24 gusht 1989/ Doda dhe Gjoni, si i vranë në kufi dhe jua shëtitën kufomat në gjithë Shkodrën

0
417
blank

Nga Admirina Peçi

24 gushti i vitit 1989 ka shënuar një ngjarje makabre, që ka tronditur  atë kohë, gjithë Shkodrën me rrethina. Dy te rinj nga fshati Hoten i Barbullushit, kushërinj të një fisi, Gjon Mark Kumbullaku, 25 vjeç, dhe Dode Fran Gjerkaj, 22 vjeç, në tentativë për të kaluar kufirin shqiptar të rrethuar me tela me gjëmba në zonën  Sukaj, Dajç, ishin pikasur nga ushtarët dhe ishin vrarë me automatikë. Kufomat i kishin lidhur me tela me gjemba në spondet e një kamioni dhe ishin përçudnuar në një shëtitje makambre në gjtihë Shkodrën dhe fshtarat përreth. Madje, drejtuesit e regjimit kishin urdhëruar që shëtitjen e kobshme ta vijonin edhe në ftyre në Barbullush, përpara shtëpive të dy të rinjve…

I ati i Dodës, Fran Gjerkaj dhe vëllai i Gjonit, Marash Kumbullaku kanë rrëfyer, në emisionin “Dosja k”, ngjarjen që shkatërroi gjithçka në jetën e tyre.

“Dy djemtë tanë ikën dhe u zhdukën. Vetëm kur s’u ngrysën në shtëpi, kurse të nesërmen nga ora 10 e gjysmë apo 11, i kishin vrarë në kufi dhe i kishin lidhur me tela me gjemba. I kishin shëtitur nëpër fshatra, nëpër qytet. I kishin sjellë edhe në Barbullush. Kishin menduar t’i sillnin edhe në Hot, në shtëpitë e tyre… në lagje, ku kishin jetuar e ku kishin familjen”, tregon Fran Gjerkaj me zërin që i dridhet.

“Asgjë nuk dinin, veçse si të rinj kanë menduar të kërkonin një jetë më të mirë. U zhdukën. Asnjë shenjë nuk na kanë dhënë gjatë kohës. Asgjë nuk kemi kuptuar se do të iknin. Nuk kanë qenë njerëz që bënin ndonjë figurë si të pakënaqur, as në shoqëri. Madje, siç thoshin disa gra të fshatit, nuk i kishin njohur mirë as si fytyra, e jo më për këtë gjë. Mirëpo është fati i njeriut që të përfundojë ashtu”.

Atë ditë Frani, kujton se kishte qenë më të vëllanë në Shkodër për të shitur sherebelën e mbledhur.

“Kur erdhëm në Beltojë, e ndaloi vëllai zetorin sepse donte të ulej e të pushonte se ndihej i këputur. Edhe unë ndihesha i lodhur. Në atë kohë po vinin ata me makina e me trupat e lidhur. Dolëm në anë të rrugës, shtruam një batanije dhe kemi qëndruar aty rreth gjysmë ore, sikur të kishim pirë ilaç për gjumë. Kur u çuam dhe arritëm në Krye -Bushat, na pyet një zetorist nga Bushati, nëse e dinim se kush ishin ata nga Hoti që i kishin vrarë në kufi. Vëllai im Gjoni, mendoi se ata ishin nga malësia. Por ai zetoristi na tha se bëhej fjalë për dy djem të rinj që i kishin vrarë dhe i kishin shëtitur me makinë dhe se ata nuk ishin nga malësia por nga fshati Hot, në brinjë të malit. I thashë vëllait se njëri do të ishte Doda. Vëllai më pyeti se çfarë dija unë. I thashë që nëse ata djem janë prej Hotit, Doda nuk kishte ngrysur në darkë në shtëpi, nuk kishte fjetur në shtëpi. Dhe i thashë që ai duhej të ishte. Kur arritëm në Barbullush, Hysni Isufi mori të shkruante dëftesat e sherebelës që dorëzuam në Shkodër. Nuk na shikonte në sy, veçse i dridhej dora prej sikletit që kishte parë të vdekurit e lidhur. Aty kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Atëherë unë nxorra një karrige. Kush donte të vinte e të shihte nuk e lejonin, duke i thënë se ne ishim kriminelë. Donin të vinin miqtë e shokët, por i ndalonin e i kthenin mbrapsht. Unë rrija aty..”

Pak metra larg shtëpisë së Franit, familja e kushërinjve, vajtonte po ashtu vdekjen e Gjonit. Marash Kumbullaku e kujton me dhimbje ditën fatale kur mori vesh lajmin e vrasjes së të vëllait.

“Ata, në atë kohë, kanë qenë në aksion, Doda me Gjonin. Kanë shkuar në aksion 1 muaj. Kanë qëndruar rreth 15-20 ditë, pa mbaruar aksioni kanë ikur prej andej. Siç duket e kishin bërë planin bashkë ata të dy, për t’u arratisur. Kanë ardhur dhe kanë ndenjur një natë në shtëpi. Kanë bërë planet bashkë dhe janë çuar të nesërmen. Kanë dalë të dy bashkë me nga një copë bukë në dorë, në rrugë të madhe. Kanë ecur e kanë ecur dhe pastaj kanë blerë një pako me llokume….”

“I ka zënë nata atje. Kanë pritur të dalë drita që të hidheshin në ujë. Kur ka nisur të zbardhë dita, i kanë diktuar dhhe i kanë qëlluar direkt. Kanë vrarë një herë njërin dhe tjetrin e kanë plagosur. Ai tjetri u ka kërkuar që ta vrisnin edhe atë. Ata i kanë qëlluar edhe atij. Pastaj i kanë lidhur me tela me gjemba dhe i kanë vënë mbi spondin e makinës. I kanë shëtitur nëpër fshatra. I kanë sjellë edhe në Barbullush. Pastaj kanë dashur t’i sjellin edhe këtu në Hot, te ne. Kryetari i këshillit, Shaqir Muja, i ka ndaluar. Dhe nuk i sollën, u kthyen”.

Fundi i atij gushti tmerrues për familjen Gjerkaj e Kumbullaku u pllakos nga dhimbja, heshtja e ankthi. As të qanin nuk guxonin. Të kërkonin, trupat e masakruar të djemve të tyre, jo e jo! Por Frani thotë se një moment e gjeti guximin. Nuk mund të jetonte me idenë shkatërruese se ku mund të ishte hedhur kufoma e të birit!!!

“Pas rreth një viti i shkrova një letër Presidiumit të Kuvendit Popullor ku i kërkoja që të më lejonin që eshtrat e djalit të vrarë t’i bashkoja me ato të djalit tjetër sepse 5 vite më parë, më kishte vdekur edhe një djalë tjetër, 21 vjeç, kështu që kur të shkoja te varri, t’i kisha të dy bashkë. Më kthyen përgjigje se nuk më takonte gjë dhe se kështu përfundonin ata që kundërshtonin ligjet e shtetit”.

Me zërin që i dridhet, Frani shton se përpjekjet i shkuan dëm dhe se kishte mbetur i vetëm në përpjekjet për të gjetur eshtrat e të birit.

“Një roje varrezash në Shkodër kishte thënë se e dinte se ku i kishin varrosur, sepse i kishin varrosur natën. Shkoja nëpër varre, shikoja ndonjë të parregulluar dhe thosha që ai ishte varri i djalit tim, se është çmenduri të zhduket djali 22 vjeç e të mos i dish as varrin”.

Franit iu desh të priste afro 2 vjet, sa regjimi komunist të përmbysej e të niste kërkimet për eshtrat e djalit. Dhe vërtet, fati e desh që falë një gruaje malësore, ai ti gjente diku mbuluar me zhavorr eshtrat e të birit… Ishin të dy, në një varr, hedhur njëri nga këmbët e tjetri nga koka, Doda edhe Gjoni!

Frani e tregon kështu peripecinë e gjetjes së eshtrave të dy të rinjve:

“Një grua nga malësia, kishte takuar një djalë që ishte operativi i zonës dhe i kishte thënë: “Ti je djalë spiuni”. Ai i kishte thënë: “Jo, unë kam dashur të haja bukë, nuk jam djalë spiuni se e di një fatkeqësi të dikujt që më lëngon zemra ta kallëzoj, por s’di se kujt t’ia kallëzoj”. Ajo i kishte thënë: “Ma kallëzo mua se jam nënë dhe e gjej se kush është ai”. Ai i kishte thënë se e dinte ku ishin varrosur ata djemtë se e kishte parë vendin dhe i kishte vënë një shenjë që më pas t’ia tregonte dikujt, por nuk dinte se kujt t’ia kallëzonte. Ia kishte treguar atij prej Barbullushi, ai erdhi dhe na tregoi neve. Kemi shkuar natën, në orën 7. Gërmova pak dhe i dolën brinjët. As 50 cm thellë nuk i kishin futur. I kishin lëshuar në një gropë dhe mbuluar me zhavorr. Kur ia gjeta kockat m’u duk sikur po e çoja të gjallë në shtëpi”.

Edhe pse ishin fatlumë në gjetjen e eshtrave, në familjet e Dodës dhe Gjonit s’ka qetësi, pasi në 30 vjet prej askujt nuk morën qoftë edhe një ndjesë. Drejtësia është nëj fjalë e huaj për ta. Marashi me indinjatë thotë:

Ky ishte sistemi i Enver Hoxhës. Por edhe tani nuk është në rregull sistemi, sepse po të vepronte e drejta ashtu siç duhet, duhet të kapet ai person që dha urdhër të lidheshin trupat me tela me gjemba, pas makinës. Ai njeri duhet të dënohet në publik. Të paktën të dihet se kush është. Ndoshta ai mund të jetë akoma në detyrë sot. Është gjynah, kështu mendoj unë.

Vetëm Krishtin e kanë bërë ashtu, e kanë gozhduar. Edhe ata i lidhën me tela me gjemba. Dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për atë punë. Askush. As kur erdhi Sali Berisha në pushtet nuk dënoi njeri. As këta të tjerët po ashtu. Dikush duhet të japë llogari për atë ngjarje.

Nuk po them që të nxirret ai që e ka vrarë, sepse ai ndoshta ka qenë i detyruar, ka marrë urdhër për t’i vrarë, por ai që ka urdhëruar. Është e drejta që ai të kapet.

Unë nuk dua që të vijë dikush e të më kërkojë falje. Shteti duhet të japë llogari për këto punë. Dikush nga shteti duhet të japë llogari dhe ta shoh unë. Të dalë dikush në televizor e të tregojë që filan person ka bërë këtë gjë në atë kohë ..”

Në Hoten të Barbullushit, në shtëpinë e Fran Gjerkës dhe të Marash Kumbullakut,  rrëzë malit të Jushit, orët, ditët, javët, muajt e vitet sikur janë ndalur. Ata të gjithë, kanë mbetur kapur fort pas asaj dite tmerruese të gushtit  1989. Prej atëherë kanë kaluar  afro 30 vite…

Frani, me duart që i dridhen, kap të dy tëmthat dhe përpiqet të gjejë pak ekuilibër për kryet që i rëndon. Pas bisedës, ndjen se është çliruar paksa prej një barre që i rrinte pezull mbi krye prej 3 dekadash…

“Njeriu ka nevojë të tregojë, por nuk mundesh të jesh i fortë në këto situata. Nuk mundesh të flasësh, je i dobët. E kam peng në shpirt”, - thotë ai.

- “Gjithmonë Doda përpiqej të gjente mënyra që ne prindërve të na linte të qetë. Ishte një tip paqësor. Shkoi kot. Por faleminderit Zotit që askujt nuk i pat bërë ndonjë të keqe. Mendoi për një jetë të mirë dhe humbi jetën e vet….”

Dëshmitë e këtij shkrimi janë  nxjerrë nga emisioni Dosja K – “Shëtitja makabre e dy kufomave”

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here