“Gjeta unazën në gishtin e babait të pushkatuar, tmerret gjatë internimit”

1
952
blank

Kujtimet e Brunhildës: Në gishtin e babait tim, u gjet unaza e martesës dhe pas analizës dhe inicialeve që kishte, ma dhanë mua, që e kam në gisht edhe sot...”-rrëfen ajo. “Mbaje bijë,” - më thanë fshatarët, “se është amaneti që ta ka kthyer toka”…

Brunhilda ishte vetëm tre vjeçe kur ia pushkatuan babain e saj, Zyhdi Xhemal Herrin. Ajo e mban mend atë ditë. E mban mend momentin kur e shkëputën nga krahët e babait të saj, ia morën babanë dhe ajo nuk e pa më kurrë.

Kishin ardhur disa persona të armatosur atë ditë, kishin kontrolluar dhunshëm shtëpinë e tyre dhe më pas kishin arrestuar Zyhdiun. Në momentin e arrestimit, Zyhdiu i kishte thënë së shoqes: Mos u bëj merak, do të kthehem shpejt, se nuk kam bërë gjë. Ai nuk u kthye kurrë, pasi bashkë me 21 të tjerë u pushkatuan pa gjyq dhe u mbuluan me dhe’ në një varr të përbashkët në fshatin Mënik, afër Urës së Beshirit në Tiranë. “Pas 5 ditëve na internuan bashkë me pesë familje të tjera. Edhe sot më ka mbetur në shpirt e në mendje karroceria e hapur e kamionit, ku ishim ngjeshur me njëri- tjetrin. Na sillnin rrugëve të Tiranës, për të bërë terror psikologjik” - kujton vajza e Zyhdiut, Brunhilda.

Internimi

“Na dërguan në Vlorë. Atje na përplasën në çimenton e akullt të Degës së Brendeshme, ku kaluam dy ditë e dy netë në tmerr. Mandej, na mbyllën në një depo qymyri mbyllur me qepen dhe të ruajtur nga një roje e armatosur. Nënat bërtisnin nga brenda: ‘Hapeni qepenin se po na mbyten fëmijët’. Më në fund, gratë hapën një vrimë në mur, si një frëngji, nga e cila hynte drita dhe pak ajër” - kujton ato kohë të egra Brunhilda, në atë kohë vetëm një fëmijë, por që u rrit si e përbuzur, persekutuar dhe urryer nga sistemi komunist.

Në vitin 1994, pas dëshmive të marra, u gjend varri i përbashkët i 22 të pushkatuarve pa faj. “Në gishtin e babait tim, u gjet unaza e martesës dhe pas analizës dhe inicialeve që kishte, ma dhanë mua, që e kam në gisht edhe sot... Mbaje bijë, - më thanë fshatarët, se është amaneti që ta ka kthyer toka. ” - rrëfen Bruhnilda, e bija e Zyhdi Herrit.

Zyhdi Herri, 30-vjeçari nga Tirana që kishte studiuar në Liceun francez të Korçës, në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, mori pjesë si student në demonstratat antifashiste. Pas luftës, filloi punë si kryeredaktor në gazetën “Bashkimi”.  Por, Zyhdi Herrin e arrestuan me 20 Shkurt 1951, me akuzën absurde se “Rrjedh nga një familje e pasur, është i biri Xhemal Herrit, i cili ka qenë pro Legalitetit”. Ai u pushkatua me 21 intelektualë të tjerë dhe u groposën në të njëjtin varr, në periferi të Tianës.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

1 COMMENT

  1. Shyqyr qe e gjetet Brunilda.Vajzat e tezes time qe nuk I gjeten eshtrat nuk Kane as nje varr ku te qajne.Nuk e di a do i zene ndonje here mallkimet keta kriminele.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here