Në përkujtim të Mid'hat Frashërit

0
191
blank

Më 10 nëntor, në Nju Jork do të mbahet një ceremoni për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, personalitetit të shquar shqiptar, që prehet në varrezat Ferncliff të Westchester-it. Mid’hat Frashëri, i njohur edhe me emrin e letrave Lumo Skëndo, lindi në Janinë më 25 mars 1880 dhe vdiq në Nju Jork më 3 tetor 1949.

Nga: Ilir Ikonomi, Zëri i Amerikës

Ai la gjurmë të pashlyera si diplomat, shkrimtar dhe politikan, në disa nga periudhat më kritike për kombin shqiptar.

Mid’hat Frashëri ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nip i dy frashërllinjve të tjerë të mëdhenj, Samiut dhe Naimit, që të tre ideologë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Fakti që ishte pjesë e kësaj familje të shquar shqiptare, ndikoi që Mid’hat Frashëri të bëhej qysh herët një luftëtar për bashkimin kombëtar dhe për edukimin e shqiptarëve në frymë patriotike.

Librat u bënë miqtë e tij më të mirë. Mid’hati nisi të shkruajë kur ishte adoleshent, gjithnjë nën ndikimin e rilindasve të famshëm. Nga Naimi trashëgoi ndjeshmërinë e penës, nga Samiu dëshirën për dijen, nga i ati guximin për t’i dalë zot fateve të Shqipërisë.

“Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë punë të madhe,” shkruante ai në moshën 19-vjeçare. “Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma.”

Ndërkohë, ai botoi edhe revistën Diturija, që është një thesar i paçmuar për kulturën shqiptare.

Mid’hati i kreu studimet në Stamboll dhe pas mbarimit të shkollës, punoi në administratë në Stamboll e më pas në Selanik.

Në vitin 1908, kur ishte vetëm 28 vjeç, ai u bë një ndër njerëzit e shquar që ndihmuan në krijimin e alfabetit modern të gjuhës shqipe me Kongresin e Manastirit.

U zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit, ku u paraqitën disa propozime për abc-në shqipe. Si nënkryetar i Komisionit të Alfabetit, Mid’hati mbështeste alfabetin me gërma latine. Ishte koha kur ai kishte themeluar në Selanik gazetën “Lirija”.

Në kohën kur Perandoria Osmane ishte në rënie e sipër dhe Shqipëria kërcënohej të copëtohej nga shtetet ballkanike, Mid’hat Frashëri erdhi në Shqipëri dhe u bë një ndër delegatët që firmosën Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Gjatë luftës së Parë Botërore, Mid’hat Frashëri u mor me shkrime dhe jetoi në Rumani e më pas në Zvicër, për një farë kohe. Është periudha kur ai botoi me dhjetra shkrime politike, mesazhe, traktate dhe memorandume për të bërë të njohur Shqipërinë dhe çështjen e saj, që rrezikonte të humbiste në bisedimet për botën e pasluftës.

Disa libra të tij të kësaj periudhe si, “Shqiptarë dhe sllavë” botuar në frengjisht në Lozanë, janë studime të thella dhe trajtojnë me kompetencë prej historiani çështje të komplikuara dhe me interes për polemikat e hapura të asaj kohe.

Në nëntor 1920, Mid’hat Frashëri u emërua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, ku qëndroi deri në vitin 1922. Më vonë, në vitin 1923 u dërgua në Greqi për të hapur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Ahmet Zogut, Mid’hat Frashëri mbeti i larguar nga jeta publike. Ai hapi në Tiranë Librarinë Argus dhe u mor me punë studimore. Qëllimi ishte ndriçimi kulturor i shqiptarëve, kësaj here nga brenda Shqipërisë.

Librat ishin jeta e tij dhe numëroheshin me mijëra. Edhe sot, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, gjenden mbi 40 mijë libra të Mid’hat Frashërit, pjesë e ish-librarisë Lumo Skëndo.

Mid’hat Frashëri e kundërshtoi hapur pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939.

Menjëherë pas pushtimit, në shtëpinë e tij ai hodhi themelet e një organizate të rezistencës nacionaliste. Kjo shënoi rikthimin e tij në skenën politike të Shqipërisë.

Në vitin 1942, organizata do të dilte hapur me emrin Balli Kombëtar. Me synimin për të rikthyer pavarësinë e humbur të Shqipërisë, Mid’hat Frashëri fillimisht drejtoi rezistencën pasive dhe pas kësaj nisi ngritja e çetave.

Ishte koha kur në Shqipëri vepronin dy lëvizje që luftonin fashizmin: Balli Kombëtar dhe Nacionalçlirimtarja. Deri në gjysmën e parë të vitit 1943, ato vepronin paralelisht, madje edhe bashkëpunuan midis tyre.

Në vjeshtën e vitit 1943, kur Italia kapitulloi dhe Gjermania naziste pushtoi Shqipërinë, Mid’hat Frashëri e bëri të qartë se Balli Kombëtar do të luftonte nazistët gjermanë, ashtu siç kishte luftuar edhe fashistët.

Por, konfrontimi i brendshëm ishte ashpërsuar dhe forcat komuniste e kishin përqëndruar zjarrin mbi dy forcat nacionaliste: Ballin Kombëtar dhe Legalitetin.

Në fillim të tetorit 1943, Mid’hat Frashëri lëshoi një qarkore, ku porosit komitetet krahinore të Ballit të pezullojnë përkohësisht veprimet luftarake kundër ushtrisë gjermane.

Komunistët do ta interpretonin më vonë këtë dokument, si dëshmi se Mid’hat Frashëri kishte bashkëpunuar me gjermanët. Për kreun e Ballit, kjo shënonte një tërheqje taktike, në kushtet kur gjermanët po thyheshin dhe ishin në rrugën e tërheqjes drejt Gjermanisë.

Uran  Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo në Tiranë, u përgjigjet kështu akuzave të historiografisë komuniste:

“Mid’hat Frashërin e kanë akuzuar veç të tjerave edhe si një kolaboracionist. Kam studiuar të gjitha arkivat, jo vetëm shqiptare, por edhe ato jugosllave, britanike, amerikane dhe mund të them se nuk ka asnjë dokument që të provojë se Mid’hat Frashëri dhe Balli Kombëtar si organizatë të kenë bashkëpunuar me pushtuesit, qoftë italianë apo gjermanë. Nuk ka asnjë dokument të tillë.”

Mid’hat Frashëri gjykoi se lufta në dy fronte, me komunistët që i sulmonin ashpër nga njëra anë dhe me gjermanët në anën tjetër, do të ishte e papërballueshme.

Qartazi, taktika e tij ishte shmangia në maksimum e një lufte të brendshme, që mund të çonte në shkatërrimin e vendit. “Ne duhet të pranojmë të gjitha përgjegjësitë. I takon historisë të na gjykojë”, shkruante ai.

Fitorja e forcave komuniste në luftë, ndonëse do të festohej si një sukses dhe si epokë e re nga disa, ajo përfundimisht shënoi një robërim të ri të shqiptarëve: fillimin e një diktature komuniste gjakatare, njërën ndër më të egrat në Evropë.

“Të mos ishte komunizma, - shkruante ai, - Shqipëria ndoshta do të ishte vendi më i qetë dhe më pak i dëmtuar i Evropës.” Ai e quante komunizmin një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin por edhe shpirtin e njeriut.

Mid’hat Frashëri, i cili u arratis nga Shqipëria dhe doli në Brindizi në nëntor 1944, do të fillonte një betejë të re: organizimin e emigracionit shqiptar, për t’ju kundërvënë realitetit të ri tragjik në Shqipëri.

“Pushtimi i Shqipërisë prej komunistëve dhe largimi i aleatëve nga toka jonë, - do të deklaronte ai, - detyroi shumë shqiptarë që të marrin udhën e mërgimit, jo për t’u larguar nga rreziku komunist, sesa për të vazhduar veprimtarinë e tyre dhe për të mos prerë marëdhëniet me fuqitë liberale të Oksidentit, me të cilat kishin qenë në kontakt edhe në Shqipëri.”

Më 26 gusht 1949, ai njoftoi në Paris krijimin e Komitetit Shqipëria e Lirë. Komiteti, i cili do të ishte një lloj qeverie demokratike në mërgim, u mbështet dhe u njoh nga qeveritë perëndimore.

Mid’hati udhëzonte që në Komitet të mos përfshiheshin njerëz që kishin bërë krime gjatë luftës. Ai ishte kundër përdorimit të dhunës për përmbysjen e pushtetit në Shqipëri, por kërkonte imponimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Më 6 shtator 1949, ai deklaronte nga Radio Londra se: “Programi ynë është të fitojmë independencën dhe të sigurojmë integritetin e vendit tonë.”

Përsa i përket Kosovës, Mid’hat Frashëri jepte këtë formulim: Komiteti Shqipëria e Lirë beson se problemi i Kosovës do të zgjidhet me mjete paqësore dhe nëpër udhë ndërkombëtare.

Ngritja e Komitetit Shqipëria e Lirë ishte akti i fundit politik i Mid’hat Frashërit.

Nga Londra, ai shkoi në Nju Jork, ku Komiteti do të kishte selinë. Më 17 shtator, ai u shpreh kështu gjatë një pritjeje në Uashington: “Populli në Shqipëri duhet të dijë se kundërshtimi i shtypjes komuniste është i përbotshëm dhe se fuqia e kombeve të lira dhe forca e institucioneve ndërkombëtare po shtohet dita ditës.”

Por, nuk kaluan as tre javë nga arritja në Amerikë dhe në 3 tetor 1949, Mid’hat Frashëri ndërroi jetë papritur në një hotel të Nju Jorkut. Atij iu dha lamtumira e fundit në Varrezën Ferncliff të Kontesë Westchester.

Edhe pse u nda nga jeta në një kohë kritike për Shqipërinë, vizioni i Mid’hat Frashërit për një atdhe të lirë nga komunizmi, doli fitues. Ai kujtohet sot me respekt si dijetar, diplomat dhe politikan i një kalibri të veçantë, të cilit historia po i kthen borxhin ende të pashlyer.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here