Gëzim Çitozi u arrestua kur ishte djalë i ri për agjitacion e propagandë dhe kaloi 12 vite burg të vështira nga Spaçi në Burrel. Ai u rikthye të jetonte në shtëpinë e prindërve në Krujë, por sot ka mbetur pa çati pas tërmetit të madh të 26 nëntorit
“Na u shemb shtëpia krejt, tani na kanë dhënë një çadër dhe rri bashkë me gruan”- tregon ai për en.kujto.al
"Gëzimi është arrestuar kur ishte ushtar në vitin 1979, torturohet pa mëshirë i kërkonin të pranonte se ka dashur të arratiset nga Shqipëria. E torturuan për disa muaj rrjesht deri sa djalit i mbetet vetëm lekura nga dobsimi e dënohet 12 vjet burg me akuza të sajuara nga partia", shkruan Agustin Miraka, i cili u kërkon miqve ta ndihmojnë Gëzimin në këto ditë të vështira.
Gëzimi në një bisedë me en.kujto.al e ka të vështirë të kujtojë detaje nga koha e burgut se hallet e sotshme ia kanë zënë derën.
“Kam kaluar 10 vite në burgun e Spaçit, kam punuar në minierë, pastaj na çuan në Bulqizë të ndërtonim pallate e pastaj na dërguan në Tërnovë të ndërtonim kampin e të dënuarve. Aty nuk kishim bukë dhe ujë. Një ditë më thanë ka ardh telegram se të ka vdekur nana. Më iku mendja, vrapova e u hodha në tela që të më gjuanin, të më vrisnin. Më gjujtën, po nuk më vranë, më kapën e më dërguan në Burrel deri sa erdhi 1991”.
Pas dënimit kthehet tek shtëpia ku kishte lindur në Krujë. Prindërit ndërkohë i kishin vdekur të dy, po ai aty jeton dhe ndërton familje me aq mundësi sa kishte. Pas tërmetit shtëpia e vjetër është gati duke u shembur dhe Gëzimi, i sëmurë, bashkë me gruan po gdhijnë ditët në një çadër që iu ofrua pas disa ditësh nga bashkia./en.kujto.al
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.