Dokumenti i 13 dhjetorit 1947/ Ngjarja e rrallë në një nga kampet e punës së detyruar, ku shfrytëzoheshin të burgosurit politikë

0
423
blank

U pushkatuam familjarët, si u arratisën 9 të burgosur politikë nga ferma e Llakatundit...

Pas arratisjes së 20 të burgosurve politikë nga kampi i Beratit, prillin e vitit 1947, në dhjetor të po atij viti, ngjarja ripërsëritet në fermën e Llakatundit, ku ishin izoluar 60 të burgosur politikë, që regjimi i quante “armiq të popullit”. Sipas dokumentit që en.kujto.al e sjell të plotë, arratisja kishte ndodhur për shkaqe të sigurisë së ulët. Lajmi alarmues për kupolën e regjimit, përcillet në Komitetin Qendror nga Sokrat Bufi, një përfaqësues partiak, atë kohë i angazhuar në seksionin politik të Policisë Popullore.

Ai shkruan se të burgosurit që ishin arratisur, që të gjithë kishin të pushkatuar kush vëllanë e kush të atin dhe se ishin të gjithë të dënuar nga 10 deri në 20 vjet.

Dokumenti zbulon veç ngjarjes, edhe prapaskenat tipike të regjimit komunist, ku për çdo gjë që ndodhte krijohej një skenar i shkaqeve, i përgjegjësve dhe i masave drastike që merrte Partia Komuniste.

Në vijim, dokumenti i plotë:

Vdekje Fashizmit
Liri Popullit
Partija Komuniste shqiptare
Seksioni politik i Drejtorisë P.Policisë Popullore

Tiranë më 13/XII/1947

Komitetit Qendror të P.K.Shqiptare
Tiranë

Njoftojmë se më datën 3/XII/1947 nga ferma e Llakatundit ku punojnë rreth 60 të burgosur (Armiq Populli) janë arratisur 9 prej tyre, njerëz këta që kanë qenë të dënuar me 10 dhe 20 vjet.

Të burgosurit (që) u larguan, që të gjithë kanë pasur të pushkatuar kush vëllanë e kush të jatin.

Ikja e të burgosurve nga burgu i Llakatundit është shkaktuar nga neglizhenca e madhe që ka treguar përgjegjësi i rojes special atje reshter Brahim Hoxha A.P. si dhe nga dobësija e drejtorisë së burgut në kontroll.

Drejtoria e policisë për ta parë në vend çështjen dhe për të marrë masat e nevojshme për kapjen e tyre ka dërguar një nga kontrollet ku sipas konstatimeve rezulton se:

A.P. Reshter Brahim Hoxha ka qenë mjaft i familjarizuar me të burgosurit aq sa prej tyre ka marrë zoq të skuqur, raki dhe duhan. Nga ky familjaritet që ka ekzistuar, reshteri shumë herë karshi të burgosurve është treguar mjaft i butë dhe bile ka vepruar në kundërshtim me rregulloret e burgjeve, p.sh. apelin që duhesh ta bënte dy herë ditën, ai e ka bërë një herë në pesë ditë , derën e burgut e linte hapur qysh në orën 9 mbas dite dhe gjatë kësaj kohe të burgosurit kanë qenë të lirë për të kryer nevojën, e cila ishte mëse 20-30 metro larg burgut.

Para një muaji e gjysëm këtu është gjetur një litar i varur nga Drejtoria e burgut dhe po në datë 2 të këtija prapë është gjetur një dru i gjatë i lidhur me litar varur në dritare, gjëra këto që tregonin se të burgosurit po tentonin për të ikur. Rreshteri për këtë nuk ka marrë asnjë masë e për më tepër kur sekretari i grup celulës tetar… i thotë për të marrë masa, të kontrollohej burgu dhe të shifeshe se kush po tenton, rreshteri është munduar të fshehë litarin duke thënë se është tel etj. Nga ana tjetër kur rreshteri është goditur në grup celulë për familjaritetin me të burgosurit dhe për neglizhimin që ka pasur treguar ai nuk pranonte, prekej aq sa njëherë ka ikur nga mbledhja.

Grup-celula këtu çështjen e dobësive që dukeshin e ka pas ngritur shumë herë e sidomos neglizhencën e reshterit dhe masat që të burgosurit po merrnin për ikje sidomos për 5 prej tyre, të cilët vazhdimisht mblidheshin si grup etj. Për këtë çështje që Grup-Celula e ngrinte me forcë reshteri në fjalë dhe vetë drejtoria e burgut nuk ka marrë masat e duhura të paktën të transferonte disa nga të burgosurit që dyshohej se mund të iknin.

Shtojmë se Ibrahim Hoxha gjith’ashtu dhe vetë drejtoria e burgut thosh që, të burgosurit janë përmirësuar e ndjejnë fajin, tash punojnë me koshiencë dhe sikur vetëm ti lësh ata nuk ikin etj. Opinion ky jo i drejtë dhe që s’ka se si kurrë ata shifen në atë mënyrë.

Antari i Partisë Ibrahim Hoxha ka qenë shoferi i Memet Alemit, i cili ka qenë tradhtar dhe si organizator i Ballit. Gjithashtu ky dhe sot ka shprehur pakënaqësira në lidhje me gradën dhe rrogë gjoja sikur si është dhënë e drejta etj…

Për të gjitha këto atje u muar masat e duhura, u mbloth organizata e Partisë, u mblodh shtabi i seksjonit dhe drejtoria e burgut, ku u goditën gjithë dobësitë dhe u organizua ndjekja për kapjen e të burgosurve kurse reshteri u arrestua jo vetëm si njeri që ka neglixhuar por nga të gjitha këto dyshohet të ketë pasur dhe lidhje për ikjen e tyre.

P. Seksioni Politik
Sokrat Bufi/en.kujto.al

blank

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.