Armët në kishë, inskenimi i Sigurimit/ “Pa shkatërruar klerin, nuk e shtijmë dot në dorë Shkodrën”

0
321
blank

Dokumenti i 17 nëntorit 1946, ku jepet urdhri i Partisë për shkatërrimin e klerit katolik, veçanërisht atë françeskan në Shkodër. Direktivat e Partisë që i paraprinë inskenimit të Sigurimit për "armët në Kuvendin Françeskan"

Kleri katolik në Shkodër, ishte baza e shënjestrës së komunsitëve që në orët e para të regjimit të Enver Hoxhës. Instruksionet për eliminimin e tyre kishin ardhur direkt nga Moska dhe Sigurimi i Shtetit merrte vazhdimisht direktiva nga krerët e partisë, për forcën e goditjes ndaj klerikëve katolikë. Pa eliminuar veprimtarinë e klerikëve katolikë në Shkodër, nuk do të kemi mundësi veprimi në qytet, - thuhet në dokumentin e mëposhtëm.

Dokumenti hartohet pas një mbledhje partie në këtë qytet, ku ishte planifikuar me kujdes sulmi, që do i bëhej kuvendit françeskan në Shkodër dhe gjithë klerikëve françeskanë. Në fillim të dokumentit, thuhet se pas arrestimeve të para, kishin marrë informata se në Kuvendin e Françeskanëve ishin grumbulluar “dokumenta të Marka Gjonit, të Papalilos, të Patër Antonit dhe të Patër Shllakut, përveç dokumentave të shumta historike dhe sendeve të tjera antike”.

Ndërsa citon hetimet, nuk përmend asgjë për “armët”, por më vonë thuhet se popullit do t’ia zbulojnë me filmime e fotografi depot e armëve që ishin fshehur në këtë kuvend. Shumë dëshmi e fakte historike e kanë zbuluar tashmë të vërtetën, se i gjithë “show” i armëve në kishë kishte qenë i inskenuar nga Sigurimi i Shtetit.

Por, dokumenti që “en.kujto.al” e sjell për lexuesit, vërteton urdhrin dhe aksionin partiak për këtë goditje që i duhej bërë klerit katolik, si rruga e vetme për të shtënë në dorë  Shkodrën.

Më poshtë, e sjellim të plotë dokumentin:

KOMITETI QARKOR I P.K.SH.

VDEKJE FASHIZMIT

PËR SHKODRËN

LIRI POPULLIT

Nr. 40

Shkodër më 17.11.1946

Komitetit Qendror të P.K.Sh.

T i r a n ë

Në një mbledhje të shpejtë të Komitetit Qarkor shtruan çështjen e goditjes kundra elementeve të Klerit Katolik. Në bazë të udhëzimeve të marra nga lartë seksioni i sigurimit filloi goditjen në fillim me arestime të vogla e të rralla, në mënyrë që nuk ranë fortë në sy. Gjatë këtyre arestimeve Seksioni mundi të shtyjë në dorë informata të sigurta mbi grumbullim dokumentash në Kuvendin Franceskan. Hetimet e zhvilluara nxuarën në shesh në këtë kuvend të fshehura nëpër dhoma (nën dhe), nëpër depo (brënda në mur), në tavan të fshehura mirë dhe në mes të Kishës (nën dhe) dokumenta të Marka Gjonit, të Papalilos, të Patër Antonit dhe të Patër Shllakut, përveç dokumentave të shumta historike dhe sendeve të tjera antike.

Këto zbulime të popullarizuara me anë të Radios dhe me anë të Organizatës, lehtësuan arestimin e Provincialit, të Ipeshkvit Frano Gjini e të disa klerikëve të tjerë dhe çelin rrugë për një goditje më të rreptë kundra këtyre njerëzve të shitur dhe shokëve të tyre.

Popullarizimi i këtyre zbulimeve ka bërë që masa e ulët katolike (musullmanët po se po) të aprovojë veprimin t’onë kundra këtyre njerzëve që kërkuan t’a bëjnë Kuvendin depo armësh kundra Pushtetit. Elementet kundërshtarë lëshojnë parullën e mëshirës “gjinah, nuk duhet t’i vrasin se s’ka kush e mbanë fenë” ose parullën e paraqitjes së pushtetit si kundra fesë: “po na zhdukin fenë e po na mbyllin dhe kishën”. Këto parulla nuk janë dëgjuar fortë, por fillohen të hidhen. Organizata është udhëzuar t’i demaskojë këto parulla dhe të bëjë çmos që të skjarojë popullin mbi veprimin e poshtër të këtyre njerzëve që e përdorin Kuvendin dhe Kishën akoma për depo armësh kundra Pushtetit Popullor.

Ne mendojmë se situata është e favorëshme tashti – nga vetë faktet që duallën e që po dalin vazhdimisht – për shtrirjen e goditjeve edhe në klerikë të tjerë të implikuar, duke lënë jashtë për tëvazhduar punën e fesë ata më pak të implikuar (mbasi nuk besojmë të ketë ndonjë në qytet pa implikuar). Njëkohësisht propozojmë mbylljen e Kuvendit Franceskan, shpërndarjen e xhakojve të këtij Kuvendi dhe konfiskimin e pasurisë së këtij Kuvendi (me përjashtim të Kishave – si u-bë për Jezuitët) si çerdhe armatimi kundra Pushtetit dhe si çerdhe axhitacioni, hedhje parullash e lufte kundra nesh. Në rast se aprovohet një propozim e tillë, sot mund të themi se është situata më e favorëshme në Shkodër.

Nga ana e jonë do t’ia shtrojmë organizatës edhe një herë zbulimin e bërë në Kuvend, veprimtarin e fëlliqur të këtij Kuvendi dhe të njerzëve si Mati Prenushi me shokë, do të bëjnë që nga Organizata e Rinija Komuniste të shtrohet në popull e të ngjallet urrejtja e masës kundra këtyre njerzëve dhe veprimtarisë së këtij kuvendi dhe do t’a nxisim organizatën për të qenë më vigjillante kundrejt veprimtaris së mëtejëshme të Klerit. Radioja dhe shtypi do të mobilizohen me anë komentesh të shkurtra ose parullash për demaskimin e kësaj veprimtarije të fëlliqur dhe për përgatitjen e opinionit për dënim shëmbëllor e marrje masash kundra Kuvendit.

Njikohësisht me inisjativën e Mbrojtjes do të dërgojmë në Kuvend për t’i parë në vënd, vëndet e depove të armëve, të bombave etj, një komision të përbërë nga njerëz të të gjitha organizatave që do t’a konstatojnë vetë këtë e do t’a faktojnë pastaj në gjyq. Përveç kësaj do të marrim dhe fotografi të ndryshme në vënd, ashtu si janë gjetur depot.

Axhitacioni i ynë do të lidhet me të kaluarën e klerikëve, me Gjyqin e Bashkimit Shqiptar, me përpjekjet e priftërinjve për të sabotuar reformat t’ona, me Postribën, me lidhjet me elementin tjetër reaksionar, me lidhjet me reaksionin e jashtëm etj.

Komitetit Qarkor të Partisë

(Spiro Pano)

(firma, vula)

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here