkelën në zonën e ndaluar rojet hapën zjarr dhe ky zjarr u shoqërua edhe me breshëri të tjera nga drejtime të ndryshme për demonstrim nga ana e jonë. Turma e të dënuarve fillon të acarohet së tepërmi dhe grumbullohet në shesh dhe në tarrace, disa prej tyre si Skender Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fiku filluan të mbajnë fjalim e të recitojnë poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor, thirrje për kryengritje etj. Demonstrimi i tyre vazhdoi dhe gjatë kësaj kohe u thanë këto parulla me përmbajtje kundërrevolucionare:

-Rroft ë Shqipëria e Lirë. Ja vdekje ja liri. Ne nuk punojmë as sot as mot. Ju jeni katila dhe kini lyer duart me gjakun tonë. Ushtria është me ne. Populli është me ne dhe kundër jush. Shokë ushtarë dorëzoni armët. Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi. Do t’ju djegin si Stalinin. Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi. Poshtë komunistët. Rroftë Europa e lirë etj. Nga ana e komandës u muarrën masa të rrepta sigurimi dhe u bënë të gjitha përpjekjet që të mos kishte mundësi shpërthimi i kampit. Për gjendjen u njoftua dega e punëve të brendshme e rrethit dhe nëpërmjet saj edhe Ministria. Të nxitur nga elementët organizatorë të dënuarit vazhduan ta thellojnë revoltën dhe tendencat armiqësore filluan të demonstrohen fuqimisht me thirrje për kryengritje dhe me veprime të ndryshme.

Rreth orës 3.00 të datës 22.5.1973 në katin e tretë të pallatit të tyre të dënuarit ngritën një flamur të shkruar prej tyre që me sa disponojmë ne duhet të jetë shkruar nga Mersin Vlashi dhe është ngritur nga persona që akoma nuk i kemi identifikuar dhe vazhdojmë punën në këtë drejtim. Filluan të bëjnë mbledhjen e përfaqësuesve të krahinave për të përpunuar platformën dhe për të koordinuar veprimet në vazhdim të revoltës. Njëkohësisht për të konkluduar edhe për kërkesat ndaj nesh duke kërkuar lëshime si mos të dënohet asnjë njeri, të lirohen nga burgu se janë të pafajshëm dhe të mos punojnë asnjëherë nën tokë. Komanda disa herë iu bëri thirrje për normalizimin e gjendjes, zbatimin e rregullave dhe dorëzimin e shkaktarëve. Një gjë të tillë ata e refuzuan. Duke  vazhduar e thelluar veprimet e tyre ata dogjën këndin e emulacionit të kampit dhe materialet e tjera figurative, vend në të cilin shkruhen dhe vendosen parulla kundërrevolucionare.

Në orën 8.00 të datës 22.5.1973 iu bëri thirrje zv. Ministri i Punëve të Brendshme shoku Feçor Shehu për të vendosur rregull dhe të zbatonin rregulloren e brendshme. Në emër të të dënuarve një përfaqësi e përbërë nga Paulin Vata, Hajri Pasha dhe Nuri Stepa jo vetëm që nuk e përfilli këtë thirrje por iu kundër vu me këto kërkesa: Të mos dënohet asnjë fajtor, të mos punojnë asnjëherë në minierë, por të na kaloni në ndërtim, të bëhen amnisti sepse që kur u prishët me B.S. nuk kini bërë, të shikohet çështja e jonë për të na liruar sepse jemi pa faj. Në këtë kohë i dënuari Hajri Pasho shprehet me fjalë fyese kundër Partisë dhe pushtetit si dhe kundër zv. ministrit sh.Feçor Shehu duke i thënë: “ju është ngushtuar rrethi. Ju do të vini këtu ku jam unë e tjera. Mbas kësaj të dënuarit të ashpërsuar filluan njëherë të hedhin parulla shpifëse në drejtim të Partisë dhe pushtetit e ndaj udhëheqësve të ndryshëm si dhe parullat “Ja vdekje ja liri”, ne do të fitojmë, rroftë Shqipëria e lirë, ne jemi në Europën e lirë, poshtë komunizmi etj. Në këto parulla mori pjesë pothuaj i gjithë efektivi i të dënuarve. Personat e përfaqësisë u larguan në mënyrë mospërfillëse dhe demonstrative. Si rezultat i masave të marra dhe i ardhjes së reparteve të policisë dhe të ushtrisë nga Tirana, që shkaktuan një presion psikologjik tek të dënuarit ata përfundimisht në orën 9.00 të datës 23.5.1973 pranuan kushtet e vëna nga organet tona dhe në këtë mënyrë revolta u mposht dhe të gjithë të dënuarit u lidhën e u vunë nën kontrollin tonë. Nuk pranuan të dënuarit Dashnor Kazazi, Skender Daja, Jorgji Pepa e Dervish Bejko që me hekura e dërrasa në duar hypën mbi tarracë dhe fillimisht nuk iu nënshtruan thirrjes duke bërtitur dhe ofenduar organet që kryejnë veprimet e përmendura. Organet e policisë duke vepruar me forcë dhe me të njëjtat mjete iu kundërvunë atyre dhe forcërisht i lidhën dhe i mposhtën. Përveç sa sipër gjatë kontrollit në kamp u gjetën mjaft prova që vërtetuan se të dënuarit ishin të pregatitur për të rezistuar kundër forcave tona me mjete dhune. Kështu u gjetën sopata, sqepare, kazma, lopata, shufra hekuri etj, mjete me rrezikshmëri. Ishin vendosur parulla me përmbajtje kundërrevolucionare. Me sa disponojmë neve në këtë veprimtari janë aktivizuar shumë elementë ndërmjet të cilëve të dënuar Pal Zefi , Dervish Bejko, Qani Dangëllia, Luan Koka, Skender Daja, Syrja Lame, Luan Burimi, Hajri Pasho, Hodo Sokoli, Paulin Vata, Pavllo Popa, Dashnor Kazazi etj. Këto veprime përbëjnë krime të rënda që parashikohen të dënohen nga Kodi Penal i RPSH, dhe karshi fajtorëve jemi të mendimit të merren masa.

KOMISARI I REPARTIT KOMANDANTI I REPARTIT

 

SHAHIN SKURA/ HAXHI GORO

Spaç, 23 maj 1973

 

Pasi gjyqy vendosi të dënojë me vdekje katër të akuzuarit kryesor të rëvoltës në Burgun e Spaçit mbahet mbledhja e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datë 24 maj 1973, që vendos të mos falë asnjë nga të dënuarit me vdekje.

 

DOKUMENTI

Procesverbal, mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më datë 24 maj 1973. Marrin pjesë në mbledhje shokët: Haxhi Lleshi(kryetar), Rita Marko, Myslym Peza dhe Shefqet Peçi (nënkryetar), Bilbil Klosi (sekretar), Pilo Peristeri, Karaman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu (anëtar).

HAXHI LLESHI: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirrur kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela, për të na referuar.

ARANIT ÇELA: Në Kampin 309 në Spaç, ditët e fundit u bë një revoltë nga të burgosurit që përfshiu rreth 500-600 veta. Në fillim u dukën se shfaqën kërkesat e tyre si gjysmëpolitike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre, etj. Mbasi plasi revolta, kërkesat u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike, kundër pushtetit popullor. Tani të gjithë elementët që janë në këtë kamp, janë nga ata politikë, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit dhe pushtetit popullor. Shkaku i revoltës ishte me parullën që të shpëtonin shokun që ishte një i dënuar që kishte shkelur rregullat e brendshme të kampit, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit që këta personat e tjerë nuk e dorëzonin. Revolta pra, nga disa kërkesa, doli hapur në një revoltë politike, sigurisht e nxitur nga disa elementë kryesorë që ishin në këtë kamp. Kërkesat pra, në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parullat nga i dënuari Hajri Pashaj: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj” etj. etj. Revolta zgjati tri ditë, më datë 21, 22, 23 maj 1973. Mbas përpjekjeve u desh të dërgonim forca e u rrethua kampi. Ata, sipas tyre, kishin krijuar një zonë të çliruar, vunë ligjet e tyre. U bë një demonstrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund iu dha ultimatumi. Nëse nuk do të dorëzoheni, do përdorim armë. Mbas kësaj, nga ata u krijua njëfarë përçarjeje, sigurisht që në gjendjen që u krijua një pjesë e mirë u tronditën nga frika. Pra, në mëngjesin e ditës së fundit, në orën e caktuar, u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave, kështu që u bë një përleshje me ta dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prunë në Tiranë dhe pas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt, në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët, katër veta i dënoi me vdekje. Pra, nga 12, katër me vdekje.

HAXHI LLESHI: Po ata atje filluan punë?

ARANIT ÇELA: Sot atyre u është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe u është thënë se në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do kenë përgjegjësi, do të kenë konsekuenca. Siç duket, situata u qetësua dhe turni i parë doli në punë. Tani zhvillimi i gjyqit u bë për 12 që janë nga kryesorët, por nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan katër me vdekje, ndërsa të tjerët, d.m.th 8 prej tyre, u dënuan me 25 vjet burg. Ishte shumë e vështirë të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që katër të dënoheshin me vdekje, që janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj.

HAXHI LLESHI: Tani shpjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni të bëhet me këta të katër, me pushkatim?

ARANIT ÇELA: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit.

HAXHI LLESHI: Për këtë vendosni ju, si t’ju vijë mirë.

RITA MARKO: Dhe unë jam dakord që këta katër të dënohen me vdekje (pushkatim).

Vendoset që Skënder Daja, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Pal Zefi, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Dervish Bejko, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Hajri Pashaj, i dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), t’i refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

 

Please complete the required fields.
Mbyll formen

Please select your image(s) to upload.