“Këta të qeverisë nuk e dinë se po e preke shqiptarin në nder e fe, e ke ba armikun më të madh. Këta, tue prish nderin dhe fenë, e kanë egërsue popullin dhe ka me ardhë dita e populli ka me ba namin ndër ta. Mendojnë se e bajnë edhe këtu si në Kinë, por e kanë gabim...”
Ishte koha kur pushteti komunist kishte konsoliduar të gjithë aksionin për prishjen e kishave dhe xhamive në mbarë Shqipërinë, e kur priftërinj e hoxhallarë po mbushnin burgjet e kampet e internimit. Lufta e ashpër kundër klerit kishte nisur qysh në fillimet e pushtetit komunist, me burgosjen dhe vrasjen e dhjetëra klerikëve shqiptarë. Kujto.al sjell një dokument që na rrëfen përpjekjen e diktaturës për të zhdukur besimin fetar dhe për të asgjësuar çdo përpjekje të klerikëve shqiptarë për të mbajtur gjallë besimin në Zot. Dokumenti i marrë nga AIDSSH, na rrëfen reagimin e besimtarëve kundër vendimit të diktaturës për të prishur kisha e xhami. Na rrëfen gjithashtu edhe trimërinë dhe vendosmërinë e klerikëve shqiptarë për t'u përballur me diktaturën komuniste. Dokumentet janë gjetur në dosjen e Sigurimit të Shtetit për klerin në Shqipëri, dhe është pikërisht koha kur Feqor Shehu ishte zv/kryetar i Degës së Brendshme në Shkodër, atje ku ishte përqendruar më së shumti lufta e diktaturës kundër klerit. Në dokumentet e mëposhtme gjeni detaje të rëndësishme edhe të bashkëveprimit midis klerit katolik, atij mysliman e ortodosk në betejën për t'i mbijetuar diktaturës komuniste.
Dokumenti
Kohët e fundit, kryetarit të Kishës katolike, Monsinjor Çobës, i kanë ardhur dy telegrame nga komuniteti mysliman dhe kisha ortodokse në Tiranë, ku njoftojnë se kanë marrë masat e nevojshme për kufizimin e shërbimit fetar. Mbas këtyre ka mbledhur disa pritërinj dhe ka biseduar që në qoftë se na kërkohet me heqë dorë, neve nuk do ta bëjmë këtë. Biles Çoba është shprehur duke thënë: "edhe sikur të më propozohet për të heqë dorë, unë nuk do ta bëj një gjë të tillë edhe në rast se më duhet të vdes". Nga ana e klerikëve është konsideruar burrërore mospranimi me heqë dorë nga shërbimi fetar i Dom Prek Nikçit, në kohën kur ky është thirrur në komitetin Ekzekutiv. Na rezulton se priftërinjtë katolikë reaksionar, janë duke nxitur besimtarët të ndryshëm që t'i drejtohen Komitetit të Partisë me kërkesë lënien e priftërinjve në famulli. P.sh. një burim i joni tregon se Monsinjor Çoba ka thënë: "besimtarët që kanë mbetur pa kisha në katunde, po vijnë për shërbime fetare në qytet, shumica e popullit ka mbetur e tronditur për masat e fundit kundër kishës. Në fshatin Stajkë janë mbledhur me qindra firma nga besimtarë që kërkojnë prift, tre nga të cilët kanë ardhur tek unë, por i drejtova në Komitetin e Partisë".
Monsinjor Ernest Coba është shprehur se: kishat nuk i mbyll shumica e popullit por një pakicë, gjoja si përfaqësuese e Popullit. Të gjitha këto rreziqe që kemi sot, na vijnë prej Kinës....
Të indinjuar nga propaganda e tyre reaksionare, besimtarë të ndryshëm armiq, ndër disa raste janë shprehur jo mirë për masat e marra për mbylljen e kishave dhe xhamive. Kështu psh. ka pasë nga ata që kanë thënë: “Këta të qeverisë nuk e dinë se po e prekën shqiptarin në nder e fe, e ke ba armikun më të madh. Këta, tue prish nderin dhe fenë, e kanë egërsuar popullin dhe me ardhë dita, populli ka me ba namin ndër ta. Mendojnë se e bajnë edhe këtu si në Kinë por e kanë gabim. Nuk është e drejtë mbyllja e kishave dhe xhamive. Ka qenë e pabesueshme që shteti do të arrijë në këtë pikë, prishja e kishave dhe xhamive asht nji gja shumë e keqe”...
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.