Bedri Blloshmi i përgjigjet Edmond Cajës: Ti je përgjegjës për revoltën e Qafë-Barit

0
484
blank

Ish-i dënuari në burgun e Qafë-Barit, gjatë periudhës kur shpërtheu revolta e 22 majit 1984, Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi, i është përgjigjur publikisht Edmond Cajës, duke e quajtur përgjegjësin kryesor për shpërthimin e revoltës.

Pas shkrimit të Edmond Cajës, komandant i policisë në burgun e Qafë-Barit gjatë kohës kur shpërtheu revolta, reagon ish-i dënuari i asaj periudhe, Bedri Blloshmi në një shkrim të publikuar nga Alb-Spirit. Në shkrimin e tij, të publikuar në dy numra të gazetës Dita, Caja mohon çdo përgjegjësi për revoltën dhe hedh poshtë akuzat për tortura. Por, sipas Bedri Blloshmit, ish-komandanti është përgjegjësi kryesor për shpërthimin e revoltës.

“Unë po e përsëris se po të mos ishte ky person në krye të policisë së burgut, aty nuk do kishte ndodhur asgjë. Ashtu nën presion, herë me bukë e herë pa ngrënë, ne ishim nënshtruar fatit të keq nën terrorin komunist që prej pushtimit të 1945”, shkruan Bedri Blloshmi. Ai akuzon drejtpërdrejt Cajën edhe për torturat ndaj Sandër Sokolit, dhe për dënimet e dhëna pas asaj revolte, dy nga të cilat me pushkatim.

Unë kam qenë në një turn me ata që ti i torturove në “dhomën e takimit”, i hodhe në një makinë të zbuluar edhe i ngjeshe në Degën e Punëve të Brendshme të Pukës. Më pas, u dole dhe dëshmitar. Pas disa ditësh, na mblodhe në mensë, i gëzuar se kishe fituar betejën dhe gjithë krenari shpërtheve: “Dëgjoni vendimin e Gjykatës: Sokol Sokoli e Tom Ndoja dënohen me vdekje me pushkatim, të tjerët me dënime të ndryshme, duke përfunduar me fjalët: “Ka ndonjë trim tjetër përballë meje?” – vazhdon Bedri Blloshmi.

Bedriu është një nga të përmendurit në shkrimin e Edmond Cajës, i cili ndër të tjera shprehet që ky ish-i dënuar nuk ka sqaruar ende rolin e tij në dënimin e të vëllait, Vilson Blloshmit dhe në këtë pikë, Bedri Blloshmi i përgjigjet drejtpërdrejt Cajës.

“Ti nuk ke asnjë pengesë ta marrësh dosjen penale tonën, shpfletoje, gërmo dhe po gjete aty jo një faqe, jo një rrjesht, por një fjalë që unë të kem shprehur për Vilsonin apo për Genc Lekën, atëhere bëje publike. Po gjete, atëherë ti do kesh të drejtë për atë që the. Unë të them dhe më tepër se kjo. Se gjatë gjithë kohës së hetuesisë unë nuk jam pyetur për këta dy persona që shokët tuaj i çuan në dhé para kohe”.

Bedri Blloshmi rrëzon një nga një mbrojtjet e bëra nga Caja në shkrimin e tij, ku ai pretendonte që nuk ishte në dijeni të konventës së firmosur nga Shqipëria në vitin 1954, që ndalonte punën e detyruar të të burgosurve. Shumë nga torturat e treguara nga ish-të dënuarit në burgun e Qafë-Barit bëheshin pikërisht për shkak të mos përmbushjes së normës, e cila ishte e pamundur në shumë rrethana.

“Komandant, pse nuk e thua se kur torturove Sandër Sokolin, të cilit i more shpirtin, kush ishte tjetër? Atëherë po të kujtoj unë. Bashkë me të ndjerin Sandër, ishte dhe doktori Drago Vujosheivç, kryetari i zyrës teknike, Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari. Aty qarkullonin fjalët se Dalipin e torturuat se ju i kishit kërkuar të deklaronte në një raport se revolta ishte e organizuar, gjë që të cilën nuk e pranoi.

Mond, ty të kujtohet kur i dënuari Tomorr Allajbeu nga Berati që ishte i sëmurë me raport e nuk punonte dot, urdhëruat mbylljen në birucat e lagështa për disa muaj rresht. Në atë dimër, ra një dëborë e madhe dhe kur roja i brendshëm shkoi t’i hiqte batanijen në 5 të mëngjesit, ai e pa se Tomorri kishte ngrirë. Atëherë, me të shpejtë, e morët dhe e futët në infermieri. Më pas, e dërguat në burgun e Burrelit.

Ti komandant përmendje se dy të dënuarit që i zuri galeria, ishin Ilmi Çoçka dhe Dilaver Hysi. Po, është e vërtetë, po ti nuk sqaron pse u vranë. Mbaj mend se data ka qenë 2 ose 3 korrik i vitit 1984, pra diku te një muaj e gjysëm pas revolte, ku terrori në kamp, nga ju, civilë dhe ushtarë, ishte jashtë çdo parafytyrimi njerëzor.

Dru në kamp, dru në galeri: NORMA DUHEJ BËRË ME PATJETËR.

Këta dy punonin në galeri 70/1 veriore dhe në frontin e punës, nuk kishte mineral për të bërë normën. Këta e dinin se po të dilnin jashtë pa bërë normën, do të hiqnin të zitë e ullirit nga ti. Prej frikës dhe tmerrit, detyrohen të hyjnë në hapësirë për të mbushur vagonat. Aty i zuri mali dhe vdiqën. Këtë e mbaj mend mirë, se në 5 korrik, ju na futët mua, bashkë më 11 të tjerë të dënuar, në zyrën e Dalipit, dhe mbasi na dhatë një dru të mirë aty, na transferuat në burgun e Spaçit. Një nga të vrarët e nxorëm të copëtuar, ndërsa tjetrin nuk e di kur është nxjerrë, se unë u transferova”, shkruan Bedri Blloshmi.

Ai e përfundon me deklaratën “Gjithsesi, tragjedia e Qafës së Barit është në shpinën tënde!!!”. Në fund të shkrimit, Bedriu publikon dhe aktin mjeko-ligjor për Sandër Sokolin, të cilit nuk i është ekzaminuar shtylla kryesore, sipas tij me qëllimin për të fshehur torturat që i morën jetën atij.

Akt mjeko-ligjor nr. 12

"Ekzaminohet e gjithë kufoma me përjashtim të kolonës vertebrale e cila nuk është hapur… Pse?"

 

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here