Burgu i Spaçit | |
---|---|
Information | |
Name: | Burgu i Spaçit |
Location: | Spaç, Mirditë |
Year of Construction: | 1968 |
Year of Closure: | 1990 |
Prison | |
Forced Labor: | Po |
Gender: | Burra |
Type: | I Sigurise se Larte |
Capacity: | 504 |
Në pranverën e vitit 1968, Reparti nr. 303, pasi kishte “shëtitur” duke ndërtuar veprat më të mëdha të socializmit, u ndal në stacionin e fundit të tij, në Spaç. Qëllimi i vendosjes këtu ishte nxjerrja e mineralit në Spaç, si dhe përpunimi i tij në Reps, një vend ku ishte ndërtuar fabrika e pasurimit të bakrit.
Më 28 prill 1968 u bë zhvendosja e fundit e të dënuarve nga Elbasani në Spaç të Mirditës. Ish-i dënuari Kristo Mema thotë që data e mbërritjes së tij është 20 prilli 1968. Ish-komandanti Haxhi Gora shkruan në një letër të datës 18.9.1980 se zhvendosja e të dënuarve ka vijuar përgjatë gjithë muajit prill. Nisur nga dëshmia e Robert Vullkanit, rezulton se të burgosurit kanë mbërritur në tre grupe në Spaç.
Tanush Kaso ishte njëri prej personave që u zhvendos nga Elbasani në Spaç. Të dënuarit kanë qenë ata që janë vendosur në 7 baraka të mëdha llamarine e dërrase, mbuluar me katroma. Në një barangë rrinin gati 100 të dënuar. Disa të burgosur kanë qenë: Ali Hoxha (muzikant), Osman Kazazi, Haki Slatina, Astrit Delvina, Robert Vullkani, Ernest Troshani, Vangjel Lezho etj. Më vonë erdhën të dënuar si At Zef Pllumi etj. Komanda ishte vendosur jashtë rrethimit të kampit. Sapo të burgosurit erdhën, filloi një protestë, pasi nuk donin të punonin në minierë. Nga kjo, i burgosuri ish-ushtarak Dilaver Radeshi bëri një grevë të gjatë urie, të cilën e ndërpreu vetëm nga ardhja e nënës së tij në burg. Në Spaç nxirrej pirit dhe bakër. Miniera ishte tejet primitive, e pajisur vetëm me ndonjë armaturë druri. Uji ishte jo i shëndetshëm, i pajisur me mineralet e shumta që nxirrte toka e Spaçit. Prej ujit të keq shumë të dënuar ngelën shpejt pa dhëmbë në gojë.
Sipas skemës së sigurimit të repartit, Spaçi ishte një kamp i rrethuar në një terren të vështirë. Ishin 30 vendroje me ushtarë. Shërbenin për sigurimin e repartit 4 toga ushtarake. Nxirrej mineral në 4 zona të tilla.
I dënuari në Spaç kishte sende personale 2 palë rroba, 1 pagure alumini ose plastmasi, 1 furçë dhëmbësh, 1 fletore, 1 tas, 1 lugë gjelle alumini, 1 dyshek, (nuk thuhej sa) batanije, 1 çarçaf.
Sipas rregullores së brendshme të kampit, të dënuarit duhej t’i bindeshin për gjithçka komandës, duhej të realizonin normën e punës etj. Lejoheshin të merrnin nga familjet 15 kg sende (këtu nuk hynin frutat, perimet), të takonin familjarët 2 herë në muaj nga 15 minuta, të dërgonin 2 letra në muaj te familjarët (gjithmonë brenda vendit), të abonoheshin në organet e shtypit etj. Telegramet dhe kartolinat lejoheshin pa kufizim. Po ashtu i dënuari mund t’i shkruante letra KQ të PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Këshillit të Ministrave, Gjykatës së Lartë, MPB-së, organeve vendore etj.
Më 17 qershor 1968, të dënuarit u orvatën të ndërtonin një tunel për t’u arratisur, por nuk mundën dot. Gjatë vitit 1969 ishin orvatur për t’u arratisur 15 persona, prej të cilëve 6 ishin kapur ose asgjësuar dhe 9 të tjerë ishin kapur në 1-8 ditë. Nga studimi i rasteve dilte se në 61% të tyre kishin zgjedhur kohën e keqe, me mjegull, shi, borë, pasi kishin studiuar më parë kushtet e rojeve. Arratisjet vinin gjatë ndërrimit të turneve apo nga galeritë e minierës.
Barakat gradualisht i zëvendësuan me pallatet e banimit. Rreth vitit 1971 u ndërtua një prej pallateve për strehimin e të burgosurve. Në vitin 1973 nisi puna për ndërtimin e pallatit të dytë, ngjitas me të parin. Në rast gjendje lufte reparti zhvendosej në Berat.
Reparti e organizonte punën sipas një plani ditor. Pikat më kryesore të këtij plani janë sipas orarit:
530 zgjimi
600 – 630 mëngjesi
700 – 1500 puna në minierë
1700 – 1710 apeli
1710 – 1930 leximi i shtypit dhe i materialeve të PPSH-së
2000 – 2030 dreka
2100 – 530 gjumi
Gjatë vitit 1973 kishte pasur 65 kundërshtime për të dalë në punë. Pas marrjes së masave represive të këtij viti, një vit më vonë, shifra zvogëlohet në 7 të tilla.
Plani deri në nëntor 1973 kishte qenë për të realizuar 59.600 tonë bakër. Ishin bërë 59.702 tonë. Për piritin ishin realizuar 32.858 tonë, ose 1,8 mijë mbi planin.
Plani i vitit 1974 kishte qenë për të realizuar 65.000 tonë bakër. Ishin bërë 76.000. për piritin ishin realizuar 43.000 tonë ose 3 mijë mbi planin.
Për vitin 1975 në repart punonin rreth 517 persona, ndërsa ishin mbyllur në birucë 152 të dënuar.
Në vitin 1975 në repartin e Spaçit ishin në gjendje 356 armë zjarri, kryesisht automatikë.
Në një raport të vitit 1976, komanda e repartit raportonte:
“Në repartin 303 Spaç qysh prej 4 vjetësh nuk kanë ndodhur largime të të dënuarve. Dy që tentuan në vitin 1975 u asgjësuan pa dalë nga rrethimi. Në Spaç vuajnë dënimin armiq të Partisë e të popullit, me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Për sigurimin e tyre në repart e frontet e punës, kuadri dhe gjithë efektivi ka vështirësi, për vetë kushtet e terrenit ku është dislokuar ky repart”, - thuhej në raportin vjetor të burgjeve.
Në vitin 1976 nga 90.000 tonë që ishte plani ishin marrë 96.513 tonë bakër. Po të njëjtin vit, nga 36.000 tonë që kishte qenë plani, ishin nxjerrë 36.057 tonë pirit.
Në vitin 1976 në repartin 303 punonin 633 të dënuar, prej të cilëve vetëm 67 ishin ordinerë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre në këtë kohë përbëhej nga 152 persona.
Arratisjet nga kampi mund të bëheshin vetëm në çaste pune, nëpërmjet galerive të shkurtra. Kështu, më 9.12.1977, të dënuarit Stavro Guxo dhe Aleko Qirici realizuan një arratisje pa asnjë lëndim, duke ia hedhur në erë gjithë vigjilencën rojeve të kampit.
E dhëna e datës 26.12.1977 e komandës së kampit na bën të ditur se kapaciteti i dy godinave ishte për 762 të burgosur, ndërsa atë çast ishin 73 më shumë duke përbërë një shumë të përgjithshme prej 835 të burgosurish.
Në fund të janarit 1977 në kamp ishin 725 të dënuar politikë dhe 28 ordinerë. Në fund të dhjetorit 1977 kjo shumë ishte 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë.
Në fund të janarit 1978 në repart ishin 877 të dënuar politikë dhe 48 ordinerë. Në fund të nëntorit 1978 në repart ishin 905 të dënuar politikë dhe 37 ordinerë.
Në një informacion të datës 14.10.1978 thuhej se të dënuarit Vasil Ziu, Frederik Shestani, Refik Beqo, Ushtar Çobo, Ilir Agaraj, Nikolla Shyti dhe Gaspënuarit Vasil Ziu, Frederik Shestani, Refik Beqo, Ushtar Çobo, Ilir Agaraj, Nikolla Shyti dhe Gasp Gaspri nuk kishin pranuar të dilnin në punë duke thënë se ishin të sëmurë. Për këtë veprim ata ishin dënuar duke u futur në birucë.
Nëse do shikojmë statistikat do të vërejmë për shembull se vetëm në janar-korrik 1979 të burgosurit kishin nxjerrë:
- 89.459 tonë bakër.
- 3.275 tonë pirit.
- 2.547 metra linearë punime.
Cilësia e mineralit ishte 0,93.
Të gjitha punimet ishin kryer me tejkalim plani.
Lartësitë që punonin të dënuarit ishin midis 698-700 metra mbi nivelin e detit. Kishte dalje jashtë rrethimit të kampit pothuaj në të gjitha galeritë. Por që të dilje atje, duhej t’i njihje këto. Galeritë e dyshuara për arratisje u bllokuan. Megjithatë maksimalisht ato nuk mund të mbylleshin. Sipas një informacioni të datës 24.8.1978 kampi i Spaçit kishte 3 postblloqe. Kjo shpjegohej me kushtet e sigurimit maksimal të të dënuarve.
Më 11.6.1979 ishte vrarë i dënuari Refik Beqo. Asgjësimi i tij ishte bërë duke u qëlluar nga 5 vendroje, numrat e të cilave ishin midis shifrave 13-17 (ishin 30 vendroje gjithsej). Komanda pasi nxirrte anët e mira të goditjes pa mëshirë të “elementit armik”, kritikonte harxhimin e kotë të municionit nga 5 drejtime.
Në fund të janarit 1979 në kamp ishin 920 të dënuar politikë dhe 31 ordinerë. Nën tokë punonin 530 të dënuar. Në fund të shtatorit 1979 në kamp ishin 919 të dënuar politikë dhe 25 ordinerë.
Në Spaç, ushqimi jepej i cilësisë së dobët, krejt jashtë çdo standardi apo cilësie. Në fund të fundit kur edhe për repartet ushtarake, restorantet apo popullatën ishte copë-copë, nuk pritej që në Spaç të ishte mrekullia. Por ajo që është edhe me gjenocidiste madje është mënyra sistematike e helmimit që është përdorur ndaj të burgosurve. Jo më kot, i dënuari Pal Gjergj Zefi (prej të cilit filloi revolta e Spaçit e 21 majit 1973), i pushkatuar, thotë në hetuesi se ushqimi që ai kishte konsumuar ishte helmim që çonte në dobësim e më pas në vdekje të ngadalshme. Dhe të mendosh që kjo bëhej paralelisht me punën e rëndë që të dënuarit kryenin, me dhunën e përditshme që merrnin, si dhe me izolimet e shumta, është vërtet e dhimbshme.
Në një raport të datës 27 gusht 1979, pranohej nga komanda e burgut se ishin ankuar për toksikime 150 të burgosur. Për të dalë të palagur, komanda ia vinte fajin “gabimeve” të të burgosurve, si dhe mjekut të dënuar Jetulla Gashi, a thua se ky duhej të përgjigjej për cilësinë e dobët të ushqimit dhe atë që bënin drejtuesit e kampit. Dhembje barku e të vjella shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve. Sipas të njëjtit raport, në verën e vitit 1979 kishin paraqitur shqetësime 150 të burgosur.
Më 2.10.1979 komanda e kampit nxirrte se kishin nevojë për shtrim në spital 32 të dënuar, një numër relativisht i lartë, po të kemi parasysh se shifra ka qenë e përzgjedhur me një tjetre më të madhe. Gjatë vitit 1979, 5 të dënuar kishin refuzuar ushqimin. Ndërsa i dënuari Filip Rexha ishte orvatur të vriste veten duke u hedhur.
Në vitin 1980 ishin realizuar mbi planin 3.483 tonë bakër, 1.400 tonë pirit dhe ishin hapur 128 metra linearë galeri. Puna në minierë konsiderohej e rrezikshme në raportet e drejtuesve të MPB-së dhe se punohej pa kasketa mbrojtëse në kokë. Vetëm në vitin 1980 ishin aksidentuar 365 të burgosur, prej të cilëve 1 kishte vdekur dhe 12 ishin plagosur rëndë.
Në fund të qershorit 1980 në repart ishin 980 të dënuar politikë dhe 20 ordinerë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 1980 kishin kaluar në birucë 118 të dënuar.
Sipas informacionit që jepte mjeku i repartit, më 31.5.1980 në Spaç punonin nën tokë 531 të burgosur. Mbi tokë punonin 295 e të tjerët nuk punonin për shkaqe sëmundshmërie. Kishin nevojë për shtrim në spital 128 të burgosur. Vetë kampi kishte një infermieri të përbërë me 8 shtretër. Një WC shërbente për 60 të burgosur. Në një dush, nëse punonte, duhej të laheshin 60 të burgosur. Kur dilnin jashtë dhomës ku flinin, një i burgosur kishte 1 m2 vend për ajrosje.
Në vitin 1981, mesatarisht ishte krijuar një trupë të burgosurish prej 1.056 veta (e dhëna e muajit maj, 1.023 politikë dhe 33 ordinerë). Kapaciteti i godinave ishte 504 veta. Pra, ishin grumbulluar më shumë se dyfishi. Për muajt mars-prill 1981 raportoheshin në Spaç 18 të vdekur. Në qershor shuma shkon në 1.064 të burgosur (vetëm 26 ordinerë).
Gjatë vitit 1981 ishin nxjerrë 83.623 tonë bakër (ose 3 mijë mbi planin) dhe 35.650 tonë pirit (650 mbi planin). Po ashtu, ishin realizuar 3.184 metra linearë punime minerale me tejkalim plani.
Sipas informacionit të datës 20.9.1981, efektivi i repartit përveç ushtarëve përbëhej nga 1 oficer, 7 nënoficerë, 29 policë. Këta në origjinë vinin 42% nga klasa punëtore, 33% nga fshatarësia kooperativiste, 25% nga policia etj. Ushtarët që vinin nga shërbimi i detyrueshëm, ruanin vetëm sistemin e jashtëm të repartit.
Më 16.10.1982 ushtarët vranë në përpjekje për t’u arratisur të dënuarin Hysen Merdani (i dënuar për arratisje) dhe tri ditë më vonë Rexhep Goçin (i dënuar për agjitacion). Komanda propozonte që ata të merrnin fletëlavdërimi nga MPB-ja.
Në raportin e komandës të datës 20.4.1982, të dënuarit Visar Zhiti, Muharrem Protoduari, Ibrahim Çuni, Zyber Selimi, Rexhep Gojani, Mysli Çelhyseni, Marash Kumbulla, akuzoheshin se bënin “sabotim” në nxjerrjen e mineralit.
“Faktet e tanishme flasin për atë që kjo kategori të dënuarish qëndrojnë në pozitat e veta klasore të kundërta me materialet e partisë dhe mësimet e shokut Enver, me interesat e shoqërisë socialiste e të familjes së tyre. Prandaj komanda u ka dhënë masa ndëshkimore, sepse kanë kryer shkelje e faje për moszbatimin e rregullave të brendshme, mbajtjen e sendeve të ndaluara...”, - pohohej në raport.
Një prej të burgosurve që u lirua në Spaç ishte Hafiz Sabri Koçi. Ai vuajti 20 vjet dhe në Spaç vuajti shumë vite. Në repartin e Spaçit ai punonte në sistemin e ujit të pijshëm duke bërë punën e hidraulikut.
Në vitin 1983 nga kampi i Spaçit silleshin 5 raportime për të burgosurit Xhevat Alibali, Dhimitër Nani, Sandër Sokoli (ekzekutuar një vit më pas për revoltën e Qafë-Barit), Murat Gjonzeneli dhe Petro Lekushi. Raporti i datës 2.3.1983 kishte në qendër komentet e tyre rreth librit “Titistët”. Për të dënuarit, Enver Hoxha konsiderohej si nxënës i Titos, ndërsa ato që kishte shkruar, të pabesueshme.
Në vitin 1985, harta e repartit 303, tregon se të dënuarit politikë dhe ordinerë janë të ndarë nga njëri-tjetri. Jashtë rrethimit ndodhen zyrat e minierës. Sapo hyn në kamp, në krah të majtë ishin të rrethuar veçan të dënuarit ordinerë në një kompleks prej 8 godinash. Duke ecur në rrugën kryesore të kampit kalohen 5 godina të artizanalit. Poshtë tyre vërehen 11 godina (2 prej të cilave të banimit) të të burgosurve politikë.
Në vitin 1985 në repartin e Spaçit ishin 470 të dënuar politikë dhe 850 ordinerë.
Në janar 1987 e dhëna flet se në repartin 303 kishte kapacitet prej 970 shtretërish. Në repart kishte 316 të dënuar politikë (kapacitet ishte 400 shtretër) dhe 521 të dënuar ordinerë (kapaciteti ishte 570 shtretër).
Në repartin 303/1 Gurth Spaç kishte 271 të dënuar ordinerë (kapaciteti 300 shtretër). Këta ishin të dënuar ordinerë të moshës 19-25 vjeç.
Në vitin 1987 komanda kishte pasur një plan nxjerrje minerali prej 13 mijë tonë bakër, ndërsa kjo normë ishte realizuar 95%.
Në vitin 1990 ulet ndjeshëm numri i të burgosurve. Kanë ndikuar këtu zhvillimet e këtij viti. Të burgosurit refuzonin të punonin. Nisur nga kjo gjendje, më 5.6.1990 zëvendëskryeministri dhe ministër i Industrisë Minerare Besnik Bekteshi, ishkruan ministrit Simon Stefani mbi dëmet që ishin shkaktuar nga mosplotësimi i planit nga të dënuarit politikë. Për këtë arsye ai kërkon boshatisjen e vendit ku kishin mbetur rreth 160 të dënuar politikë në Spaç, sepse do të merrnin njerëz me pagesë nga banorët e zonës.
- Më 13.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 311 Qafë-Bari, 60 të dënuar.
- Më 14.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 313 Tiranë, 30 të dënuar.
- Më 19.6.1990 janë larguar në drejtim të repartit 305 Sarandë dhe 327 Gjirokastër, 70 të dënuar.
Spaçi funksionoi për të dënuarit politikë midis datave 20.4.1968 deri më 19.6.1990. Në kushtet e reja të krijuara në vend pas vitit 1990, me një urdhër të përbashkët të ministrave të Punëve të Brendshme Gramoz Ruçi, Industrisë dhe Energjetikës Drini Mezini dhe të Bujqësisë Ahmet Osja, më 13.4.1991 reparti 303 i kaloi në dispozicion ndërmarrjes përkatëse të nxjerrjes së mineralit. Ai u përdor edhe pak vite si vend ku vuanin dënimin të burgosurit ordinerë, derisa u mbyll. Prej mbylljes e deri sot, kohë pas kohe, reparti ka kaluar në gjendje shkatërrimi të pandalshëm.
Komandantët e komisarët e repartit 303 kanë qenë të profesioneve: bujq, punëtorë, xhandarë, çobanë, agronomë. Për pjesën më të madhe të viteve arsimi i tyre ka qenë ai fillor. Në vitet e fundit të regjimit arsimi i tyre është i mesëm.
- Luc Vukaj (-)
- Agim Hamiti (-)
- Agron Çipllaku (1980-1983)
- Agron Xhelili (-)
- Ahmet Tufa (1981-1982)
- Azem Çoku (-)
- Bardhok Gega (1917-1982)
- Bashkim Fiku (-)
- Bedri Çoku (-)
- Çaush Çoku (-)
- Dashnor Kazazi (-)
- Dervish Sulo (-)
- Elez Allci (-)
- Esat Çoku (-)
- Fadil Zani (-)
- Fatmir Llagami (-)
- Fatos Kërluku (1976-1981)
- Foto Stefani (-)
- Gjeto Kadeli (-)
- Gjokë Marku (-)
- Gjon Rrethi (-)
- Hajri Pasho (-)
- Hasan Giza (-)
- Hasan Giza (-)
- Hasan Hibo (-)
- Hodo Sokoli (-)
- Hulusi Pashollari (-)
- Hysni Deda (1980-1983)
- Imzot Zef Simoni (-)
- Jamarbër Marko (1975-1992)
- Jorgji Papa (-)
- Kostandin Papaj (-)
- Kujtim Kaziu (1980-1990)
- Kujtim Xhaja (-)
- Luan Koka (-)
- Manush Çuka (-)
- Martin Leka (-)
- Mersin Vlashi (-)
- Mislli Çeloaliaj (-)
- Muharrem Xhydollari (-)
- Napolon Koleci (-)
- Neim Pashaj (-)
- Njazi Bylykbashi (-)
- Paulin Vata (-)
- Pavllo Popa (-)
- Perlat Zverku (-)
- Petrit Shahini (-)
- Qani Dangëllia (-)
- Qani Sadiku (-)
- Riza Selmani (-)
- Riza Tafa (-)
- Saimir Maloku (-)
- Sali Çuni (-)
- Shaqir Metaj (1948-1957)
- Sherif Allamani (-)
- Sherif Merdani (-)
- Shuaip Ibrahimi (-)
- Sokrat Mane (-)
- Sotiraq Simaku (-)
- Telat Mehmeti (-)
- Tomor Allabeu (-)
- Ylber Merdani (-1977)
- Ylli Kanina (-)
- Zyhdi Morava (-)