Enver Hoxha në 1948, si i zhyti në kënetë 2500 të burgosur politikë me punë të detyruar

0
512
blank

(Në foto: Këneta e Maliqit, fotografuar në vitin 1945)

Kujtimet e Beqir Ajazit: Hoxha e kishte parë me leverdi të madhe, sepse në vend të mekanizmave të sofistikuara të kohës, që kushtojnë shumë dhe harxhojnë shumë karburante, ai do të përdorte të burgosurit politikë, paçka se do të linin kockat aty gjysma e tyre…

Në pranverën e 1948, do të niste puna për tharjen e kënetës së Maliqit në Korçë. Diktatori Hoxha e kishte planifikuar, sipas një skenari të njohur, kopjuar nga idhulli i tij Stalini. Ajo çka kushtonte më lirë ishte krahu i punës, krejtësisht falas i të burgosurve politikë. Kishte ngritur një kamp të rrethuar me tela me gjemba, me komandë të armatosur, dhe brenda tij kishte izoluar mbi 2500 të burgosur politikë, të cilët çdo ditë do të hapnin kanale zhytur në ujë, deri në brez, nën pickimin vdekjeprurës të mushkonjave, sëmundjeve dhe urisë.

Shumë prej të burgosurve të çuar me dhunë në atë kamp, lidhur me zinxhirë, do të linin jetën në atë kënetë, shumica të sëmurë e të groposur për së gjalli në baltën e kënetës.

Një nga ata që kanë lënë kujtime dhe dëshmi mbi këtë kamp, është i ndjeri Beqir Ajazi, i cili është cituar nga studiuesi Kastriot Dervishi në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”. Në këtë libër është botuar një pjesë e dëshmisë së tij për këtë kamp.

Beqir Ajazi:

“Enver   Hoxha kishte përgatitur prej vitesh një sasi të madhe materiali, kishte ngritur një kamp shumë të madh pune në fshatin Vloçisht të Fushës së Korcës, i cili mund të zinte deri 3000 veta brenda. Kështu që në pranverë të vitit 1948, ai kisht embledhur gati të gjithë  të burgosurit politik të tërë burgjeve të vendit dhe i kishte grumbulluar atje, me qëllim që të thante kënetën e Maliqit dhe të bonifikonte kështu fushën moçalore të Korçës. Për ti hyrë kësaj pune Enveri kishte leverdi të madhe, sepse në vend të mekanizmave të sofistikuara të kohës, që kushtojnë shumë dhe harxhojnë shumë karburante ai do të përdorte të burgosurit politikë, ashtu siç kishte bërë edhe modeli i tij Stalini në kanalin Vollga-Don, paçka se do të linin kockat aty gjysma e tyre. Të ndërtoje një vepër të tillë, duke u dhënë punëtorëve nga 800 gram bukë të zezë dhe nga një lugë supë, kjo ishte një nga ‘mrekullitë e sistemit socialist, që provonte epërsinë e tij mbi sistetim e vjetër dhe të kalbur kapitalist, ku shfruytëzohet njeriu nga njeriu”.

Prandaj që në fillim të majit, qeveria kishte grumbulluar në kamp të Vloçishtit mbi 2500 veta nga armiqtë e popullit dhe kriminelët e luftës”.

Burimi: “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”, autor Kastriot Dervishi

 

 

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here