"Zbardhja e krimeve të komunizmit në epokën digjitale”, konferencë shkencore nga fondacioni "Kujto", të hënën më 16 korrik në orën 10:00 në sallën “Akernia” në Hotel Tirana International...
Një konferencë shkencore ndërkombëtare me temë “Zbardhja e krimeve të komunizmit në epokën digjitale” do të mbahet të hënën më 16 korrik në orën 10:00 në sallën “Akernia” në Hotel Tirana International.
Konferenca organizohet nga fondacioni “KUJTO” krijuar dhe financuar nga sipërmarrësi dhe investitori Agron Shehaj. Konferenca do të përqëndrohet në disa linja diskutimi si:
- Zbulimi i krimeve të komunizmit përmes mjeteve të reja të komunikimit, një potencial i ri.
- Përfshirja e qytetarëve në një model të ri kontributi për njohjen e krimeve të diktaturës komuniste.
- Shoqëria shqiptare përballë të kaluarës në ditët e sotme, nga përballja me krimet tek nevoja për një qasje ndryshe me diktaturën.
Në këtë konferencë do të referojnë: Dr. Pavel Zaçek, Prof. Lori Amy, Prof. Uran Butka, z. Agron Tufa dhe z. Agron Shehaj, nën moderimin e studiuesit z. Erald Kapri.
Dr. Pavel Zaçek është historian, themeluesi dhe drejtori i parë i Institutit të Studimeve të Regjimeve Totalitare dhe Arkivave të Departamenteve të Sigurisë në Çeki. Është autor i mbi 120 artikujve shkencorë, monografive dhe publikimeve. Zaçek ka një kontribut të madh në vendin e tij dhe jo vetëm, në përballjen me të kaluarën komuniste. Nga viti 2017 është zgjedhur deputet në Parlamentin e Çekisë.
Prof. Lori Amy është profesore në Departamentin e Shkrimit dhe Linguistikës në Universitetin Jugor të Xhorxhias në SHBA. Ajo është kërkuese shkencore e interesuar mbi mënyrat e ndikimit të dhunës në identitet si dhe në kujtesë. Kërkimi i fundit i saj është zhvendosur në Shqipëri, dhe po fokusohet në të kaluarën e shqiptarëve.
Prof. Uran Butka është historian i njohur, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”. Butka ka disa botime të rëndësishme historike si Lufta Civile në Shqipëri, Masakra e Tivarit, Gjeniu i Kombit, etj. Aktualisht z. Butka po përmbledh punën e Mid’hat Frashërit në 13 volume dhe promovon botime të reja në fushën e historisë dhe mendimit shqiptar.
Z. Agron Tufa është drejtor i Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Puna e tij në vitet e fundit ka një kontribut të vlerësuar së tepërmi në njohjen e të kaluarës komuniste. Nën drejtimin e tij janë realizuar botime si: “Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist”, "Zërat e Kujtesës" - kolanë botimesh studimore, të memuaristikës, konferenca shkencore si dhe ka një pjesëmarrje aktive në jetën publike.
Z. Agron Shehaj, është ideatori dhe themeluesi i Fondacionit "Kujto". Ai është sipërmarrës i njohur në perëndim në fushën e teknologjisë dhe komunikimit, kompanitë e të cilit kanë punësuar mbi 3 mijë të rinj shqiptarë. Shehaj kontribuon prej vitesh në projekte të ndryshme si një promovues i vlerave të lirisë në shoqërinë shqiptare. Kontributi i tij përfshin mbështetje për studimet historike, arsimin, sportin, njerëzit në nevojë. Në 2017-ën u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë Konferencës “Zbardhja e krimeve të Komunizmit në epokën Digjitale” një vend të rëndësishëm do t'i lihet prezantimit dhe diskutimeve rreth Arkivës Online të Viktimave të Komunizmit “Kujto.al”, si nisma e parë dhe e vetme e këtij lloji në Shqipëri.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.