Hekuran Isai: 100 të dënuar politikë për të ndërtuar kompleksin Dinamo

0
271
blank

Shkresa e 1987/ “Forcat e detyruara, rreth 100 veta, për krime kundër shtetit, që do të punojnë në ndërtimin e godinës kryesore, do të dislokohen në mikro-kamp të veçantë në territorin e kompleksit sportiv Dinamo...”

Të gjithë veprat më të mëdha e të rëndësishme, ndërtuar në Shqipëri, që prej mesit të viteve ’40 e deri në fund të viteve ’80, janë ndërtuar nga mundi dhe djersa e të burgosurve të regjimit komunist. Në këto aksione, angazhoheshin si të burgosurit politikë, ashtu edhe të burgosurit ordinerë. Fronti i punës së tyre ishte gjithmonë më i vështiri: tharje kënetash, hapje kanalesh, ndërtim rrugësh e trasesh, ndërtim aeroporti, komplekse banimi, uzina e fabrika, stadiume e miniera në të gjithë vendin.

Puna e detyruar konsiderohej pjesë e dënimit të tyre. Në raste fushatash të reja pune, drejtuesit e regjimit mendonin vetëm të përllogarisnin fuqinë punëtore që kërkonte fronti i ri i punës dhe se si do ta siguronin ruajtjen e të dënuarve që do të punonin në këtë vepër.

Një ndër veprat e ndërtuara në fund të regjimit, me punën e të burgosurve, ishte edhe “Kompleksi Sportiv Dinamo”. Siç dëshmon kjo shkresë e prillit 1987, për ndërtimin e këtij kompleksi, Ministria e Brendshme do të angazhonte 100 të dënuar politikë, të cilët do të ndërtonin godinën kryesore të kompleksit. Po ashtu, në këtë fushatë, do të angazhonin edhe 500 të dënuar për krime ordinere, të cilët do të punonin për ndërtimin e fushave, rrethimeve dhe rrugëve. Shkresa e firmosur nga ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, thekson edhe detajet se si do t'i siguronin të dënuarit, në mënyrë që të mos arratiseshin e të vijohej punë me ta në mes të Tiranës. Po ashtu, për të siguruar të dënuarit politik, ishte menduar edhe ngritja e një mikro kampi brenda kompleksit, ku ata do të flinin.

Mister është fakti se a ishin në dijeni, dhe çfarë mendonin banorët përreth, mbi fatin e atyre njerëzve që punonin çdo ditë, në atë vend të rrethuar me forca të armatosura e njerëz të sigurimit.

Më poshtë, “Kujto.al” e sjell të plotë këtë dokument, bashkë me faksimilen e tij.

***

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORIA E ZBATIMIT TË VENDIMEVE PENALE     

“S e k r e t”

Ekzemplar Nr. __

Tiranë, më __.__.1987

 U R D H Ë R

MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME

Nr. 540, datë 08.04.1987

PËR SIGURIMIN DHE ADMINISTRIMIN E TË DËNUARVE QË DO TË PUNOJNË NË NDËRTIMIN E KOMPLEKSIT SPORTIV “DINAMO”

Për ndërtimin e kompleksit sportiv “Dinamo” në qytetin e Tiranës

U R D H Ë R O J:

Kompleksi sportiv “Dinamo” (godina kryesore, dy fusha futbolli, rrethimi dhe rrugët kryesore) të ndërtohet me forca të detyruara, të cilat do të jenë në vartësi të Repartit 313 Tiranë, që do të përgjigjet për sigurimin, administrimin dhe aktivizimin në punë të tyre.

Forcat e detyruara, rreth 100 veta, për krime kundër shtetit, që do të punojnë në ndërtimin e godinës kryesore, do të dislokohen në mikro-kamp të veçantë në territorin e kompleksit sportiv “Dinamo”, ndërsa forcat e detyruara për krime ordinere, rreth 500 veta, që do të punojnë në të dyja fushat, në rrethimet e në rrugët, do të strehohen në ambientet e Repartit 313 Tiranë.

Sektori i prapavijës dhe i financës i Drejtorisë së Tiranës do të përgjigjet për plotësimin e kushteve të nevojshme të banimit, të ushqimit dhe ndjekjen e zbatimin e detyrave ekonomiko-financiare nga puna e forcave të detyruara.

Për sigurimin dhe aktivizimin në punë të këtyre forcave të detyruara, komandohen me shërbim deri në fund të muajit shtator efektivët si më poshtë:

- Oficer Kujtim Hoxha, efektiv i Repartit 303 Spaç, me detyrë përgjegjës i shërbimeve të policisë dhe oficer pune.

- Nënoficer Dervish Mehmet, efektiv i Repartit 313, me detyrë komandant skuadre i policisë.

- 7 policë nga Reparti 326 dhe 1 polic nga Reparti 325 Tiranë, për shërbime në frontet e punës, në rajonin e banimit dhe në postblloqe.

- 1 oficer dhe 20 ushtarë nga Reparti 324 Tiranë për sigurimin e jashtëm të të dënuarve në frontin e punës dhe në rajonin e banimit.

Efektivët që komandohen me shërbim vihen në dispozicion të komandës së Repartit 313 Tiranë, e cila do të përgjigjet për organizimin, drejtimin e kontrollin e shërbimeve për sigurimin e plotë të të dënuarve.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Me zbatimin e këtij urdhri ngarkohet Drejtoria e Zbatimit të Vendimeve Penale, Drejtoria Ekonomike, Drejtoria e Kuadrit, Drejtoria e Tiranës dhe Dega e Organizim-Kompletimit.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

HEKURAN ISAI

(Firma, vula)/Kujto.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here