Një rrëfim prekës i Dori Dhonatos, mbesa e Shefqet Bejës, deputeti që u var në litar nga diktatura, në mes të Tiranës, në tetor të vitit 1947. Kalvari i vuajtjeve të familjes Beja gjatë diktaturës
Ishte data 10 tetor 1947. Vera 7-vjeçare po luante e pashqetësuar në oborrin e shtëpisë së saj të bukur, në qytetin e Durrësit. E ëma, Mexhidja e shoqëronte me sytë e përlotur vajzën e vogël, tek luante në oborr. Me pafajësinë e një fëmije, Vera afrohet pranë së ëmës dhe e pyet: Nënë, pse po qan?! Por nëna nuk mund t’ia rrëfente lotët e saj. Atë ditë ishte varur në litar i ati i Verës, Shefqet Beja. Diktatori Enver Hoxha e kishte shënjestruar ndër të tjerë “Armiq të Popullit”, si më të rrezikshmin dhe kishte dhënë vendimin “varje në litar”. Shefqet Beja kishte qenë pjesë e grupit të deputetëve kundërshtar të diktatorit Enver Hoxha, një ndër më të spikaturit kundërshtar të regjimit komunist, që po vendosej ato kohë në Shqipëri. Pikërisht për këtë arsye, Shefqet Beja, vetëm 35 vjeç, ishte dënuar me varje në litar, ndërsa pjesa tjetër e grupit të tij, u dënuan me pushkatim. Si të tjerë deputetë të dënuar me vdekje, Shefqet Beja u ekzekutuan mesnatën e 10 tetorit të vitit 1947. Atë natë, Vera Beja mbeti vetëm me nënën e saj Mexhide Beja, e cila shpejt do të sëmurej rëndë. Vera ishte shumë e vogël për të kuptuar se çfarë gjëme i kishte ndodhur e shumë shpejt, do të mbetej edhe pa të ëmën. Pak ditë pasi Shefqet Beja u ekzekutua, e shoqja Mexhidja, u sëmurë rëndë nga mushkëritë, kur filloi të villte gjak, iu drejtua spitalit të Durrësit. Ishte koha kur “armiqtë e popullit” nuk kishin të drejtë të merrnin shërbime mjekësore. Kur Mexhidja shkoi të shtrohej në spital, atje u refuzua. Qëndroi për disa orë, në një shtrat të vendosur në oborrin e spitalit, në pritje për t'u pranuar të trajtohej si gjithë njerëzit e tjerë. Por ishte e kotë, asnjë mjek nuk guxonte t'i afrohej për ndihmë, sepse ishte dhënë urdhër i prerë që bashkëshortja e “armikut të popullit”, të mos i jepej ndihma mjekësore. Pas qëndrimit disa orë në shi, një e afërme e familjes Beja e mori në shtëpi dhe e ndihmoi me sa mundi. Pak ditë më pas, Mexhidja ndërroi jetë në moshën 35 vjeç, duke lënë Verën jetime dhe të vetme në moshën 7-vjeçare. Vera u rrit nga familja e xhaxhait të saj, Abdulla Bejës. U rrit me të njëjtën dashuri si dhe Met Beja, djali i xhaxhait të saj, me përkujdesjen e pakursyer të familjes së xhaxhait. Vera ishte një ndër vajzat më të bukura dhe më të kulturuara të Durrësit të viteve '50-'60. Por natyrisht, e kishte fituar qysh fëmijë statusin “armike e popullit”.
***
Ishte pranverë në vitin 1963, kur Oresti Dhonato, një ndër inxhinierët e paktë mekanikë të Shqipërisë së asaj kohe, u caktua të punonte si inxhinier në NISH Goma, në Durrës. Ishte djalë nga një familje përmetare, e shpërngulur prej vitesh në Tiranë. Sapo kishte përfunduar studimet në inxhinieri dhe ishte caktuar të punonte në qytetin e Durrësit. Atje u njoh dhe u dashurua me atë vajzë, që shquhej ndër të tjera vajza të qytetit, me Vera Bejën, të bijën e deputetit të ekzekutuar nga regjimi komunist. Pa marrë parasysh damkën që ishte shkruar padrejtësisht mbi shpatullat e saj të brishta, Oresti u dashurua me Verën dhe të dy vendosën të martohen. Çifti i ri e nisi jetën në vitin 1964, mes betejash të forta që nuk do të ndaleshin asnjëherë.
“Që prej ditës kur u martuan, nuk u ndalën presionet ndaj babit tim Orestit. I kërkonin papushim që të ndahej nga mami, nga “e deklasuara armike e popullit”. E kërcënuan ta hiqnin nga Tirana po s’u nda dhe ashtu bënë, meqenëse ai nuk e pranoi presionin. E çuan në Kavajë, sepse ishte ndër inxhinierët më të zot të vendit dhe i duhej në atë kohë, sepse po ndërtohej Fabrika e Letrës, e vetmja asokohe në Shqipëri dhe më pas Uzina e Gozhdës tek e cila punoi deri sa doli në pension. U mundua dy vitet e para, të kthehej në Tiranë, atje ku kishte shtëpinë e tij, por përgjigjja ishte e njëjtë: “Tirana s’është vend për armiken e klasës Vera Beja”. Në vitin 1967, Oresti dhe Vera nisën jetën në Kavajë, ndërkohë kishte ardhur në jetë vajza e tyre e parë Dori dhe ishte 2 vjeç. Më pas, erdhën në jetë Ela, Ana dhe Xhilda. Familja jetonte në qytetin e Kavajës, rrethuar me mirësinë e banorëve të atij qyteti, por të sulmuar egërsisht nga diktatura. Vera nuk kishte pasur të drejtë të shkollohej e nuk kishte të drejtë as të punonte. Erdhi një moment kur pas shumë përpjekjesh, u pranua të punonte në lavanterinë e komunales së qytetit.
“E mbaj mend gjithmonë me çizme llastiku deri në gju, këmbë dhe duart gjak të kuqe gjithmonë në ujë dhe duke larë e shtrydhur kryesisht rrobat e ushtarëve. Nuk e di ku e gjente forcën dhe qeshte aq bukur kur me shihte, qeshte aq bukur sa e ndriçonte vendin kudo ku ndodhej. Dhe ato zonjat aq te mira të lavanterisë, e deshën aq shume. Por hallet dhe mundimet do ia ndalnin shpejt buzëqeshjen.
Në fillim të vjeshtës së vitit 1975, Vera u sëmur rëndë, nga melanima, kanceri i lëkurës. U nda nga jeta në nëntor të atij viti në moshën 35 vjeçare, duke lene jetimë katër fëmijët e saj, Dorin 10 vjeçe, Elën 7 vjeçe, Anën 4 vjeç dhe Xhildën 4 muajshe. Familja e Reshat Bejës, të afërm të Vera Bejës, e morën Xhildën e vogël dhe e rritën si vajzën e tyre. Xhilda ishte vetëm katër muajshe kur e la nëna jetime, ndërkohë që i ati Oresti dhe vajzat e vogla Dori, Ela dhe Ana nuk kishin mundësi të kujdeseshin për të. Reshat Beja dhe bashkëshortja e tij e morën Xhildën e vogël dhe e rritën me shumë dashuri. Oresti, 45-vjeçar, i brengosur për humbjen e dashurisë së tij të çmuar, nënën e fëmijëve të tij, vazhdoi jetën i përkushtuar maksimalisht ndaj vajzave.
“Dashuria e babit për mamin ishte nga ato të rrallat që ekzistojnë vetëm në përralla. Na rriti i vetëm dhe në mënyrë shembullore duke na përcjellë sa mundi edukatën, zgjuarsinë, maturinë, profesionalizmin e mirësinë. Ishte burrë me një karakter të përsosur dhe unik. Kavaja e njeh mirë. Unë jam shumë krenare që jam bija e tij. Unë mbarova shkollën me rezultate të shkëlqyera (gjatë gjithë historisë së shkolles qysh nga klasa e parë fillore deri në maturë kam patur vetëm një 9). Sigurisht asnjëherë s’më dhanë të drejtë studimi. Jo vetëm që s’më dhanë të drejte studimi por s’më jepnin as punë sepse kisha trashëguar titullin e mamasë: “armike e popullit”. Babai vdiq nga hemorragjia celebrale në 1993, në moshën 63 vjeçare. Ishte i pari Kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve të qytetit të Kavajës dhe anëtar i kryesisë së parë të të përndjekurve. Ishte ndër të zgjedhurit e parë, nga ata të merituarit, të ndershmit, të papërlyerit, idealistët, të paharrueshmit. Ai është heroi im. Ne emigruam në vende të ndryshme, të cilat na njohën dhe verësuan meritat intelektuale, të cilat vendi ynë nuk na i njohu kurrë në tre breza. Dua të theksoj se kemi qenë me shumë fat që jetuam në Kavajë ku patëm gjithmonë mbështetjen e banorëve të atij qyteti”, rrëfen Dori, bija e Vera Bejës dhe Oresti Dhonatos, mbesa e Shefqet Bejës.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.