Jeta e vështirë e Prena Palit dhe dy vajzave të saj Zoja e Lezja, në kampin e internimit në Tepelenë... arratisja e bashkëshortit dhe betejat për mbijetesë, nëpër kampet komuniste të internimit
“U rrita si qyqja në rrem”, kështu thotë Lezja, e bija e Prena Palit, kur nis të rrëfejë fëmijërinë e jetën e saj të vështirë gjatë diktaturës komuniste. Ishte vetëm dy vjeçe, kur u internua në Tepelenë bashkë me nënën e saj, Prena Palin dhe motrën Zoja, 5 vjeçe.
“...nuk na afrohej askush... jetonim të vetme, në internim në Tepelenë, pastaj në Lushnje e më vonë, në fshatin tonë, ku e gjetëm shtëpinë e rrënuar pas shumë vitesh internimi. Kur u rrita, më martuan në një fshat në Dukagjin", thotë Lezja. Bashkëshorti i saj ishte 20 vjet më i madh. Dita e dasmës do të ishte një tjetër ndëshkim për Lezën. Kur dasmorët morën vesh se nusja vinte nga një familje e deklasuar, shumica u larguan duke e lënë dasmën në mes. Lezja rrëfen se e ka kaluar gjithë jetën e goditur ashpër nga lufta e klasave. Por, jeta më e vështirë është sigurisht në Tepelenë, atje ku u internua bashkë me nënën, Prena Pali e motrën, Zoja.
Internimi
Ishte viti 1948. Prena Pali ishte vetëm 23 vjeç, kur mbeti e vetme me dy vajzat e saj, Zoja, pesë vjeçe dhe Lezja, dy vjeçare. Bashkëshorti i saj, Deda ishte arratisur nga Shqipëria sepse ishte shpallur armik i popullit. E priste pushkatimi dhe në këto kushte, u detyrua të largohej e të linte pas nusen e tij të re dhe dy vajzat e mitura. Regjimi komunist do të lëshonte të gjithë mllefin e urrejtjen për të, mbi bashkëshorten e dy vajzat, të cilat do ta kalonin jetën nëpër kampet famëkeqe të internimit. Ja si rrëfen Prena Pali jetën e vështirë në kampin e Tepelenës:
"Ditën që u largua bashkëshorti im Deda prej shpie, na erdhën policët natën. Na morën nga shtrati, siç ishim me rrobat e gjumit e na nxorën jashtë. Kur unë tentova me kundërshtu, ata më tërhoqën zvarrë për flokësh e më nxorën jashtë, bashkë me dy vajzat e mija të vogla. Nuk më lanë me marrë me vete asnjë rrobë për vajzat e as për veten time. E plaçkitën gjithçka pata në shtëpi, me bagëti, ushqime, gjithçka. Na urdhëruan të niseshim për rrugë. Bashkë me mua e dy vajzat, u detyrua të vinte edhe nënë Sute Marku, e cila ishte bashkëshortja e xhaxhait të Dedës, bashkëshortit tim. Jetonte me ne, në një shtëpi. Nënë Sute Marku ishte 85 vjeç dhe e detyruan të vinte me ne për atë rrugë të gjatë e të vështirë. U nisëm në mes të natës dhe na çuan drejt e në Tropojë e më pas, na çuan në internim, në Berat. Jetuam në Kalanë e Beratit për disa kohë. Kushtet e jetesës ishin shumë të vështira. Vajzat e mija e unë, bashkë me nanë Suten, vuanim nga uria e të ftohtit. Në ato kushte, Nanë Sutja dha shpirt dhe e kam varros me duart e mija, atje në periferi të kalasë së Beratit. Kurrë nuk ia gjetëm varrin.
Tepelena
Pas disa muajsh qëndrimi në Berat, na urdhëruan të niseshim për rrugë. Nuk e dinim se ku po na çonin. Pas shumë orësh udhëtim, e pamë veten mes malesh në Tepelenë. U vendosëm nëpër ato kazerma të mëdha, të ftohta e të pista. Vajzat i mbaja natën mbi trupin tim, për t'i shpëtuar nga i ftohti, sepse dyshemeja ku kalonim netët ishte çimento dhe mbi të kishim shtruar disa grushta me bar. Pas pak ditësh, më detyruan të shkoj në skuadrën e burrave për të marrë dru në mal, trupa të rëndë lisi që i çonim në Tepelenë. Pak kohë më vonë, më detyruan të futem në skuadrën e varrmihësve. Më detyruan të hap varre për njerëzit që vdisin në kamp. Më e rëndë ishte rivarrosja e tyre, sa herë komanda vendoste t'iu ndërronte varret. Çdo natë jepnin shpirt fëmijë, djem, të rinj, gra e pleq.
Një ditë në mëngjes, në apel munguan dy të rinj. Rojet e kampit u futën në kazermë duke kërkuar me dhunë e të bërtitura. Pas pak, dolën nga kazerma duke i tërheq zvarrë dy djemtë për këmbësh. Ata kishin vdekur. I mbaj mend ata dy djem të ri, ishin gati fëmij.. ishin si drita. Mua më thirrën që të shkoj t'i varros. Shkova, se nuk kisha rrugë tjetër. Më dhembi zemra për ata dy fëmië. Duke i varros, nisa me i qa: Tepelenë o guri i zi, mbyte plak e mbyte fëmi, eh ça u bane djemve të ri...” vajtova ashtu siç vajtohet nga anët tona. Nuk e harroj atë ditë sa të jem gjallë, se isha vetëm me ata dy djem, për të cilët dija vetëm se ishin nga Mati, nuk e dija a kishin nanë e babë, e në se kishin, ata nuk e dinin se atë ditë djemtë e tyre po varroseshin si qen. Prandaj i qava me lot shpirti.
Duke qenë një situatë e rënduar nga mungesa e bukës e higjena, përpiqesha sa mundesha me i rujt vajzat e mija. I laja me ujë të ftohtë shpesh, që mos t'i zinte dizanteria e tifo. Pasi i laja, ulesha në atë cep kazerme, i mbështillja rreth trupit tim dy voçërraket e mija që të mund t'i ngrohja pak. Në atë vend skëterrë, mua më ka shpëtuar nëna ime Luçe Avdija. Erdhi 18 herë nga Tropoja në Tepelenë, për sa kohë unë me vajzat qëndruam në atë kamp. Ngarkohej me një thes me ushqime kryesisht miell të skuqur që bëhej pluhur, që të mos prishej e të më ndihmonte me mbajt shpirtin gjallë vajzave të mija", ka rrëfyer Prena Pali, Fatbardha Saraçit, autore e librit "Saga e Dhimbjes" .
Pas shumë vitesh internimi në Tepelenë e Lushnje, dikur u kthyem në fshatin tonë në Salcë. Shtëpia ishte rrafshuar. Asgjë nuk kishte mbet mbi tokë. Askush nuk na ndihmoi sepse lufta e klasave ishte shumë e ashpër e nuk guxonin të na afroheshin. Për dy vite, kam qëndruar me vajzat tek nëna e duke udhëtuar me orë, shkoja e mblidhja gurë për të ndërtuar një kolibe. Dikur e arritëm ta ndërtojmë me shumë vështirësi dhe u futëm në atë shtëpi për të vazhduar jetën e vështirë të varfër e të përbuzur nga të gjithë.
Rrëfimet janë marrë nga libri "Saga e Dhimbjes" me autore Fatbradha Saraçi, botuar nga ISKK
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.