Tre raporte të mars-prillit 1945/ “Në Mirditë dominon influenca e Gjon Markagjonit, e klerit dhe e ish oficerave rezervë. Në zonat e Kukësit ndihet influencë dhe simpati e madhe për Muharrem Bajraktarin… Ne na quajnë të dobët para tij… Në popull dëgjohen fjalë pakënaqësie për çështjen e Kosovës, sidomos heqja e flamurit shqiptar në Prizren … Po arrestojmë strehuesit e reaksionarëve, po djegim shtëpitë e po përdorim rrahjen…”
Një grup dokumentesh të Partisë Komuniste, në pranverën e 1945, vërtetojnë se Mati, Dibra, Kukësi, Mirdita e më tej Dukagjini, Puka, Shkodra, Kurbini, etj, e refuzuan hapur regjimin e Enver Hoxhës dhe qeverinë e drejtuar prej tij, që në ditët e para të pas Luftës.
Për nënshtrimin e krejt krahinave të veriut e duke instaluar më tej pushtetin me forcën e armëve në të gjithë këto zona, Enver Hoxha si komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, urdhëroi nisjen e një operacioni të gjerë, ku ushtria do të vendoste me forcë regjimin komunist. Por, megjithëse brigadat partizane kishin depërtuar fshat më fshat në gjithë veriun dhe të dërguarit e Partisë Komuniste ishin shpërndarë në gjithë veriun, për të konsoliduar strukturat e pushtetit, populli i këtyre zonave nuk e njihte këtë qeveri dhe nuk e pranonte regjimin komunist. Ata dilnin hapur dhe ishin shumë të inatosur sidomos për çështjen e Kosovës, e cila i ishte falur Jugosllavisë së Titos, si edhe për heqjen e flamurit shqiptar në të gjithë territoret e shqiptare që kishin mbetur jashtë kufirit të Shqipërisë nën pushtetin e Titos. Në të gjithë këto zona, respektoheshin e mbështeteshin vetëm nacionalistët dhe asnjëherë komunistët.
E gjithë kjo panoramë del qartë nga raportet e vetë drejtuesve komunistë që ishin dërguar në operacionin për nënshtrimin e veriut e Shqipërisë. Kujto.al sjell disa prej këtyre raporteve, ku jepen detaje për gjendjen, me të cilën ishin përballur komunistët e brigadave partizane, kudo ku kishin shkelur në këto zona.
Raporti i 12 marsit ‘45, nga Thoma Deliana
Kështu, më 12 mars 1945, nga seksioni politik i divizionit VIII, që operonte në Kukës, Dibër, Mat, Mirditë etj, Thoma Deliana në raportin e tij, nënvizon si rrezikun më të madh që ju kanosej, influencën e madhe që kishte Muharrem Bajraktari, të cilin të gjithë e përkrahnin, e simpatizonin dhe e mbështesnin në Lumë. Po ashtu, dhe Markagjoni në Mirditë. Veç raportimit për pakënaqësitë rreth çështjes së Kosovës dhe heqjes së flamurit shqiptar atje, Deliana raporton edhe një rast krejt të panjohur e kurioz, depërtimin në territorin e Shqipërisë të dy brigadave sllave, të cilat kishin bërë masakra në fshatrat e zonave të Kukësit e Dibrës. Më imtësisht, gjendjen në këto zona Deliana e përshkruan kështu:
“Operacioni në zonat e Peshkopisë dhe të Kukësit asht ndi ma tepër si një grusht nga populli. Në Mat populli flet shumë kundra qeverisë sonë, midis tij. Populli i Mirditës paraqitet i squet e dredharak asht i helmatisur nga parrullat e reaksionit si dhe nga influence e reaksionarëve dhe vetëm nji përqindje fare e vogël kanë fillue të bahen miq të lëvizjes sonë. Dominon influenca e Gjon Markagjonit e klerit dhe e ish oficerave rezervë.
Në zonat e Kukësit ndihet influencë dhe simpati e madhe për Muharrem Bajraktarin dhe qëndrimin tonë karshi tij e paraqesin si shenjë dobësije nga ana e jonë dhe ka shkaktue qi t’ngjallet besimi në popull se Muharremi ka nji forcë të madhe.
Ditët e fundit dy kompani të Brigadës XVIII janë ndesh në befasi me nji grup 60 vetësh të kryesuem nga Muharremi. Janë vu në ndjekje të gjurmave dhe kanë rrethue gjithë zonën ku dyshohet të qëndrojë, por deri tash asnjë përfundim. Në popull ndigjohen fjalë pakënaqësie për çështjen e Kosovës, sidomos heqja e flamurit shqiptar në Prizren dhe e degradimit të Fadil Hoxhës kanë bamë shumë përshtypje. Kalimi i dy batalioneve të Kosmetit në kufinin tonë tue rrethue, kontrollue dhe plaçkit disa fshatra me pretekstin kundra Muharrem Bajraktarit i ka ashpërsue ma keq marrdhaniet me popullin fqinj jugosllav. Kjo asht quejt nga ana e partizanëve si hakmarrje për dy kompani tonat qi gabimisht kishin kalue ma parë përtej kufinit. Partia nuk ka ndonji simpathi në këto anë dhe puna e saj nuk ndihet fare. Në Kukës ndihet nevoja për shokë. Qi operacioni t’api rezultatet e duhuna duhet që njëkohësisht të filloj të funksionojë edhe organizata në ato zona.
Të fala shoqërore
P.Seksionin Politik të DIV VIII Thoma Deliana.
Peshkopi me 12 III 1945
Raporti i Arif Haskos, 13 mars ‘45
Arif Hasko: Kemi zhdukur një pjesë të kundërshtarëve, Mati ende na refuzon!
“Operacion ende ska rezultatet që presim, reaksionarët strehohen nga populli në Mat e Mirditë… Populli dyshon se me ardhjen e verës , englezët do të zbarkojnë dhe reaksionarët do të bashkohen me ta. Nuk shikojnë me sy të mirë gjendjen e Kosovës dhe sidomos me heqjen e flamurit…”
Që komunizmi nuk ishte i mirëpritur në veri të Shqipërisë, e tregojnë qartë edhe këto rreshta të shkëputur nga raporti i Arif Haskos, sekretari i Divizionit VIII, që operonte në Mat, Mirditë, Dibër e Kukës, në muajt e pranverës 1945. “Populli nuk është shkëputur nga reaksionarët” – shkruan Hasko, duke vijuar se “ata gjejnë strehim e mbështetje të gjerë në këto zona”. Në raportin e tij, Hasko e përshkruan kështu gjendjen e terrenit ku po operonin komunistët:
“Parrullat e reaksionit janë rrënjosur thellë në popullin e Mirditës dhe të Matit, megjithë që bëhet ç’është e mundur për sqarime të tilla; shenja përmirësimi akoma nuk duken, operacioni ka bërë çarmatimin e popullit dhe zhdukjen e një pjese të reaksionarëve por jo shkëputjen e popullit nga ata, kjo vërtetohet se reaksionarët akoma gjejnë strehë në popullin e Mirditës dhe të Matit. Populli dyshon se me ardhjen e verës , englezët do të zbarkojnë dhe reaksionarët do të bashkohen me ta. Nuk shikojnë me sy të mirë gjendjen e Kosovës dhe sidomos me heqjen e flamurit dhe aq më tepër në konferenca që bëhen në Prizren nuk zihet ngojë emëri i komandantit tonë shokut Enver Hoxha.
Në Kukës organizata shumë e dobët, shokët e partisë nuk duken të shquhen në masë. Kurse në rrethet e Peshkupisë puna është më ndryshe. Në Zerqan populli duket më i lidhur me neve, po kështu edhe në rrethin e n/prefekturës së Peshkupisë, kurse Mati qëndron akoma i këputur nga neve.
Shokët e terrenit në Peshkupi dëshërojnë që puna të shkojë mbarë, por duan që të mos shkojnë afër shokëvet për ti ndihmuar, vetëm ndonëjherë shifet ndonjë që del jashtë qytetit, kanë mjaftuar vetëm me udhëzime nga lark.. Nëse në Peshkupi do bëhesh një punë sistematike dhe e paprerë organizata do të përforcohesh më shumë…”
Raporti i dytë i Thoma Delianës, 8 prill ‘45
Thoma Deliana: Nacionalistët nderohen, populli i quan të pafajshëm, ne po praktikojmë grushtin e hekurt. Kemi arrestuar miqtë dhe strehuesit e tyre, kemi djeg shtëpi e kemi përdor rrahjen…
Pothuajse një muaj nga raporti i parë i Thoma Delianës, edhe në këtë raport të dytë të tij, për gjendjen e terren në Mat, Dibër e Kukës, ai dëshmon se komunistët nuk kishin fituar ende terren, paçka masave ekstreme, me arrestime, djegie shtëpish e tortura… Ja pjesa e raportit mbi gjendjen e këtyre zonave në prill të ’45:
“Ndër rrethet e Kukësit dhe të Peshkopisë, populli nuk asht i lidhun me ne, reaksioni ka influencë dhe parrullat e zakonshme të tij zanë vend. Ndigjohen parrulla rreth çashtjes së Kosovës, mbylljes së kufinit, për përcamjen e aleancës. Kanë besim pastaj se me njohjen e Qeveris s’onë do të dali falja e tradhtarëvet. Influencë e simpathi të madhe ka pas Muharrem Bajraktari në gjithë Lumën, kurse në rrethet e Peshkopisë Fiqiri Dinja, Sabri Bej Maqellara dhe Ali Maliqi bile për këta populli flet ballhapët se janë të pafajshëm.
Pushteti asht formal, këshillat se kryejnë detyrën e tyne, nuk ndihet autoriteti i tyne dhe as njihen si organe nga populli, bile aty-këtu lidhun direkt me reaksionin. Cen Elezi mpron mjaft reaksionarët dhe mban lidhje me ta. Reaksionarët kanë shpresë te aji që të përfitojnë dhe kjo politikë dyfaqesh e ka bamë që populli të ketë besim më të madh te ay…
Operacioni ka bamë që ta ndjejnë më mirë forcën e ushtrisë dhe të qeverisë sonë.
Janë kap miq dhe strehusa të reaksionarëve, asht bamë çarmatimi megjithëse jo total dhe për këtë janë marrë dhe masa të nevojshme si djegje shpijash dhe rrafje, por gjithmonë të kufizueme.
Puna e Partisë ndër këto zona asht shumë e dobët dhe nga Kukësi thuajse mungon. Shokët e terrenit nuk kanë njohtë mirë masën e s’dijnë të lidhen me të, por shumë herë janë paraqitë para popullit si politikanë dhe të largët. Operacjoni do të mbesi pa rezultate në qoftë se nuk forcohet shumë puna e terrenit ndër ato anë.”
Të fala shoqërore
P.Seksionin Politik të DIV VIII
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.